Mali i Zi është vendi në botë me përqindjen më të lartë të popullsisë mbi moshën 25 vjeç që ka përfunduar të paktën nivelin bazë (bachelor) të arsimit të lartë, sipas të dhënave të agjencisë statistikore Statista, të cilat në rrjetin “X” i ka publikuar studenti më i mirë i Fakultetit të Shkencave Politike në Podgoricë, Marko Vuleviq. Sipas këtyre të dhënave, deri në vitin 2022, 61,1 për qind e qytetarëve kanë pasur një formë të arsimit të lartë, ndërsa pas Malit të Zi vijnë Emiratet e Bashkuara Arabe me 51,1 për qind, shkruan Analitika, transmeton Ulqini Online.

Vulević ka komentuar se në Mal të Zi jemi bërë kombi më i arsimuar në botë vetëm në letër.

Ai paralajmëron se diplomat po “shtypen” masivisht në qytete të ndryshme, ndërsa pas tyre shpeshherë nuk qëndrojnë dijenia, përkushtimi apo disiplina.

“U bëmë kombi më i arsimuar në botë, sepse diplomat masivisht po prodhohen në Tutin, Plavë, Tivat, Shkodër, Tivar…; sepse diplomat bachelor janë ‘bosh’, nuk ka dije, përkushtim e disiplinë pas tyre; nuk kemi elitë intelektuale, sepse politikanët vetë i blejnë diplomat dhe nuk kemi shembull ndjenjë turpi apo përgjegjësie për këto veprime”, ka thënë Vulević.

Ai thotë se nuk ka norma ligjore që ndëshkojnë këto lloj veprimesh, dhe se të kesh një diplomë sot është më shumë çështje lidhjesh e parash, sesa dijes – duke shtuar se ekzistojnë shumë universitete private jo kredibile.

“Injoranca është bërë normale, aq sa njerëzit do të ishin ‘jonormalë’ nëse do të dinin më shumë sesa një konsumues tipik i PINK, BLIC dhe ALO. Diplomën bachelor e pastrojnë në universitetet shtetërore përmes masterit,” ka theksuar Vuleviq.

By admini