
Ngjarja e rëndë e ndodhur së fundmi në hotelin “Scandinavia” në Ulqin, ku disa pushuese nga Kosova janë përballur me dhunë dhe diskriminim etnik, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik. Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke dënuar ashpër incidentin dhe kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve përgjegjëse.
Më poshtë po e sjellim të plotë kumtesën e tyre për media.
Reagim mbi ngjarjen e rëndë në hotelin
“Scandinavia” në Ulqin
Lidhja Demokratike në Mal të Zi shpreh indinjatën dhe dënimin e ashpër ndaj ngjarjes së ndodhur së fundi në Ulqin, ku disa pushuese nga Kosova u përballën me kushte të papranueshme në një hotel, u trajtuan me dhunë verbale e fizike, dhe u ofenduan në baza etnie nga pronari i objektit dhe si i tillë është një akt i papranueshëm dhe thellësisht i turpshëm.
Është e papërfytyrueshme që në një vend turistik, ku pritet mikpritje dhe respekt, pushuesit të përballen me mungesë kushtesh elementare, dhunë ndaj grave dhe fëmijëve, si dhe diskriminim etnik. Një sjellje e tillë nuk dëmton vetëm qytetarët e lënduar drejtpërdrejt, por cënon rëndë imazhin e Ulqinit si destinacion turistik.
Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe dhunën e ushtruar nga pronari i hotelit dhe fyerjet e rënda me bazë etnie ndaj kosovarëve. Njëkohësisht, shprehim shqetësim të thellë për mungesën e reagimit adekuat të policisë në vendngjarje, si dhe për dyshimet mbi fshehjen e provave.
Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të veprojnë menjëherë, të hetojnë me transparencë këtë rast dhe të nxjerrin para përgjegjësisë autorët e dhunës dhe të diskriminimit. Po ashtu, ftojmë Ministrinë e Turizmit dhe pushtetin lokal në Ulqin që të marrin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla, deri në ndalimin e ushtrimt të kësaj veprimtarie, duke garantuar respektimin e të drejtave të çdo turisti, pa dallim etnie apo origjine.
Mikpritja është vlera më e çmuar e shqiptarëve dhe nuk do të lejojmë që sjellje të tilla të izoluara ta njollosin traditën tonë dhe të dëmtojnë marrëdhëniet vëllazërore mes shqiptarëve kudo që ndodhen.
Kryetar,
Mr. Saubih Mehmeti, ing. i dipl. i tek.