
Ilustrim
Në vitet e para të sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, kur edhe shqiptarët filluan të organizohen politikisht dhe të krijojnë partitë e tyre parlamentare, një ish-afarist vizionar, sot i ndjerë, kishte një këshillë të veçantë për udhëheqësit shqiptarë të asaj kohe: të përqendroheshin në ndihmën për banorët e zonave tradicionale shqiptare si Ana e Malit dhe Kraja, duke ju krijuar mundësinë që të siguronin prona dhe truall pranë bregdetit, konkretisht në zonën e Shtojit të Ulqinit, shkruan Ulqini Online.
Afaristi për këtë ide kishte në mendje se banorët e këtyre zonave ishin të varfër dhe historikisht të pësekutuar nga sistemi monist. Banorët e Anës së Malit dhe Krajës për shkaqe tashmë të njohura janë ata të cilët më së shumti u larguan nga vendlindja e tyre duke emigruar kryesisht në SHBA por edhe në Europë. Këto treva tashmë janë pothuajse të zbrazura nga plaga emigrimit shumë të madh.
Por kjo këshillë, me sa duket, nuk u ndoq seriozisht. Sot, dekada më vonë, në Shtoj – një zonë me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi turistik – numri i shqiptarëve autoktonë është në rënie, ndërsa shihet një rritje e vazhdueshme e vendosjes së banorëve nga rajone të tjera të Malit të Zi dhe nga Serbia.
Ndërhyrjet urbane, investimet e përshpejtuara në ndërtim dhe mungesa e një plani të qëndrueshëm zhvillimor lokal kanë krijuar një situatë ku përfituesit kryesorë të transformimit të zonës nuk janë banorët vendas. Në vend të tyre, prona dhe pasuritë janë duke kaluar në duar të tjera, shpesh përmes shitjes së tokave, mungesës së mbështetjes institucionale apo edhe mungesës së vetëdijes për rëndësinë strategjike të kësaj zone për identitetin kombëtar.
Shtoji, që dikur por edhe sot shihet si zgjatje natyrore e Ulqinit dhe si portë për të garantuar praninë shqiptare përgjatë bregdetit, po kthehet sot në një mozaik të ri etnik, ku shqiptarët nuk janë më faktor dominues. Kjo jo vetëm që mund të ndryshojë balancat demografike në komunën e Ulqinit, por rrezikon edhe zbehjen e trashëgimisë kulturore e historike që kjo zonë ka bartur për dekada me radhë.
Sociologë dhe analistë të çështjeve urbane theksojnë se procesi nuk është i rastësishëm, por një ndërthurje faktorësh ekonomikë, politikë dhe socialë. Ata paralajmërojnë se, në mungesë të një strategjie të qartë për ruajtjen e pranisë shqiptare në Shtoj dhe për përfshirjen e komuniteteve autoktone në planet zhvillimore, Ulqini mund të humbasë një pjesë të rëndësishme të identitetit të vet.
Në këtë kontekst, zëri i komunitetit, përfaqësuesve lokalë dhe shoqërisë civile bëhet jetik. Shtoji nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por edhe simbolikë e një përkatësie që kërkon ruajtje dhe vizion të qartë për të ardhmen.
