
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në liqenin e Shkodrës ditën e sotme. Kapiteni i anijes turistike të Bashkisë ka humbur jetën teksa është mbytur duke bërë një heroizëm, pasi shpëtoi nga mbytja dy turistë të huaj që ranë në ujë. Viktima është Arben Anamali, 51 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:32 të 8 korrikut.
Turistët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Mbeten ende të panjohura dinamika e ngjarjes dhe rrethanat se si kanë rënë turistët në ujë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Report TV ka siguruar edhe pamjet për kërkimet e trupit të kapitenit. Gazetari Ergys Kavaja informon se po bëhen edhe zhytje në liqen dhe kërkime me forca operacionale dhe palombarë, me qëllim zbulimin e trupit të Anamalit.
Për ngjarjen tragjike reagoi edhe Bashkia e Shkodrës, që i shprehu ngushëllimet familjes së kapitenit Anamali dhe vlerësoi atë si një nga njerëzit më të përkushtuar në detyrë, deri në momentet e fundit të jetës së tij.
