Në një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal në fushën e medias dhe informimit publik, është nënshkruar sot në Ulqin memorandumi i bashkëpunimit mes Radio Televizionit të Malit të Zi (RTMZ), Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), shkruan Ulqini Online.

Ceremonia u zhvillua në praninë e Kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Drejtorit të Përgjithshëm të RTMZ-së, Boris Raoniq, Drejtorit të RTK-së, Hysen Hundozi, si dhe Drejtoreshës për Marrëdhënie me Jashtë dhe Projektet në RTSH, Ervjola Osmanaj.

Ky memorandum përfshin bashkëpunimin në krijimin e përmbajtjeve mediatike, shkëmbimin e informacionit dhe organizimin e projekteve të përbashkëta, me qëllim promovimin e vlerave kulturore, historike dhe turistike të rajonit.

Një ndër pikat kyçe të marrëveshjes është hapja e një zyre të përbashkët mediatike në Ulqin, e cila do të shërbejë si urë komunikimi mes tre shteteve dhe si model i ri i bashkëpunimit rajonal në fushën e medias. Kjo nismë synon të forcojë lidhjet kulturore mes komuniteteve shqiptare në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri, si dhe të promovojë Ulqinin si destinacion turistik dhe kulturor në nivel rajonal.

Kryetari Nimanbegu vlerësoi nismën si një hap të rëndësishëm drejt integrimit mediatik dhe kulturor:
“Ulqini po merr rolin që i takon si qendër e bashkëpunimit ndërkombëtar, ku fjala shqipe, kultura dhe bashkëjetesa ndërthuren me zhvillimin dhe promovimin e qytetit tonë.”

Përfaqësuesit e tri televizioneve theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për rritjen e cilësisë së informimit dhe ndërtimin e një hapësire të përbashkët mediatike, ku ngjarjet, sfidat dhe sukseset e përbashkëta të reflektohen përtej kufijve shtetërorë.

Zyra e re në Ulqin pritet të fillojë funksionimin në muajt në vijim dhe do të jetë e hapur për gazetarë, producentë dhe projekte të përbashkëta nga të tria institucionet mediatike.

By admini