
Më 21 mars 2025, në Sallën e Madhe u mbajt Seanca e Dytë e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, me një pikë të rendit të ditës: Tenderi për dhënien me qira të plazheve në bregdetin e Ulqinit.
Këshilltarët e pranishëm, njëzëri me 24 vota “për”, miratuan përfundimet në vijim, kështu mësohet nga një njoftim i Kuvendit të Ulqinit, transmeton Ulqini Online.
Njoftimi e plotë mund ta lexoni më poshtë.
KUVENDI I KOMUNËS SË ULQINIT
Kuvendi i Komunës së Ulqinit, në mbledhjen e mbajtur më datë 21.03.2025, miratoi këtë:
P Ë R F U N D I M
Kuvendi i Komunës së Ulqinit shpreh mbështetjen e qartë për investimet që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të komunës. Në këtë kuadër, Kuvendi konfirmon parimet e mëposhtme që duhet të udhëheqin projektet e ardhshme investuese:
1. Qëndrueshmëria dhe zhvillimi afatgjatë – Të gjitha projektet investuese duhet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke respektuar dokumentet planifikuese dhe strategjike të Komunës së Ulqinit dhe Malit të Zi, si dhe duke marrë parasysh qëndrueshmërinë ekonomike, mjedisore dhe shoqërore.
2. Ruajtja e burimeve natyrore – Projektet duhet të jenë të harmonizuara me parimet e përgjegjësisë ekologjike, ruajtjes së pasurive natyrore dhe mbrojtjes së mjedisit.
3. Transparenca dhe përfshirja – Procesi i miratimit dhe zbatimit të investimeve duhet të jetë transparent, me përfshirjen aktive të komunitetit lokal dhe ekspertëve.
4. Mbrojtja e strukturës demografike – Duke pasur parasysh se Ulqini është një zonë specifike ku pakica etnike përbën shumicën e popullsisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi, investimet nuk duhet të shkaktojnë ndryshime të padëshiruara demografike që mund të cenojnë identitetin kulturor, etnik ose shoqëror të komunës.
Në bazë të këtyre parimeve, Kuvendi i Komunës së Ulqinit u bën thirrje të gjithë investitorëve të interesuar që projektet e tyre t’i përshtatin me këto parime dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Ulqinit.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit
KRYETARE
Ivana Popović
KUVENDI I KOMUNËS SË ULQINIT
Në lidhje me veprimet e Qeverisë së Malit të Zi, Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Pronës Shtetërore dhe Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e të mirave Detare në miratimin e Programit të objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare, caktimin e çmimeve të qirasë dhe procesin e dhënies me qira të plazheve dhe objekteve në këtë zonë, Kuvendi i Komunës së Ulqinit, duke vlerësuar të gjitha pasojat që kanë sjellë këto vendime dhe procesi i tenderimit, në mbledhjen e mbajtur më datë 21.03.2025, miratoi këtë:
P Ë R F U N D I M
Kuvendi i Komunës së Ulqinit shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare ka menaxhuar pasurinë detare gjatë 30 viteve të fundit. Ky shqetësim lidhet veçanërisht me faktet e mëposhtme:
1. Brezi i të mirave detare në Ulqin – Madje 13% e territorit të Komunës së Ulqinit është nën regjimin e të mirave detare, çka përbën një akt të paprecedentë në Mal të Zi. Në disa zona, kufiri i të mirave detare arrin deri në 8 km brenda territorit tokësor, duke kufizuar seriozisht potencialet zhvillimore të komunës dhe duke qenë në kundërshtim me standardet e vendosura evropiane.
2. Disproporcioni në raport me pjesën tjetër të Malit të Zi – Ulqini përfshin 57% të territorit të përgjithshëm të të mirave detare në Mal të Zi, çka krijon barriera të pabarabarta administrative dhe ekonomike për komunitetin lokal dhe bizneset.
3. Taksat financiare dhe konkurrenca – Rritja e TVSH-së dhe rritja drastike e qirave për shfrytëzimin e të mirave detare kërcënojnë seriozisht konkurrencën e Ulqinit si destinacion turistik. Këto masa e vështirësojnë më tej veprimtarinë e sipërmarrësve lokalë dhe ulin atraktivitetin e Ulqinit për investitorët dhe turistët.
4. Nevoja për reformë – Kuvendi i Komunës së Ulqinit i bën thirrje Qeverisë së Malit të Zi dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi që të mbështesin një paketë ligjesh që synon ndryshimin e rregulloreve dhe praktikave menaxhuese të të mirave detare, me qëllim sigurimin e një shpërndarjeje më të drejtë të kompetencave dhe resurseve, si dhe mundësimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për çdo komunë bregdetare. Këto ndryshime janë propozuar nga deputetët me iniciativën e kryetarëve të të gjitha komunave bregdetare.
5. Nevoja për procedim të shpejtë nga Gjykata Kushtetuese – Kuvendi i Komunës së Ulqinit u bën thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi që të vendosin me prioritet dhe në mënyrë të drejtë mbi iniciativat e paraqitura nga Komuna e Ulqinit dhe qiramarrësit e plazheve.
Kuvendi i Komunës
KRYETARE
Ivana Popović