Detaj nga reliefi në altarin e Katedrales së Shën Trifonit në Kotorr, në të cilin ka punuar edhe Andrea Izati. Shën Trifoni mban në dorë modelin e qytetit të Kotorrit
Nga: Ylber Hysa*
Kotorri, si vend strategjik në grykën e njohur, në Bokën e Kotorrit, tërhoqi mjaft tregtarë, ndërmarrës, zejtarë e ushtarë me origjinë shqiptare. Ndër ta përmendet edhe mjeshtri, artisti i argjendarisë – Andrija Izati. Durrsaku, në fakt, ishte një personalitet origjinal që la gjurmë në artin e Kotorrit dhe më gjerë. Njihej si artist i shekullit XV që bënte vepra argjendarie dhe ishte i njohur edhe për farkëtimin e të hollave, perpërve dhe groshëve të Kotorrit, objekteve të ndryshme në argjend me karakter fetar dhe paraqitje të tjera në domenin e artit aplikativ.
Kotorri në mesjetë ka pasur lidhje intensive me Kosovën dhe xehetarinë e saj.
Në fakt, në një kohë – duke qenë liman nën kontrollin e Nemanjiqëve – Kotorri përdori këtë situatë duke krijuar monopol në tregti, që përfshinte edhe xehetarinë, sidomos arin e argjendin e kërkuar në atë kohë që vinte nga brendia e Ballkanit, përfshirë Kosovën.
Kotorri në këtë kohë ishte dhe me ndikim në çështjen e protezhimit të kishës katolike në Kosovë dhe kotorrasit ishin edhe ndërtues kishash katolike, në të cilat shërbenin një numër i madh shqiptarësh si klerikë katolikë. Kjo nënkuptoj edhe ndikime në stilin arkitektonik dhe artit, jo vetëm në kishat katolike.
Një çështje e këtillë ndryshoi pak në rrethana të tjera kur Kotorri u bë pjesë e Republikës vendikase të Shën Markut, dhe u imponuan rrethana të reja politike dhe sisteme e monopole të tjera tregtish me xehe. Kjo nënkuptoi edhe përpjekjen e monopolit me katolicizmin në brendësi të Ballkanit, përfshirë Kosovën.
Rrugët jetike Adriatik-Kosovë
Kotorri në mesjetë ishte shumë i lidhur me Kosovën, kryesisht për shkak të interesit për miniera e xehe, sidomos ar e argjend por edhe mallra e interesa të tjera. Andaj, rrugët ishin shumë e rëndësishme për këtë komunikim jetik: Adriatik – Kosovë.
Në fakt, ishin disa rrugë të etabluara prej nga bëhej komunikimi Kotorr-Kosovë. Ato nuk ishin rrugë të thjeshta dhe shpinin në brendësi, në një reliev të vështirë malor. Ishin tri drejtime me rëndësi: i pari shkonte nga bregu i liqenit të Shkodrës, nga pjesa më moçalike dhe nga pjesa e epërme e luginës së lumit Lim deri në Pejë; I dyti nga qyteti mesjetar Danji, me doganën e tij të njohur. Që në kohën veneciane i ishte dhënë nën qeverisje familjes së njohur kotorrase Draga dhe vazhdonte tutje në Bjeshkët e Nemuna shqiptare drejt Prizrenit; drejtimi i tretë njihej si rruga e Zetës, via Zenta, në të cilën përveç Kotorrit lidheshin edhe Budva e Tivari dhe që përtej maleve nga Cetina zbriste në Podgoricë kapte Plavën ose edhe minierën Brskovo dhe tutje në Pejë. Por, kjo rrugë përmendej edhe për vështirësi dhe rreziqe nga kaçakët shqiptarë.
Dy rrugët e para – përveç qyteteve me rëndësi si Shkodra e Lezha e qytetet bregdetare Tivari, Ulqini, Budva, Kotorri e Dubrovniku – kapnin edhe pika të ndryshme komunikative me rëndësi në mesjetë si, Manastiri Rotecco, Shën Nikolla e Shën Shirxhi në Bunë, Shasi, Sapa, Danji, Drishti e të tjera.
Po ashtu, nga Kosova, pra përmes dy pikave hyrëse, kryesisht Pejë e Prizren, vazhdoheshin degëzimet tjera më lidhje të karvanëve. Drejtimi nga liqeni i Shkodrës për në Prizren përafërsisht merrte nga 35 orë udhëtimi. Nga Prizreni tutje shkohej në Lipjan ose Janjevë dhe përmes Kaçanikut e Shkupit rrugëve të luginës së Vardarit, tutje nga Bullgaria ose Greqia.
Prizreni ishte një pikë që pikëtakonte interesat rivale të Kotorrit me Dubrovnikun.
Në fakt, lidhja e Kotorrit dhe pjesës së Adriatikut, përfshirë edhe Dubrovnikun, në brendësi të Ballkanit kryesisht shkonte nga hapësirat e Shqipërisë Veriore dhe Zetës dhe pashmangshëm vinte në Kosovë e më tutje. Një rrugë e tillë kishte rëndësi primare gjatë tërë mesjetës, por më vonë ndryshoi me rrethana tjera gjeopolitike me dominimin osman dhe humbjen e rëndësisë që patën minierat në Kosovë e rajon, sidomos pas sigurimit të tregjeve të tjera ndërkombëtare, sidomos me zbulimin e resurseve tejoqeanike.
Personalitet origjinal që la gjurmë në artin e Kotorrit
Kotorri pra, si vend strategjik në grykën e njohur, në Bokën e Kotorrit, tërhoqi mjaft tregtarë, ndërmarrës, zejtarë e ushtarë me origjinë shqiptare.
Ndër ta përmendet edhe mjeshtri, artisti i argjendarisë – Andrija Izati.
Durrsaku Andrea Izat, në fakt, ishte një personalitet origjinal që la gjurmë në artin e Kotorrit dhe më gjerë. Andrea Izat njihej si artist i shekullit XV që bënte vepra argjendarie dhe ishte i njohur edhe për farkëtimin e të hollave, perpërve dhe groshëve të Kotorrit, objekteve të ndryshme në argjend, aso me karakter fetar dhe paraqitje të tjera në domenin e artit aplikativ, që ishte mjaft i kërkuar sipas shijes mesjetare.
Andrea Izati ishte ndër argjendarët më të njohur të Kotorrit, së bashku me dy të huaj të tjerë: Marin Adamin që ka punuar në Dubrovnik dhe Johani i Bazelit, që përmes Venedikut ishte vendosur në Kotorr, ku ishte martuar dhe më vonë po ashtu kishte kaluar në Dubrovnik.
Izat ka punuar në kryeveprën artizanale – në palën e argjendtë në Katedralen e Shën Trifonit, katedralen ikonike që simbolizon Kotorrin.
Kjo është kryevepra e tij që e ka bërë me nam dhe të kujtuar.
Tradita që në altarë të vendosën pala të argjendta në flakë ari me figura e relieve të shenjtorëve u përhap në qytete jugore bregdetare aty nga shekulli XIV dhe fillimi i shekullit XV, saqë filloi edhe një garë me qytete tjera bregdetare italiane dhe të Evropës perëndimore.
Dubrovniku në fqinjësi të Kotorrit, në kishën e mbrojtësit të saj, Shën Vllahut, e kishte palën e saj para Kotorrit. Kotorri në decenien e fundit të shekullit XV nisi iniciativën dhe debatin mbi këtë gjë, duke iniciuar zbukurimin e palave në kishat e saj. Kjo u përfundua më 1453 nën udhëheqjen e etërve të qytetit që angazhuan mjeshtrit më në zë të kohës. Për më tepër, kjo vepër që e përmendëm, në Kotorr është pala e vetme e mbijetuar në këtë pjesë të bregdetit. Është e bërë në stilin e poliptahut gotik me figura shenjtorësh, evangjesitësh dhe apostujve, përfshirë Shën Trifonin dhe me paraqitjen e Dezies dhe relieve të gjata afro gjysmë metër që rrethohen më harqe gotike e të tjera.
Kjo dëshmon më së miri për seriozitetin dhe rëndësinë e kësaj vepre madhështore në të cilën mori pjesë Andrea Izati.
Një histori që lidhet me priftin e diplomatin e Skënderbeut
Në fakt, Andrea Izati është i njohur dhe për porosinë që iu bë në Kotorr në vitin 1441. Porositësja ishte Jelena Balshaj-Hraniq, e bija e princit Lazar. Ajo e kishte porositur veprën përmes kancelarit të saj Doberko Mariniq, e që ishin faqet e argjendta për mbështjellësin e librit fetar me fytyrën e Krishtit Shpëtimtar, siç e donte moda e kohës.
Më 1445 njihet një vepër tjetër e Andrea Izatit. Bëhet fjalë për kryqin e argjendtë për kishën e bashkësisë së rendit të flagelantëve në Kotorr.
Përndryshe, argjendaria ishte shumë në zë në Kotorrin mesjetar. Përveç artistëve të njohur, si Andrea Izat, Marini Adami, Johani Bazelit, aty punoi edhe Trifon Palma që ishte i angazhuar edhe në Moskë, në pallatin e princit të madh rus Ivanit III Vasileviq, ku qëndroi më 1473. Kotorri, pra ishte një punishte e artistëve seriozë që kishin zë dhe angazhim në një skenë më të gjerë punimesh e veprash artistike.
Zanatlinjtë e kishin edhe vëllazërinë e tyre të organizuar me qendër, afër kishës së Shën Lukës
Andrea Izat, apo Isat, përmendet edhe në një rrethanë e rol tjetër interesant, i ndërlidhur në mënyrë indirekte me kolegun e tij nga Kotorri Marin Adami dhe priftin e diplomatin e Skënderbeut, Gjergj Pelini nga manastiri bendiktin Roteco, afër Tivarit. Në nëntor 1436 kolegu i tij, argjendari i njohur Marin Adami, kishte hyrë në kontratë me priftin dhe diplomatin e njohur Gjergj Pelini, nga manastiri benediktan i Rotecit, që te bënte një vepër, censer argjendi (unum turibulum de argento). Te noteri ishte shënuar që më 12 qershor 1444, “në prezencë të Princërve dhe Magjistrateve, argjendari Marin pranoi nga Noteri në Kotorr një paund argjendi në aspronë dhe argjendi dërguar tek ai nga murgu Pelini përmes shërbëtorit te tij, Pjetrit”. Pas kësaj, në 5 tetor 1444, Marin Adami pranoi së farkuari veprën në fjalë dhe Pelini pranoi se do të paguante shumën e paracaktuar. Pelini pranoi të paguajë 6 groshë për këtë vepër në vlerë një uncë argjendi. Më 14 dhjetor 1444, Princat dhe Magjistratet kërkuan nga Marini të dorëzonte veprën sipas marrëveshjes me Manastirin Roteco.
.
Por, sipas dëshmisë së Andrija Isat, argjendi i dorëzuar te Marini përmes shërbëtorit të Pelinit kishte peshuar 3,2 paundë më pak sesa përmbante shtresa bakri, bazuar edhe në Ligjin e Dubrovnikut, e që u demonstrua nga argjendari Andrija Isat.
Pra, Isat përveç se artist e mjeshtër, del edhe si njohës e vlerësues i pastërtisë së argjendit dhe ekspert në raste kontestimesh profesionale.
Në fakt, Kotorri së bashku me Dubrovnikun, zhvilloi një formë tjetër më specifike e komplementare sa pjesa tjetër e bregdetit dalmatin duke përthithur ndikime evropiane, mediterane, por edhe nga hinterlandi ballkanik. Kjo, falë bashkëpunimit me një perimetër më të gjerë porosish e shkëmbimesh edhe në brendësi të Ballkanit dhe përtej detit, që gjeti një formë tjetër të shprehjes së gjuhës së argjendarisë dhe u tipizua me një lloj shkolle të saj të veçantë që pati një veprimtari e jehonë të shtrirë, reprezentative e të dallueshme.
Por, për dallim nga qendrat tjera zejtare, Kotorri kishte një epërsi në zhvillimin e argjendarisë kryesisht falë qasjes më të privilegjuar ndaj xeheve dhe materialit minerar, para së gjithash arit e argjendit. Kjo gjithsesi nënkupton edhe qasjen në minierat mesjetare në Kosovë.
Por, durrsaku Andrea Izati që u bë i njohur në Kotorr e shumë më gjerë me veprat e tij fine artistike, njihet fare pak, ose nuk njihet fare, në historinë e artit në gjuhen shqipe.
Kjo është një përpjekje modeste për ta sjellë atë në vëmendjen e fushës së albanologjisë.
Fusnotat janë hequr nga Redaksia.
/* Marrë nga KohaNet/