Ditën e diele, me 01.09.2024 në Ulqin ndërroi jetë h. Rexhep ef. Lika, ish kryeimam i Ulqinit, mësues, urtar dhe një personalitet shumë i shquar i qytetit tonë por jo vetëm.

Më poshtë po ju përcjellim një shkrim të kryeimamit aktual të Ulqinit, H. Mr. Ali ef. Bardhi të lexuar në një mbrëmje kushtuar tij në vitin 2017.

Nga H. Mr. Ali ef. Bardhi, Kryeimam i Ulqinit *

Në këto pak rreshta do të mundohem që të flas për një nga personalitetet më të nderuara të besimt islam në kohën bashkëkohore në Ulqin, e ai është ish-kryeimami i Ulqinit dhe Tuzit, Haxhi Rexhep ef. Lika.

Haxhi Rexhep ef. Lika, lindi në Brajshë, komuna e Ulqinit, në vitin 1940, u arsimu, edukua në qendra të rendësishme të edukimit dhe më pas duke u kthyer për t’i shërbyer vendit dhe popullit të tij, fillimisht në rrethe të ndryshme në Malin e Zi, derisa u emërua kryeimam në Tuz dhe më pas në Ulqin, ku ky vit shënon edhe 30 vjetorin e emërimit të tij në detyrën e kryeimamit të Ulqinit.

Rexhep ef. Lika është personalitet i shquar i vendit tonë i cili kontriboi si imam dhe si predikues i mesimbesimit në Ulqin dhe vazhdon te kontribuoje edhe pse në pension. Me dijen, aftësitë e mençurinë e tij gjithmonë ka ditur që të promovojë vlera të duhura në kohën e vet, duke i prezantuar ato në mënyrë të kuptueshme dhe të qartë tek xhemati, si dhe çdoherë është munduar që të ruaj dhe promovoj islamin bazë të gershetuar me traditën e vendit.

Po ashtu nje element tjeter qe duhet të veçohet gjatë punës së tij është kontributi i dhënë në unifikimin e besimtarëve musliman në trevat ku jetojnë dhe punojnë ato, si dhe duke nxitur frymën e bashkëjeteses ndërfetare dhe te respektit të ndërsjelltë në mes konfesioneve.

Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkëfetarët e tij myslimanë, ku një nga lëvizjet më të mëdha të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e mejtepeve në të gjitha xhamiat dhe dhënien e mësimbesimit tek 600 nxënësa të mejtepit.

Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi gjatë studimeve dhe ushtrimit të detyrës në Malësi, pas kthimit në Ulqin ai donte që ta përçonte edhe në mesin e besimtarëve të Ulqinit.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, shkencore, e bëjnë Haxhi Rexhep ef. Liken, një njëri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive si dhe transmetimin e tyre tek populli.

Figura të tilla që i kanë sherbyer vendit në mbajtjen e traditës fetare dhe kombëtare duhen të vlersohen jo vetëm nga besimtarët dhe nga institucionet fetare, por nga i gjithë komuniteti si edhe institucionet lokale të vendit, të cilët duhet të vlersojnë punën dhe kontributin e tyre duke iniciuar dhënien e ndonjë mirënjohjeje në mënyrë që kjo të jetë shëmbull për të gjithë ne, por edhe për të gjithë brezat e ardhshëm se si duhet të çmohen personalitete të tillë për kontributin ndaj besimit dhe vendit.

Ne si institucion fetar dhe si imam duhet të ndjehemi krenar që jemi trashëgimtar të këtyre figurave të shquara të vendit tonë dhe më gjerë dhe të marrim përsipër të çojmë më tej punën dhe veprimtarinë e tij. Puna, veprimtaria edukimi e përkushtimi i Haxhi Rexhep ef. Likes për hapësirën tonë do të mbesë përgjithmonë e nderuar dhe e vlerësuar.

Dhe në fund uroj që Rexhep efendia të ketë shendetin e plotë dhe dhashtë i Madhi Zot që ketë jetë të gjatë.”

Ulqin, më 13.05.2017.

*Fjala e autorit të shkrimit kushtuar Haxhi Rexhep ef. Lika me rastin e 30 vjetorit të ardhjës së tij si Kryeimam i Ulqinit.

*Marrë nga faqja e autorit në rrjetin social fb

By admini