Ekstremët shënojnë kufirin përtej të cilit jeta merr fund dhe pasioni për ekstremizmin, në art si në politikë, është një dëshirë e fshehur për vdekjen.
Nga Bernard Çobaj
Një prej temave që në mënyrë mjeshtërore përpunohet te vepra e Kunderës është pushtimi rus – sidomos kur sot e lexojmë në kontekstin e gjendjes në Ukrainë. Në këtë mënyrë, përshkruhet me mjeshtëri një lloj sfondi personal i pushtimit rus të Çekosllovakisë, analizohen shkëlqyeshëm veprimet e personazheve, dyshimet e tyre morale dhe intelektuale, si dhe konfliktet midis llojeve të ndryshme të ndjeshmërive që ato i pushtojnë.
“Të gjitha krimet e shkuara të Perandorisë ruse u kryen nën hije fshehtësie. Internimi i qindra mijëra lituanezëve, vrasja e qindra mijëra polakëve, asgjësimi i tartarëve të Krimesë, e gjithë kjo mbeti në kujtesë pa prova fotografike, pra si një gjë e paprovueshme që herët a vonë do të konsiderohet si një mistifikim. Përkundrazi, pushtimi i Çekosllovakisë, më 1968 u fotografua, u filmua dhe u depozitua në arkivat e mbarë botës.
Pushtimi rus, siç e kam thënë, nuk ka qenë vetëm një tragjedi, ai ishte edhe një festë plot me urrejtje që askush nuk do t ia kuptojë ndonjëherë euforinë çmeritëse.”
Ai dënon tmerret e pushtimit dhe degradimin moral të njerëzve që dalin si rrjedhojë e ngjarjeve të vitit 1968; nuk ka dyshim se ai mbron një lloj humanizmi universal.
“Shpesh mendonte për fjalimin që Dubçeku kishte mbajtur në radio, kur qe kthyer nga Moska.
Ai ishte kthyer i poshtëruar dhe i kishte folur një populli të poshtëruar. E kishin nëpërkëmbur aq sa nuk fliste dot. Tereza nuk do t’i harronte kurrë ato pauza të tmerrshme në mes të frazave.
Nëse nuk do të mbetej asgjë prej Dubçekut ato pauza të llahtarshme gjatë të cilave ai s’mbushej dot me frymë, gjatë të cilave gulçonte para një populli të tërë me veshin ngjitur pas radios ato pauza do të mbeten pas tij. Në ato çaste heshtjeje, ishte gjithë tmerri që kishte kapluar vendin.”
Sigurisht, aftësia e Kunderës që në skicat e shkurtra të ballafaqojë personazhet me problemet kyçe të jetës bashkëkohore dhe dyshimet kryesore të intelektualëve bashkëkohorë, është mbresëlënëse.
“Bota ishte aq e shëmtuar sa askush mes të vdekurve nuk donte të ringjallej.”
“Ata që mendojnë se regjimet komuniste të Evropës qendrore janë vepër e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Dhe ata e mbronin trimërisht këtë rrugë, duke ekzekutuar për këtë shumë njerëz. Më vonë, u bë e qartë si drita e diellit se parajsa nuk ekzistonte dhe se entuziastët, pra, ishin thjesht vrasës.”
Kundera nëpërmes Sabinës përshkruan thelbin trishtues të qenurit në ekzil apo diasporë:
“Kush jeton jashtë, ecën në një hapësirë boshe përmbi tokë pa atë rrjetën mbrojtëse që ia sjell çdo qenieje njerëzore vendi që është vendi i tij i vërtetë, ku ka familjen, kolegët, miqtë, ku e kuptojmë pa mund në gjuhën që e flet që fëmijë.”
Mirëpo, postmodernizmi i tij është jashtëzakonisht i pranishëm në teknikën e dizajnit letrar: lojërat e vazhdueshme si në rrëfim, në arsyetim, të cilat, si tregimet, ndërpriten në vend që të përfundojnë, përfshirë paradokset e vazhdueshme në dualizmin mes vendosmërisë dhe pavendosmërisë, përgjegjësisë dhe papërgjegjshmërisë, e pushtojnë lexuesin mbi të gjitha si një ndërtim intelektual jashtëzakonisht i suksesshëm dhe prekës.
Po ashtu, pjesa e tretë “Fjalët e Keqkuptuara”, në të cilën theksohen dhe analizohen arsyet pse të njëjtat fjalë nuk kanë të njëjtën kuptim për të gjithë, duke kujtuar problemin e gjuhës që e hasim te veprat e Borhesit – problemi i gjuhës si një sistem simbolesh që ne do mund ta kuptonim të gjithë njësoj, vetëm nëse të kishim të njëjtën të kaluar dhe përvojë të përbashkët, gjë që natyrisht zakonisht nuk është kështu. Trajtesë e mendësisë dhe e estetikës postmoderne.
“Ata e kapnin me saktësi kuptimin logjik të fjalëve që i thoshin njëri-tjetrit, por pa dëgjuar murmurimën e lumit semantik që rridhte përmes këtyre fjalëve. Për sa kohë njerëzit janë ende pak a shumë të rinj dhe partitura muzikore e jetës së tyre s’është veçse në masat e para, ata mund ta kompozojnë së bashku dhe mund t’i shkëmbejnë temat por kur ato takohen në një moshë më të pjekur, partitura e tyre muzikore pak a shumë është përfunduar, dhe çdo fjalë, çdo objekt nënkupton diçka tjetër në partiturën e secilit.” (vazhdon)