.

Serbia është duke punuar pandërprerë dhe në plan afatgjatë, duke përdorur forma dhe mjete të ndryshme për mohimin e shtetësisë së Malit të Zi dhe të çdo gjëje që lidhet me identitetin malazez. Krijimi i tensioneve politike, i krizave të vazhdueshme dhe i një atmosfere të përgjithshme të pasigurisë bëhet me qëllim të proklamimit dhe jetësimit të tezës serbe se Mali i Zi nuk mund të jetë shtet i pavarur. Megjithëse Mali i Zi është njohur ndërkombëtarisht, është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare, ndër to më e rëndësishmja NATO, rrezikimi i shtetësisë së tij është real dhe nuk mund të nënvlerësohet.

Nga Ismet Kallaba

Në një emision me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi, mes shumë të intervistuarve, mbaj mend që njëri ndër ta pat thënë, mes tjerash, se për shtetin duhet të punosh çdo ditë, por mund ta humbasësh atë brenda natës. Kjo thënie universale merr kuptim në realitetin politik në Mal të Zi që pas ndryshimit të pushtetit në gusht të vitit 2020, por sidomos pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në qershor të vitit të kaluar dhe formimit të shumicës qeverisëse, ku rolin kryesor e kanë forcat politike proserbe. Mali i Zi po përjeton krizën më të madhe në kuptimin e shtetësisë së tij që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2006. Veprimet e planifikuara dhe të ndërthurura të forcave politike proserbe në Mal të Zi, të personifikuara nga kryetari i partisë Demokracia e Re Serbe, njëkohësisht kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq dhe kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, në koordinim me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi, ngjallin frikën e rrezikimit të pavarësisë së Malit të Zi. E gjithë kjo luftë e hapur të përkujton përsëritjen e skenarit të vitit 1918, kur Kuvendi i Podgoricës, i njohur si Kuvendi i Madh Kombëtar i Popullit Serb në Mal të Zi, vendosi që Mbretëria e Malit të Zi t’i bashkohet Mbretërisë Serbe.

Shtetndërtimi është një proces i vazhdueshëm, luftë dhe sfidë e përditshme, që i ngjason ndërtimit të kalasë. Ashtu siç thotë fjala e urtë popullore “gur gur bëhet mur, mur mur bëhet kala”, mosvendosja e një guri apo vendosja e tij në vend të gabuar mund ta prishë murin dhe kalanë. Mali i Zi është një shtet i vogël dhe i brishtë, ashtu siç janë edhe disa shtete të tjera të Ballkanit si Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Janë këto shtete të cilat historikisht kanë qenë pjesë e pretendimeve territoriale serbe, ndonjëherë duke u bërë edhe vetë pjesë e tyre kundër shqiptarëve, përmes planeve të ndryshme shoviniste e hegjemoniste. Planet e tilla serbe nuk janë shuar asnjëherë, por në varësi të rrethanave politike kanë ndryshuar strategjitë dhe mjetet, por qëllimi ka mbetur i njëjtë. Plani më i ri serb, i ashtuquajturi “Bota serbe”, nuk është gjë tjetër vetëm vazhdimësi e këtyre planeve ogurzeza për arritjen e qëllimeve serbe. Ky plan nuk duhet shikuar i veçuar, por është në harmoni me një nismë tjetër, me emërtim shumë tërheqës, “Ballkani i Hapur”, një nismë e mbështetur çuditërisht edhe nga Shqipëria dhe kryeministri i saj Edi Rama. Mali i Zi për një kohë të gjatë ka mbajtur qëndrim të dyzuar ndaj kësaj nisme, por mund të thuhet se edhe falë qëndrimit konsistent të Kosovës, në radhë të parë të kryeministrit të saj Albin Kurti, Mali i Zi nuk është bërë pjesë e Ballkanit të Hapur, një nisme me shumë mistere dhe supozohet me qëllime të errëta.

Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina ndodhen aktualisht nën presionin e ndikimit të Serbisë, e cila përpiqet të krijojë vazhdimisht trazira dhe situata krize në këto shtete dhe përbën kërcënim për sigurinë e tyre. Ndër të tre këto shtete, për momentin duket se në pozitë më të pavolitshme për t’iu kundërvënë hegjemonizmit serb ndodhet Mali i Zi për shkak se forcat proserbe në Mal të Zi ndodhen në pushtet dhe për dallim nga e kaluara kur kanë vepruar dhe e kanë luftuar pushtetin nga jashtë, tani duke qenë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, mundësitë e veprimit i kanë shumë më të mëdha. Në anën tjetër, forcat politike pro pavarësisë (pro malazeze) duken të shkapërderdhura, gjë që ka rezultuar me humbjet e tyre të njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.

Me veprimet e fundit të forcave proserbe në pushtet janë përshpejtuar përpjekjet kundër shtetësisë së Malit të Zi. Udhëheqja aktuale ka arritur të zhbëjë dhe nuk i respekton disa prej elementeve thelbësore të shtetësisë, siç janë simbolet kombëtare, himni kombëtar, festat kombëtare dhe shtetërore etj. Jo shumë kohë më parë, për veprime të tilla ke përfunduar në burg, gjë që e kanë përjetuar shumë shqiptarë në kurrizin e tyre. Përdorimi i shkrimit cirilik në institucione, paralajmërimi për ndryshimin e ligjit mbi shtetësinë dhe lejimin e dyshtetësisë, paralajmërimi për ndryshimin e statusit të gjuhës serbe në përputhje me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit të kaluar etj. tregojnë se forcat proserbe në Mal të Zi kanë nisur një përpjekje të hapur për të ligjëruar veprimet e tyre. Edhe deri tani disa nga politikanët dhe udhëheqësit shtetërorë i kanë shkelur ligjet, për ç’gjë nuk janë dënuar. Dy nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, dhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, krahas shtetësisë së Malit të Zi kanë poseduar edhe shtetësinë e Serbisë, në një kohë kur Mali i Zi ligjërisht nuk e njeh dyshtetësinë.

Serbia është duke punuar pandërprerë dhe në plan afatgjatë, duke përdorur forma dhe mjete të ndryshme për mohimin e shtetësisë së Malit të Zi dhe të çdo gjëje që lidhet me identitetin malazez. Krijimi i tensioneve politike, i krizave të vazhdueshme dhe i një atmosfere të përgjithshme të pasigurisë bëhet me qëllim të proklamimit dhe jetësimit të tezës serbe se Mali i Zi nuk mund të jetë shtet i pavarur. Në këtë kontekst duhet parë edhe paralajmërimin e atentatit ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili ka qenë politikani kryesor që e ka udhëhequr Malin e Zi drejt rifitimit të pavarësisë. Megjithëse Mali i Zi është njohur ndërkombëtarisht, është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare, ndër to më e rëndësishmja NATO, rrezikimi i shtetësisë së tij është real dhe nuk mund të nënvlerësohet. /Koha Javore/

By admini