25 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë.
Fushata e bombardimeve ajrore ndaj caçeve serbe u bë për ndaljen e fushatës për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të serbe e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile.
Mbi 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri.
Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e serbe e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë.
Bombardimet e NATO-s bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.
Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.
Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.
Kurti: Rritja e FSK-së, rezultat i investimeve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke iu drejtuar pjesëtarëve të FSK-së dhe të PK-së në parakalimin e tyre për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit tha se në këtë ditë të çlirimit tha se parakalimi i juaj na mbushë me krenari dhe na jep ndjenja sigurie.
“Sot ritmi i hapave tuaj i zhurmës së çizmeve që i keni mbathur na kthen në ritmë të zemrave tona neve që ju shohim me kaq admirim dhe nderim. Armët që ju i mbani shtrënguar në duar, këto armë të llojllojshme e kaq moderne shumë prej të cilave do të na tregoni sot për herë të parë janë zgjatime të vet duarve tuaj të fuqishme në gatishmëri të përhershme të secilit prej jush për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, kushtetutshmërinë dhe sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe dinjitetin e qytetarëve të saj”, tha kryeministri Kurti.
Ai, më tej, u shpreh i lumtur në, sikundër u shpreh ai, rritjen e shpejtë të FSK-së, si rezultat i investimeve dhe punës së përbashkët shumëvjeçare e veçanërisht gjatë tri viteve të fundit.
Në këtë vazhdë ai përmendi rritjen e buxhetit për ushtrinë, në rekrutimin e 1852 ushtarëve të rinj , të cilëve në këtë vit do t’ju bashkohen edhe 600 rekrutë të rinj, investime të trefishuar në armatime, etj.
“Qytetarë të nderuar, nuk ka asgjë më me vlerë se liria”, tha Kurti.
Osmani: Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona, u mbrojt e drejta për liri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në parakalimin e FSK-së dhe të PK-së për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit ka thënë se në këtë ditë të çlirimit nderojmë sakrificën e popullit tonë.
“Sot jemi bashkë për t festuar një nga ditët më domethënëse në historinë e shtetit tonë, 12 Qershori, Ditën e Çlirimit. Në këtë ditë nderojmë trimërinë sakrificën dhe shpirtin e palëkundur të popullit të Kosovës, popull i cili luftoi trimërisht për lirinë që e gëzojmë sot”, tha presidentja Osmani.
Ajo më tej tha se kjo është një ditë për ta kujtuar të kaluarën tonë të dhimbshme, por po ashtu për të festuar të tashmen tonë për të synuar një të ardhme të mbushur me shpresë e prosperitet
“Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona. Në Kosovë n vitin 1999 u mbrojt e drejt a e popujve për të qenë i lirë. Në këtë luftë UCK ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës. Gratë dhe burrat trima morën armët për ta mbrojtur të drejtën ton për të ekzistuar”, nënvizoi e para e vendit.
/RTK/