Hajrullah Hajdari

Nga Hajrullah Hajdari

Dështimi i investimit në Kala pati ndikim të dukshëm në rritjen e ndërgjegjësimit të organeve shtetërore dhe qytetarëve për ngritjen e objekteve në funksion të zhvillimit të turizmit në këtë qytete të bukur bregdetar. Numri i vizitorëve gjatë muajve të verës sa vinte e rritej gjithnjë e më shumë. Numri por edhe struktura e shfrytëzueseve të banjave të parregulluara të Ulqinit tregoi se është e nevojshme të ndërhyhet për të krijuar kushte më të mira për mysafirët. Mysafirët ishin lëshuar vetvetes, nuk kishte dhoma të zhveshjes as bufe apo restorant afër banjës. Shteti, përkundër komplimenteve për banjat e Ulqinit dhe veçoritë e tyre shëruese për të cilat lajmëronin gazeta vendase dhe të huaja,  nuk ndërmerrte asgjë për përmirësimin e kushteve jo vetëm në afërsi të banjave por as në qytet.

Bukuritë natyrore dhe mundësia për zhvillimin e turizmit ishin të pakontestueshme, ndërsa nga ana tjetër interesimi për banjat e Ulqinit tashmë ishte i dukshëm. Të ndikuar nga dëshprimi i parë për investimet e Kibalçiçit dhe interesimi që po vazhdonte për banjat e Ulqinit, në dhjetor të vitit 1907, deputetet e popullit Pjetër Dobrec(i)oviqi dhe Zhivko Dragoviqi i drejtohen Kuvendit Popullor me një lutje me dy kërkesa: “1. Të porositet kushdo qoftë që të bëjë përshkrimin e bukurive të Ulqinit, banjava të tij, kushtëve klimatike etj. dhe të lutet piktori ynë i shquar Poçek, që për një shpërblim modest, të fotografojë vendet më të bukra të Ulqinit të cilat duhet t’i botojë në një libër të ilustruar, me të cilën do të njoftohet bota me Ulqinin dhe do të shërbente si reklamë për ne, 2. Të obligohe Qeveria e Principatës që të gjejë ndonjë sipërmarrës i cili do të rregullonte banjat dhe dhomat e zhveshjes në Ulqin me qëllim të tërheqjes së botës së pasur evropiane, të cilët kërkojnë shëndet dhe kënaqësi”. Më përpara Dobrecoviqi dhe Zhivkoviqi kishin bërë të ditur qëndrim e tyre në lidhje me mundësitë dhe rëndësinë e valorizimit të bukurive natyrore jo vetëm të Ulqinit por edhe të Malit të Zi. Qëndrimin e tyre e kishin shprehur kështu: “Edhe pse ne jemi mësuar që veten ta konsiderojmë të varfër, e po ashtu edhe atdheun tonë, mendojmë se kjo nuk është e drejtë, sepse vendi në të cilin banojnë afër 20 banorë në 1 km2 dhe i cili ka aq shumë pasuri natyrore, nuk mund të të jetë i varfër, natyrisht nëse pasuritë do t’i përdorim siç duhet”. Sa i përket Ulqinit dhe bukurive natyrore dhe mundësisë për valorizimin e tyre ato ishin shprehur: “ Një ndër pjesët më të bukura të vendit tonë, që pak kund mund të gjenden, është bregdeti ynë, e në këtë bregdet varoshi i Ulqinit dhe rrethina e tij, të cilët sa i përket bukurive natyrore dhe butësisë së klimës i tejkalojnë bukuritë e Nicës, Abacisë e vendeve të tjera të ngjajshme”.   Në kërkesën e tyre ndër të tjera thuhej: “Nuk është e nevojshme të tregojmë rëndësinë e domosdoshme dhe përfitimet që do të vijnë, prandaj mendojmë se Kuvendi Popullor me kënaqësi do ta aprovojë kërkesën tonë”.

Kuvendi Popullor e mori seriozisht këtë kërkesë dhe më datën 21 janar 1908, në mbledhjen e XXI të tij, pas një shqyrtimi të shkurtër vendosi: “ I rekomandohet qeverisë, që sipas mundësive, të përfundojnë (realizojë) kërkesën”. Vendimi zyrtarisht iu dërgua kryetarit të Kuvendit Popullor Lazar Tomanoviqit. Nuk dihet nëse Këshilli i Ministrave e ka marrë në konsideratë vendimin. Mirëpo edhe si në rastin e mëpëarshëm kërkesa e deputetëve ulqinakë mbeti në ad acta ( shkresa u protokolua në KM më 14 shkurt 1908 dhe mban shënimin: ad acta).         

  • Kërkesa e parë për ndërtimin e hotelit në Ulqin

Larja në det dhe shfrytëzimi i rërës së banjave të Ulqinit po bëhej traditë. Interesimi për banjat e Ulqinit sa vjen e shtohej, por shteti nuk ndërrmerte asgjë për krijimin e kushtëve për mysafirët që dëshironin të shfrytëzojnë detin, rërën dhe cilësit e tij sheruese. Mosinteresimi i shtetit për zhvillimin e Ulqinit ishte evident. Deputrei i Kuvendit Popullor Serdar S.Pllamenac, në letër dërguar Përfaqësisë së Popullit (Kuvendit), më 20 nëntor 1906, nr.protokolli 373, ndër të tjera theksonte: “… nga aneksimi e gjerë më sot, pothuajse nuk është bërë asgjë në asnjë drejtim që kishte me e përparua këtë pasuri, dhuratë e natyrës, së paku me e zbutë gjendjen e vështirë të popullsisë, përkundrazi, mund të thuhet se është punuar ashtu, më qëllim apo pa qëllim, që ky rajon sot është në gjendje më të keqe se në vitin 1880”. Pra kishin kaluar 26 vjet, ndërkaq në Ulqin nuk po punohej e ndërtohej asgjë për mirëqenien e popullsisë. Deputeti në fjalë pasi thekson se Qeveria përveçse e ka përshkruar gjendjen në Ulqin në një ngjyrë shumë të dobët  kundër asaj çka ekziston atje, në përfundim të letrës shkruan: “Çfarë mendojnë të bëjnë për të përparuar këtë vend të lanur mbrapa, sipas natyrës më i pasuri në vendin tonë, ku do mund të vendosen 2/3 e banorëve të Malit të Zi, i cili pa asnjë dyshim mund të jetë një ndër vendet më të bukura për banjat në detin Adriatik”. 

Çfarë duhet të kishte Ulqini për sigurimin e kushtëve për vizitorët dhe pushuesit, sidomos të huajt, kushte që tani më në Evropë janë bërë shprehi? Stevo P.Uskokoviqi, më 27 prill 1911, në kërkesën drejtuar Drektorisë së famshme të Komunës të qytetit të Ulqinit shprehet se duhet ndërtuar një hotel i cili për momentin do t’i plotësonte nevojat e vizitorëve dhe të pushuasve, pra turistëve. Ai kërkoi që komuna të lejojë të ndërtonte një hotel në shtëpinë e profesor Pupinit. Ai zotohet se do të ndërtojë kabinat dhe bufetë të cilat do të jenë të furnizuara me të gjitha që një vizitor dëshiron të ketë. Për të realizuar këtë investim Uskokoviqi kërkon nga komuna që ta lirojë nga taksat për lejen e punës për dy vjet dhe nga taksat komunale për 10 vjet.

Plani i depozituar i banjave

Një kërkesë të tillë për ndërtimin e banjave dhe një kafeneje në Ranë, më 11 maj 1911, komunës së Ulqinit ia kishte dërguar Shoqëria, e ngritur nga banorët e Ulqinit të përfaqësuar nga Petar Vuksanoviqi dhe Pero N.Shabani. Në kërkesën e tyre theksohej se u bashkuan për të themeluar një Shoqëri me qëllim që të ndihmojmë zbukurimin e Ulqinit, sepse ai është vend i atillë, nga natyra më mirë i zbukuruar, por i duhet dora e njeriut ashtu si njeriut i duhet buka. Nëse do të ndihmojmë Ulqinin  me të drejtë do ta quajmë Abicia serbe, sepse banjat e këtij qyteti janë të vetme në bregdetin malazez. Ky mendim na ka nxitur, theksojnë ata në kërkesë që “ të punojmë për të ngritur në tokën e komunës, pranë detit kabinat e nevojshmepër xhveshje,e pranë tyre edhe një barakët të cilën do ta furnizojmë sa më shumë që është e mundur për kënaqësinë e publikut”. Koncesionin e kërkuan për gjashtë vjet dhe kërkuan që të shfrytëzojnë lirisht parkun-livadhin e komunës dhe të lirohen nga taksat komunale.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                     

By admini