“Gjekë Sinishtaj kishte lindur në katundin Këshevë të Grudës. Kësheva ështe njëra prej trevave më historike të Malësisë së Madhe. Aty kanë lindur e vepruar disa familje heroike dhe fisnike. Ky fshat është pranë malit legjendar të Deçiqit,ku janë bërë gjithë ato luftëra dhe kryengritje për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Këtu kanë jetuar e vepruar shumë burra e gra të përmendura dhe në këtë mes shquhej Tringë Smajlja e Grudës e cila kohë më parë u nderua nga Kosova me portretin e saj në pullën postale,siç ishte nderuar edhe Nëna Tereze nga Shtetet e Bashkuara 5 vjet më parë me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Ky ishte nderi më i madhë që mund t’i bënte Kosova bijës së Malësisë së Madhe. Një nderim i tillë bën që portreti i saj të shihet çdo ditë nëpër vende të ndryshme të botës.
Pas shkollimit fillor dhe të mesëm Gjekë Sinishtaj ishte pranuar në njërin prej universiteteve më prestigjioze të Ballkanit atë të Beogradit në Fakultetin e Gjeodezisë. Atje i mbaroi studimet e inxhinierisë në kohë rekord. Kosova në atë kohë kishte mungesë të madhe të kuadrove të gjeodezisë dhe kërkonte me kembëngulje kalimin e Gjekë Sinishtaj nga Beogradi në Prishtinë. Ai e pranoi me gëzim ofertën shqiptare të Kosovës. Në fillim anagzhimi i tij ishte në nivelin komunal dhe më vonë u emërua Drejtor i Entit të Gjeodezisë pranë Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës. Qeveria e Kosovës i krijoi kushte të shkëlqyeshme për punë e jetesë,duke i dhënë banesë të mrekullueshme dhe veturë e shofer. Gjekë Sinishtaj ishte shumë i nderur dhe i privilegjuar në shoqërinë shqiptare të Kosovës. Sukseset e tij në Kosovë ishin rezultat i aftësisë së tij në fushën e inxhinierisë. Por suksesi dhe lumturia e tij nuk zgjatën shumë,sepse forcat shoviniste sërbe në pranverë të vitit 1989 e rrënuan me dhunë e gjak autonominë e Kosovës. Pas anullimit të autonomisë serbët filluan spastrimet e kuadrove shqiptare të specializuara. Natyrisht se forcat politike të Sllobodan Millosheviqit kishin kërkuar bashkëpunimin e Gjekë Sinishtaj,duke dhënë disa shpjegime e kushte të papranueshme për një shqiptar atdhetar. Serbët kishin për qëllim uzurpimin e pronave shqiptare,pasi që ky ishte drejtor i këtij dikasteri. Gjekë Sinishtaj nuk pranoi asnjë konditë të politikës serbe.Nuk bëri asnjë kompromis me armiqët e popullit shqiptar të Kosovës,duke dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat dhe privilegjet e tij. U largua nga puna njëherë e përgjithëmonë. Doli në rrugë të madhe,duke mos pranuar asnjëlloj bashkëpunimi me regjimin diktatorial të Sllobodan Milloshviqit.Revolta e tij ishte akt patriotik. Pavarësisht se kishte diplomën e Universitetit të Beogradit nuk kërkoi mëshirë në asnjë vend të Jugosllavisë,bile as në Podgoricë ku kishte mbaruar shkollën e mesme.
Në fillim të viteve 90,Gjeka zonja e tij, Pashka dhe tre fëmijtë–një djal e dy vajza–imigruan në Shtetet e Bashkuara. Filluan jetesën në Bronx në kushte shumë të vështira.Të gjithë malësorëve shqiptarë u vinte keq për Gjekë Sinishtaj,sidomos kur mendonin për kushtet e tij të mira në Prishtinë.
Disa nga këta miqë iu gjetën pranë,në këtë mes u shqua biznesmeni bujar Demë Balidemaj i cili e ndihmoi si të ishte vellai i tij. Në Debal Garden të Demë Balidemajt në Brooklyn e kam takuar Gjekën shumë herë. Aty kemi biseduar gjërsisht për të kaluarën e tij të sukseshme dhe të lumtur në Kosovë. Prsishtina i kishte mbetur në zemër. Fliste me shumë nostalgji e dhimbje për Kosovën e tij të dashur. Betimi i tij ishte: “Pasha atë kohë ”.
Por atë humbje të madhe e kompenzoi,duke edukuar djalin dhe dy vajza. Me ndihmmën e pakontestueshme të gruas së tij Pashkës,bijë fisnike nga Kelmendi,krijuan kushte të mira jetese. Fëmijët e tyre u edukuan në universitetet më të njohura të New Yorkut,bile njëra nga bijat e Gjekës kishte mbrojtur me sukses kohë më parë disertacionin e doktoratit (PHD).
Gjekë Sinishtaj u bë shëmbull i mirë për të gjithë. Ishte njeri shumë i qetë. Kishte dashuri të madhe për Malësinë sidomos për Këshevën e tij në Grudë. Kishte shkuar disa herë atje për vizita,bile herën e fundit ishte sëmurë rendë dhe siç duket ajo smundje i kishte i lënë pasoja që i shkaktoi vdekjen javën e kaluar.Vellai i tij Deda e priste me gëzim të madh,bile këtë ia kishte thënë edhe T.V BOIN.
Gjekë Sinishtaj bënte pjesë në elitën e malësorëve më të njohur dhe më të shkolluar në Kosovë,bënte pjesë në grupin e Gjelosh Gjokaj,Gjeto Lekës,Tomë Berishës,Vuksan Kalaj,Nol Berishës dhe të Anton Berishaj i cili vitin e kaluar ushtroi sukseshëm detyrën e Rektorit te Universitetit të Prishtinës.
Për vellazërinë Sinishtaj kisha degjuar qysh në fëmijeri dhe kisha njohur shumë burra të përmendur të kësaj vellazërie. Djemtë dhe bijat e Shtëpisë së Tomë Gjo’Shytit kishin talent edhe për arte të kulturës popullore.Ata kishin marrë pjesë në shumë festivale folklorike në ish Jugosllavi. Në Kaliforni e kisha takuar shume herë Nikollë Tomë Gjo’Shytin. Ky burrë i fisit të Grudës legjendare ishte shumë i nderuar në shoqërinë tonë. E kujtojë me shumë respekt edhe Shytin e Mark Tomës për sjelljet e tij fisnike ndaj familjarëve të mi në Kaliforni. Në fillim të imigrimit tim në Amerikë kisha dëgjuar shumë për Gjon Sinishtën,publicist dhe aktivist i njohur. Më 11 prill të vitit 1985 kisha marrë pjesë në San Francisko në përkujtimin e 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqiperi. Këtë konferencë dhe meshë perkujtimore në San Francisko e kishte organizuar Gjon Sinishta në bashkëpunim me Universitetin Katolik të atij qyteti. Në vitin 1987 “Zëri i Amerikës” më kishte dërguar në Kaliforni për disa kronika për shqiptaro-amerikanët e atij shteti. Më këtë rast kisha bërë një kronikë të veçantë për Gjon Sinishtën.Burrat dhe djemtë e kësaj vellazërie në diasporën malësore të Amerikës kanë qënë dhe janë shumë aktivë për çështje kombëtare she fetare. Kështu janë edhe ata në Malësi.
P.S. Këtë fjalim “pa letër” siç thonë malësorët e kisha programuar në kokën time për ta thënë atë ditë pranë varrit të Gjekë Sinishtaj, por sipas kërkesës së familjarëve,përgjegjës për atë ceremoni u detyrova ta shkurtoj,arsyetimi i tyre ishte se mund të lodhet populli. Nuk kishte folës tjetër perveçë Tom Palokës. Ishte “Memorial Day Weekend” dhe moti shumë i mirë. Elegjia ime ishte për ta nderuar e jo për t’u dukur. Nderimet e tilla janë në traditën tonë dhe të popujëve të qytetëruar. Kodi i mortit tek shqiptarët malësorë ishte shumë i rrteptë. Sot e kësaj dite e kujtoj gjëmën e vajtorëve në malet tona shqiptare.Gjekë Sinishtaj meritonte respektin e të gjithëve shqiptarëve,sepse ishte i ndershëm e atdhetar.Do ta kujtoj gjithëmonë me respekt. Pushoftë në paqë.