
KKSH reagon ndaj kërcënimeve ndaj Reisit të Bashkësisë Islame
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka reaguar publikisht pas zhvillimeve të fundit që pasuan incidentin ndërmjet disa qytetarëve malazezë dhe qytetarëve turq që jetojnë dhe punojnë në vend, si dhe pas kërcënimeve të drejtuara ndaj Reisit të Bashkësisë Islame, z. Rifat ef. Fejziq.
Në reagimin e bërë publik, KKSH shpreh shqetësimin e thellë për tensionet e krijuara dhe dënon ashpër gjuhën e urrejtjes, thirrjet raciste dhe çdo formë të intolerancës e dhunës.
“Jemi dëshmitarë të eskalimit të situatës në forma të papranueshme të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve, përfshirë ato ndaj Reisit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, z. Rifat Fejziq,” – thuhet ndër të tjera në kumtesë.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve thekson se këto akte cenojnë themelet e shtetit multietnik dhe prishin harmoninë ndërfetare, e cila përbën një nga vlerat themelore të shoqërisë malazeze.
Në deklaratë, KKSH u bën thirrje institucioneve kompetente të marrin masat e nevojshme ligjore për zbardhjen e rastit dhe për garantimin e rendit, sigurisë dhe të drejtave të çdo qytetari, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare.
Në fund të kumtesës, Këshilli riafirmon përkushtimin e tij ndaj bashkëjetesës, respektit dhe tolerancës, duke theksuar se vetëm përmes dialogut dhe sundimit të ligjit mund të ruhet paqja dhe të vazhdohet rruga drejt integrimit evropian.
Reagimi është nënshkruar nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika.
