Nga Gjekë Gjonaj
Edhe këtë vit ka pasur sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve në Mal të Zi. Sindikata e Medieve gjatë këtij viti ka regjistruar 13 sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve, gjë që tregon një tendencë rënëse të numrit të sulmeve në krahasim me vitin e kaluar, kur u regjistruan 28 raste. Vërehen përpjekjet e kompetentëve dhe të gjithë akterëve të tjerë të sektorit të medias për përmirësimin e pozitës së gazetarëve , por duhet të heqim dorë nga fjalët e mëdha dhe të punojmë më shumë në mënyrë që më në fund të rinjtë të mos e shikojnë me përçmim profesionin e gazetarit. “Edhe pse ka një progres të dukshëm në punën e institucioneve , kur flitet për reagimin ndaj kërcënimeve të reja që kanë ndodhur në dy vitet e fundit, në rastet e vjetra, të paktën duke u nisur nga ajo që dihet për opinionin, ende nuk ka progres. Kujtojmë se rasti i vrasjes së Dushko Jovanoviqit në vitin 2004, është një nga vrasjet më të vjetra të pazbardhura të gazetarëve në Evropë. Tani për tani i vetmi i dënuar për bashkëpunim Damir Mandiq është duke vuajtur dënimin me 19 vite burg, ndërsa ende nuk dihet porositësi dhe motivi. Ka pasur njoftime të ndryshme se ka progres në rastin, por opinioni nuk ka marrë asnjë konfirmim. Po ashtu, rasti i tentativës së vrasjes së Olivera Llakiqit nga viti 2018 është ende në proces e sipër, pa asnjë veprim konkret tash e gjashtë vjet”, njoftoi Sindikata e Medias dhe i ftoi punonjësit e medias që të raportojnë çdo kërcënim apo sulm.
Ministrja për Kulturë dhe Media, Tamara Vujoviq, me rastin e 2 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të luftës kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve, ka thënë se reagimi i shpejtë dhe efikas i organeve kompetente është jashtëzakonisht i rëndësishëm në të gjitha rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe me ndëshkimin e autorëve të atyre veprave dërgohet mesazhi se sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave janë të papranueshme. “Rastet e pazgjidhura të sulmeve ndaj gazetarëve dhe pronës së mediave hedhin një hije të madhe mbi lirinë e medias në Mal të Zi, prandaj si ministre do të angazhohem me këmbëngulje në monitorimin e punës së autoriteteve kompetente në procedimin e atyre rasteve”, theksoi Vujoviq .
Për kërcënimet dhe presionet e gazetarëve ka reaguar edhe Qendra për Arsimim Qytetar , e cila vuri në dukje rëndësinë e krijimit të një mjedisi më të sigurt për punën e të gjithë gazetarëve në Mal të Zi. “Strukturat politike në pushtet duhet të përmbahen nga përpjekjet për të kontrolluar dhe influencuar punën e gazetarëve dhe mediave, ndërsa institucionet kompetente janë të obliguara që të ofrojnë kushte elementare për punën e punonjësve të medias, duke përfshirë mbrojtjen e sigurisë së tyre”, nënvizoi Qendra për Arsimim Qytetar . Siç thanë ata, rasti ende i pazbardhur i vrasjes së Dushko Jovanoviqit është përkujtues për të gjithë se sa kemi përparuar si shtet në këtë drejtim.
Ndonëse numri i kërcënimeve dhe sulmeve në vitin 2023 ka qenë gati dyfish më i vogël se në vitin 2022 çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Për këtë duhet të insistohet zbatimi i të gjitha masave dhe veprimeve që garantojnë lirinë e medias. Është detyrë e vazhdueshme e pushtetit që të hetojë dhe dënojë ata që kërcënojnë gazetarët në Mal të Zi dhe të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në një mjedis të sigurt, me kushte të qëndrueshme ekonomike të punës dhe status ligjor. Policia dhe Prokuroria pritet të veprojnë më shpejtë se deri më tani, sepse veprimet e tyre të ngadalta ose mosveprimet e tyre fare e rrezikojnë dhe e vështirësojnë klimën e gazetarëve. Po ashtu duhet theksuar se kemi një mungesë transparence të institucioneve qeveritare, ndonëse kryeministrat e mëparshëm vazhdimisht kanë thënë se është rritur transparenca. Nga ana tjetër gazetarët duhet të kryejnë punën e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm , duke respektuar gjithmonë Kodin e gazetarisë dhe të drejtat e të gjithë njerëzve për të cilët shkruajnë.