Dilemat tona
Dukuria e publikimit të konkurseve dhe shpalljeve me adresa të gabuara nga ana e subjektëve përkatëse në Ulqin është irrituese për qytetarët, ndërsa mos reagimi nga ana e pushtetit lokal nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse ata janë të obliguar të mbrojnë ligjshmërinë jo vetëm për këtë çështje
Nga Nail Draga
Në sajë të gazetës Pobjeda qytetarët kanë mundësi të njihen me konkurset apo shpalljet për vendet e lira të punës. Por, me këtë rast do të trajtojmë një dukuri e cila ka vite qe është e pranishme në Ulqin, e ajo ka të bëjë me shënimin e gabuar te adresave, nga ana e subjektëve përkatëse. Kemi të bëjmë me një dukuri e cila ka marrë përmasa të mosrespektimit të emërtimeve te rrugëve në Ulqin. Veprimi i tillë thënë më së buti dëshmon injorimin e emërtimeve të cilat janë miratuar nga Kuvendi i Ulqinit me 20.7.2015, të cilat janë të obligueshme për të gjithë ne komunën e Ulqinit.
Nuk respektohen adresat
Kohë më parë konkursi i shpallur nga Shkolla e Mesme “Vëllazërim-Bashkim”, si emër adrese ka vendosur rrugën “26 Nëntori”, qe nuk përkon me realitetin, sepse një emërtim të tillë kjo rrugë nuk e ka pasur asnjëherë, ndërsa nga viti 2002, e ka pasur “Vëllëzërit Frashëri”, ndërsa nga viti 2015 e ka “Sami Frashëri”, qe duhet të shënohet në adresën e institucionit shkollor. Me këtë emër duhet të shënohet edhe adresa e “Parking servisit”, e jo si deri më tash “Nënë Tereza”.
Shtëpia e shëndetit “Bogdan Vujoshqeviq”, emrin e rrugës në adresën e tyre e ka shënuar “Boshko Strugar”, që është gabim, se rruga quhet “Nënë Tereza”, e si e tillë duhet të shënohet.
IP SHF”Boshko Strugar”, për adresë shkruan emrin “Budo Tomoviq”, që është gabim se nga viti 2015, emri i rrugës është “Edit Durham”, dhe si i tillë duhet të shënohet.
IPSHF”Marshall Tito”, në adresën e publikuar ka shënuar “Marshall Tito” pn, që është gabim se duhet të shënohet rruga “Sami Frashëri”.
Po ashtu me këtë rast cekim IPP”Solidariteti”, ku për adresë të rrugës shënon emrin “Qazim Resulbegoviq” qe nuk është e vërtetë, sepse ai emërtim është në një vend tjetër, ndërsa nga viti 2015 kjo rrugë quhet “Dul Shurdha”.
Dhe se fundit nga një virus i tillë përjashtim nuk bën as Komuna e Ulqinit, sepse në sajë të konkursit të shpallur në Pobjeda nga ana e Sekretariatit të qeverisjës lokale, si adresë shënohet Bul.M.Tito, qe nuk është e vërtetë, sepse nga viti 2002, ky bulevard quhet Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Irritimi i qytetarëve
Rastet e shënuara më lartë janë të mjaftueshme për të kuptuar se kemi të bëjmë me pasaktësi të shënimit të adresave të cilat dëshmojnë mos zbatimin e vendimit të Kuvendit të Ulqinit. Por, përseritja e adresave të gabuara në vazhdimësi siç kemi pasur rast ti shohim nga gazeta Pobjeda, nuk mund ta cilësojmë si rastësi apo pakujdësi të drejtuesëve të subjekteve përkatëse. Por, pse është vepruar në këtë mënyrë nuk mund të paragjykojmë, por veprimi i tillë është iritues, sepse nuk respektohet vendimi i pushtetit lokal të Ulqinit.
Përgjegjësia e sekretariatit për veprimtari komunale
Sipas praktikës se mëparshme për këtë çështje përgjegjës ka qenë Sekretariati për veprimtari komunale, ku mendoj se i tillë është edhe tani. Andaj mos angazhimi konkret në realizimin e obligimeve për vendosjen e tabelave me emërtimet e ligjshme në rrugët përkatëse është përgjegjësi e tyre. Por, duhet cekur se ka paur raste qe tabelat e vendosura nga individ të papërgjegjshëm me qellim i kanë hequr(!) por nuk janë vendosur përseri aty siç është rasti me rrugët me emrat:Arnold Won Harfi, Pavle Mijoviq, Radovan Zogoviq, Sabataj Cevi dhe Dinko Franetoviq. Në këtë aspekt përjashtim bën rruga Qazim Resulbegoviq e cila është nga kisha në drejtim të Limanit, ku ndonëse është hequr disa herë, ajo është vendosur përseri aty.
Ende ka rrugë pa tabela
Me këtë rast duhet thënë se nga ana e Sekretariatit përkatës ka ende rrugë pa iu vendosur tabelat me emërtime(!?), sikurse është ajo me emrin Simon Filipaj, Ali Podrimja, Dul Shurdha dhe Antonio Baldacci. Një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse nga viti 2015 kanë kaluar 8 vite, e ato kanë heshtur(!). Pse kanë vepruar në këtë mënyrë nga pakujdesia apo të ndonjë (vet)presioni mbetet të spekulohet apo të paragjykohet për ata të cilët e kanë pasur obligim të punës në këtë sekretariat.
Miratimi i regjistrit të emërtimeve të rrugëve dhe shesheve për komunën e Ulqinit nga ana e Komisionit nga Ministria e kulturës së Malit të Zi, nuk nuk ka qenë çështje e lehtë. Në takimin e mbajtur në Podgoricë, pëveç autorit të këtij shkrimi, në cilësinë e kryetarit të Komisionit komunal për emërtimin e rrugëve e shesheve, kanë qenë edhe F.Haxhibeti, kryetar i Kuvendit dhe Gj.Pepgjoni nga shërbimi i Kuvendit të Ulqinit. Pas një debati konstruktiv u pranuan propozimet tona përveç emërtimit të rrugës “Viktimat e komunizmit”(!). Ndërsa në mbledhjen e mbajtur me 20.7.2015 Kuvendi i Ulqinit e ka miratuar regjistrin e emërtimit të rrugëve që duhet të respektohet nga të gjithë pavarësisht se cili subjekt apo koalicion politik formon shumicën në qeverisjen lokale.
Foto ilustruese nga gazeta Pobjeda
Pa reagime nga komuna
Ndonëse këto çështje janë publike në lidhje me këtë çështje deri më tash nuk kemi pasur ndonjë reagim nga komuna e Ulqinit. Nuk mund të besohet se nga udhëheqja e komunës dhe të punësuarit në qeverisjen lokale nuk e kanë hetuar një dukuri të tillë, por mos reagimi ndaj kësaj dukurie nuk mund të arsyetohet. sepse një veprim i tillë nuk është ndërhyrje në punët e institucioneve por i obligon ata të respektojnë ligjshmërinë e vendimeve komunale.
Pasi nga viti 2015, janë ndërruar disa kryetar komune, dhe stafi i tyre, nuk ka dilemë se përgjegjësia për këtë çështje bie mbi ta.Hiç ma pak përgjegjësi nuk kanë as këshilltarët e tyre, të cilët është dashur ta përkujtojnë kryetarin për obligimin ligjor e jo të heshtin. Por, nëse nuk kemi reagim nga zyrtarët komunal, nuk mund të amnistohen as të punësuarit aty, por siç duket iu mungon guximi për reagimin qytetar, qe të kujton kohën e monizmit.
Pavarësisht se disa subjekte nuk janë në ingerenca të pushtetit lokal, shënimi i adresave sipas emërtimeve të miratuara nga Kuvendi, është obligim ligjor për të gjithë. Sepse nuk kemi të bëjmë me çështje private apo personale por e të gjithë qytetarëve. Qytetarët duhet të nderohen sepse zyrtarët në qeverisjen lokale duhet ta kuptojnë se aty janë me votat e tyre dhe në shërbim të tyre, e jo e kundërta, se asnjë pushtet nuk është i përhershëm, ndërsa do të mbesin në kujtesë ata të cilët kanë kryer detyrimet me përgjegjësi morale e profesionale, në respektim të vendimeve dhe ligjshmërisë në nivelin lokal dhe ate shtetëror.
(21 shtator 2023)