Kroni Vuklit

Nga Gjekë Gjonaj       

Mali i Trieshit, sikur  të gjitha trevat e tjera të Malësisë së Madhe,  njihet edhe për krojet që u ndërtuan këtu gjatë shekujve. Për moshat e vjetra kroi kryesor  në fshatin Bisaq ( Budzë)  ka qenë  Kroi i Vuklit, i cili ndodhet  afro 1.500 metra larg nga qendra e  këtij vendbanimi  të vogël, por të lashtë  trieshjanësh ( malësorë), ku me shekuj kanë jetuar e mbijetuar   vëllazëritë Prenkoçaj, Dedivanaj dhe Dukaj. Kjo vepër  hidrike shekullore   dëshmon kujdesin e treguar nga vëllazëria Prenkoçaj, ndërtuar me vëmendje e mjeshtëri .  Përmasat  e tij  janë përafërsisht  4 x 4 x 4  metra, që nënkupton një vëllim prej afro 64  metër kubë.

Lashtësia e ndërtimit

Në mungesë të hulumtimeve  shkencore, burimeve  historike dhe  turistike  nuk mund të themi  me saktësi se kur është ndërtuar  Kroi i Vuklit. Nga  kujtesa e hershme e trieshjanëve   mësojmë se ky krua ka një zanafillë të lashtë shekullore. Bashkëvendësi ynë, Rrok Prenkoçaj na  tregoi se për vjetërsinë e  këtij kroi mungojnë të dhënat, mirëpo  bazuar në   gojëdhëna dhe kujtesën e  banorëve të këtij fshati ky krua është ndërtuar me gurë para disa shekujsh nga vëllazëria Prënkoçaj. Është ndërtuar për nevojat e  banorëve të fshatit, dhe gjatë gjithë ditës  është përdorur edhe për nevojat e  fshatarëve të tjerë  përreth. Që nga koha e ndërtimit, ky krua  ka pasur disa intervenime ( riparime e pastrime)  të vogla. Rikonstruksioni  i fundit, siç tregon Prenkoçaj, është bërë në vitin 1887 nga banorët vendas. Grykën e tij e zbukurojnë katër gurë të punuar  bukur mbi sipërfaqen e tokës. Në afërsi të kroit gjendet edhe lugu i ndërtuar   prej guri  për ujitjen e  bagëtive.            

Dy variantet e emërimit 

Nga bashkëbiseduesi ynë Rrok Prënkoçaj   mësojmë për dy variantet e ndërtimit të Kroit të Vuklit.  Varianti i parë tregon se  ky krua   e ka marrë emrin  sipas Vukal Pjetrit Prenkoçaj, i cili ka jetuar plotë 116 vjet. Sipas  Prënkoçajt  varianti i dytë më pak i besueshëm  është se ky  krua   e ka marrë emrin sipas fshatit  Vukël ( Kelmend), banorët e të cilit kishin  ardhur  në Bisaq  te dajatë në Prënkoçaj disa dekada më vonë se banorët vendas, ku kanë qëndruar disa  vite.  Kroi i Vuklit, cilido  variantë qoftë i vërtetë , ka qenë  jo vetëm një burim uji , por edhe vet jeta e banorëve të këtushëm.

Uji  prej më të mirëve në Triesh

Kroi i Vuklit ka  ujin e pijshëm shumë të mirë, e kjo është konstatuar edhe me analiza laboratorike. Burimin, siç pohojnë vendasit ,  e ka nga Maja e Pi ( mbi)  Kronit,  këndej Qeut të Stolazit, i cili derdhet teposhtë  në formë  sheu  ( përroi  nëntokësor).  Pra, është ujë nëntokësor  i pastër, i kthjellët dhe e ftohtë si akull. Si i tillë    uji i këtij kroi është vlerësuar ndër më të mirët në Triesh.  Këtë e konfirmojnë jo vetëm banorët vendas  që e kanë shfrytëzuar këtë ujë për pije, por edhe shumë udhëtarë  që kanë  kaluar atypari  dhe  janë freskuar  me këtë ujë.

Veçantia e  kroit

Uji i  këtij kroi rrjedh  vazhdimisht pandërprerë.  Sasia e tij varet nga të reshurat e shiut. Gjatë stinës së vjeshtës, kur edhe të reshurat e shiut janë me intensitet më të lartë, kroi, siç pohojnë vendasit,  mbushet  për  pak orë. Madje, në rast reshjesh të vrullshme uji i tij del nga shtrati dhe  shkakton  përmbytje. Ky tipar dallues  e bën këtë krua të veçantë për dallim nga krojet e shumta që ndodhen në Triesh.

Gjendja aktuale

Edhe pse kanë kaluar shumë vite  nga ndërtimi i tij,  ai edhe sot është funksional dhe  nuk mbahet mend  të ketë shteruar ndonjëherë.  Prej asaj kohë e deri në ditët e sotme  ky krua, i cili i mbijetoi mileniumet,  ruan pamjen e tij  të pandryshuar.  Vendasit e paktë që kanë mbetur në këtë fshat  prej vetëm tri familjesh, sikurse edhe të tjerët  kudo që  ndodhen, ruajnë kujtime të bukura dhe kanë nostalgji për  këtë krua, ku shuheshin dy etje: etja për të pirë  ujë e ujitur bagëtinë, dhe etja për t’u takuar njëri-me tjetrin, miku me mikun, shoku me shokun, kalimtari i rastit me  kalimtarin e rastit, mysafiri me mysafirin…

Nevoja e rinovimit

Çdo krua i vjetër kur kalon një periudhë e caktuar kohore ka nevojë për rinovim ose thënë ndryshe për restaurim që do të thotë nëse ndodhin prishje të një pjese të caktuar ka nevojë që të rregullohet. Rinovimi i këtij kroi, sikurse edhe i të gjithë krojeve të tjera  publike në këtë  krahinë shqiptare, është nevojë e kohës për shumë arsye. 

 

By admini