Tahir Kanaqi

TAHIR KANAQI PERSONALITET I SHQUAR I KRAJËS,
Botuar në Buzuku, revistë e themeluar nga Simë Dobreci

Nga Ali Gjeçbritaj

Tahir KanaqiSheh hafez Tahir Kanaqi lindi më 1908 në Ostros të Vogël dhe ndërroi jetë në vitin 1985. Këtë njeri human, klerik, udhëheqës, administrator dhe përhapës të ideve përparimtare dhe iluministe kurrë nuk do ta heqin nga mendja dhe zemra e tyre jo vetëm kranjanët por dhe shumë të tjerë.

Tahiri me sukses kryen shkollat e kohës në Tiranë e Shkodër. Që në rininë e hershme shihej qartë se idetë e tija përparimtare e iluministe do të dalin në pahë më vonë. Ai gjithmonë ishte në rrjedhat e kohës. Si klerik shërbeu në xhamitë e Arbneshit, Qyrjanit si dhe në Xhaminë e Re në Ostros të Vogël. Ishte i njohur si dervish rrufai dhe Sheh – prijës i këtij tarikati. Punoi edhe si administrator në disa qytete të Shqipërisë, në Tiranë, Korçë, kryenëpunës në Burel të Matit, Durrës, pastaj në prefekturën e Shkodrës e më vonë në Krajë.

Për veprën dhe punën e këtij humanisti e patrioti kanë shkruar mr. Ismail Doda, dramaturgu Fadil Kraja dhe Syla Mustafiqi. Tahiri ishte gjithëmonë për një emancipim të përgjithshëm shqëror. Ai shprehej: Me atë njeri që s’ka as shkollë, as mejtep, bije n’gazep, me i folë mirë ai bishta qet. Tahiri kurrë nuk i dallonte njerëzit sipas përkatësisë fetare, nacionale apo raciale. Ai shpesh në biseda shprehej: Të gjitha fetë në këtë botë janë si lulet e një kopshti. Ose siç thonte para besimtarëve në faltore: Secila fe është dritë në terrin e mosditurisë dhe secila ndihmon njëlloj në errësirë çfarëdo ngjyre qoftë ajo. Të gjitha fetë janë lule të të njëjtit livadh. Tahiri ishte pishtar i arsimit dhe i edukimit.

Mauzoleu i Tahir Kanaqit

Besimtarëve, miqëve, shokëve, vendasëve dhe në momentet më tronditëse në shoqëri, gjysëm në besë u fliste për personalitete e figura historike kombëtare. Më 1929, kur në Krajë nuk i dëgjohej zëri i shqipes së shkruar, ai solli nga Shqipëria një abetare, ndoshta të parën në Krajë. Ajo u prit shumë mirë dhe prej sajë shumë kranjanë filluan të mësojnë shkrim-lexim shqip, por shpejt ra në vesh të xhandarmarisë dhe për pak patrioti Tahir pësoi dënimin. Me arsimin e popullatës u muar përmes kurseve për zhdukjen e analfabetizmit, më pastaj dhe në mejtep, ku krahas mësimit të fesë jepte dhe orë të kulturës dhe gjuhës shqipe. Kultura dhe gjuha amtare ishin në vend të parë për këtë patriot. Nuk pranoi të bëhej drejtor i shkollës edhe pse iu ofrua një post i tillë nga strukturat politiko-shoqërore të kohës, të cilat me mish e me shpirt bënin përpjekje që shkolla në Krajë të jetë në gjuhën sllave e jo shqipe. Shëmbëlltyra e këtij njeriu human, iman, sheh e patriot asnjëherë nuk do të zbehet nga kujtesa njerëzore. Jetën dhe veprën e këtij humanisti e patrioti e karakterizuan cilësitë dhe vyrtytet më të ndritura njerëzore.

VIDEO

Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini