Në hotelin Otrant, me inicjativë të Organizatës Turistike të Ulqinit, është organizuar takimi ndërmjet afaristëve turistik të qytetit, udhëheqësisë së Komunës, dhe ndërmarrjes sh.p.k. “Veprimtaritë Komunale”.
Me afaristët biseduan kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, sekretari i Sekretariatit për Buxhet dhe Financa, Arian Murati, si dhe drejtori i ndërmarrjes sh.p.k. “Veprimtaritë Komunale” Senad Kollari.
Qëllimi i takimit ishte që të bëhetnjë analizë e hollësishme e sezonit turistik, përmledhje e punës dhe veprimit të aktorëve kryesorë turistik të qytetit të Ulqinit, si dhe së bashku të fillohet sa më parë me përgatitjet për sezonin e ardhshëm.
Kryetari Bajraktari i njoftoi të pranishmit për punën e udhëheqësisë së Komunës, projektet e planifikuara në infrastrukturë dhe projekte të tjera në fushën e turizmit, masat stimuluese që janë planifikuar për përmirësimin e kushteve për të punuar në turizëm, ndryshimet e nevojshme në legjislacion dhe problemet e konstatuara që duhet të zgjidhen, si dhe tema të tjera me rëndësi për zhvillimin e turizmit të Ulqinit. Kryetari Bajraktari tha se takimet e këtij lloji ndërmjet institucioneve dhe afaristëve (G2B) duhet të organizohen sa më shpesh, sepse vetëm kështu udhëheqësia e Komunës mund të marrë inpute dhe informacione cilësore për punëne vetë dhe planifikimin e politikave zhvillimore. Ai i dëgjoi me vëmendje afaristët e pranishëm, i regjistroi komentet, sugjerimet, propozimet dhe idetë e tyre dhe premtoi se Komuna e Ulqinit do të jetë shërbim për afaristët dhe qytetarët në kuptimin e plotë të fjalës.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit foli për aktivitetet që janë planifikuar të realizohen deri në fund të këtij viti si dhe gjatë vitit 2023, duke përfshirë promovimin më intensiv përmes marketingut dixhital dhe rrjeteve sociale, aplikacionin online për regjistrimin e mysafirëve, organizimin e vizitave studimore për gazetarë dhe operatorë turistikë, prodhimi i materialeve promovuese, organizimi i manifestimeve, shënimi i shtigjeve për këmbësorë dhe promovimi i turizmit rural, përfundimi i punimeve në vrojtoret në Valdanos dhe Shtegvash, si dhe aktivitete të tjera të rëndësishme për përmirësimin dhe avancim të ofertës turistike në Ulqin.
Pjesëmarrësit e takimit ranë dakord që fokusi në periudhën e ardhshme duhet të jetë në promovimin dhe edukimin më të mirë të qytetarëve lidhur me detyrimin ligjor për regjistrimin e mysafirëve dhe vjeljen e taksës së banimit, bashkëpunimi më intensiv me inspekcionet, zgjidhjen e problemit të zhurmës së tepërt dhe bllokimeve të komunikacionit, furnizim më të mirë me ujë, etj.