Presidenti Meta nderon Patër Andrea Gjekaj, pas vdekjes, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit“

Nga Gjekë Gjonaj

Në vazhdën e nderimeve Presidenti i Republikës  së Shqipërisë, Ilir Meta   ka vlerësuar pas vdekjes  edhe martirin e kishës dhe të kombit, Patër Andre Gjekaj me titullin e lartë “ Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, për vlerat e tij të jashtëzakonshme  kombëtare dhe fetare, i  cili jetoi për të mirën e kombit tonë dhe të kishës, të cilës ia ka kushtuar dhe dhuruar jetën e tij. 

“ Në vlerësim të kontributit të dhënë për lidhjet e tij  me arbëreshët e Italisë, ndihmën për krijimin e shoqatës “ Flamuri” në Triesh të Malësisë 1906, përkushtimin ndaj fesë si dhe shërbimin ndaj malësorëve të Tuzit fdhe më gjerë”, thuhet në dekoratën e nënshkruar nga presidenti Meta.

Në emër të   familjarëve të këtij  meshtari françeskan të Malësisë    dekoratën e mori  më 11 korrik 2022 në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës stërnipi i tij Nikollë Dedë Gjurashaj.  Ky vlerësim për Patër Andrenë,  me rastin e 110-vjetorit të vrasjes së tij nga  ushtarët turq,   ka një simbolikë mishëruese, sepse përkon  me  110-vjetorin e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë dhe shpalljes së   Pavarësisë së Shqipërisë .

Patër Andrea Gjekaj ( Lul Vuksani Gjurashaj) , ishte bir  i familjes së mirënjohur  nga shtëpia e Mal Vuksanit  nga fshati Nikmarash  në Triesh – Malësi e Madhe.  Për këtë  meshtar françeskan   nuk kemi dokument zyrtar i cili dëshmon datën e saktë të lindjes. Por, mendohet se  erdhi në këtë jetë  si një dhuratë e Atit tonë qiellor  rreth viteve  1874,  nga babai Vuksan dhe  nëna Mirja, nga një familje   me vlera të trashëguara kombëtare, e cila që në kohën e Perandorisë Osmane  kishte dëshmuar   përkatësinë e tyre   fetare dhe kombëtare, të cilët   ruajtën  brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.

Atdhedashuria, edukimi i shëndosh familjar  (edhe me rruzare të përditshme në dorë)  madje  nga rrethi ku jetonte me një traditë të lashtë  e nxitën  Lulin e ri  të dëgjonte zërin e Zotit , thirrjen e tij të meshtarisë,  për  t’u bërë meshtar.  Dhe kështu edhe ndodhi!  Qëndrimi i tij ishte tejet i guximshëm dhe mjaft i vendosur profetik “ për hir të Zotit jam katolik, siç ishin edhe etërit tanë”.  Me sa dihet përfundoi shkollën e mesme  për meshtari në Zadër  të Kroacisë , që gjithnjë i kishte në kujtime të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe përshpirteni të çiltër. Në saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i mundësohet vazhdimi i shkollimit të mëtutjeshëm në Fakultetin  Filologjik dhe Teologjik në Romë – Itali   të cilin e përfundon me sukses,  në  vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë të njohur nga bota shqiptare.  Si meshtar i ri me përgatitje të lartë shkollore  dhe me kulturë të jashtëzakonshme evropiane  filloi  detyrën misionare të  përcjelljes së   fjalës së Zotit   tek besimtarët katolikë shqiptarë.  Kthimi i tij në Triesh, në një vend të vogël kufitar  nën pushtetin malazez,  pranë kufirit të sotëm me shtetin amë – Shqipërinë,  ekonomikisht të varfër dhe  me arsimim të ulët  ishte në vetvete një gëzim i madh për të gjithë  popullatën vendore.  Sepse ishte  njeriu më i ditur që kishte  Trieshi  dhe njëri  ndër  njerëzit më të kulturuar që kishte asokohe Malësia.  Prandaj   trieshjanët  kishin nevojë  për  këshillat dhe predikimet e tij të mrekullueshme fetare, në zbatimin e virtyteve të krishtera,  fesë,  shpresës dhe dashurisë, bamirësisë, punës së zellshme  gjatë ditës, ndërsa urata gjatë natës.

Ardhja e tij në Triesh, si meshtari i parë i kësaj pjese të Malësisë së Madhe,    tingëlloi fort edhe  për të zgjuar zemrat dhe mendjet e popullatës vendore  nëpërmjet predikimeve fetare, për ruajtjen e anës fetare dhe kombëtare, ruajten e gjuhës, traditës, kulturës dhe shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen në këtë emërtim.  Kështu  frati   i ri u bë i dashur  dhe njeri i çmuar dhe i nderuar  në Triesh  dhe në rrethinë aq sa zëri i  mirë i trieshjanëve  dhe fama  përhapej dhe rritej  dita-ditës. Ishte me jetë dhe me shembull vërtet i krishterë, nxënës i Krishtit.

Popullata vendore, me vëmendje dhe interesim të madh,  ndiqnin   meshat e tij dhe e admironin  fratin e tyre të ditur për vlerat e mëdha kulturore e shpirtërore Patër Andrea  për të përçuar dhe  rritur atdhedashurinë  tek trieshjanët  në fillimet e shekullit  njëzet në Triesh  themelon  Shoqërinë “ Flamuri”, kryetar i parë i së cilës  u zgjodh Prëlë Lucë Hasi. Ky burrë patriot bashkë me  trieshjanët e tjerë atdhetarë   ngriti flamurin shqiptar në fshatin  Nikmarash, në vitin 1906 , duke i paraprirë  kështu  ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitin 1911.

Dokumentet kishtare  të  Kishës së Ljares të cilat i zbuloi   patër  Mirash Marinaj, famullitar i  famullisë së sotme të  Tuzit,   tregojnë dhe dëshmojnë së Patër Andrea  ka shërbyer  një kohë të gjatë, prej tetë  vitesh ( (1904-1912)   në famullinë e Ljares në Krajë  dhe  famulli të tjera të Argjipeshkvisë së Tivarit, mes të cilave edhe    në Kishën e  Shën Pjetrit  në fshatin   Salç  të Ulqinit. Poashtu ka shërbyer si meshtar edhe në Shkodër.

Bazuar në  dokumentacionin që  disponuam dhe në kronikat e kohës Patër Andrenë  e  vranë të pafajshëm ushtarët turq,  në Shkodër  në vitin 1912, në misionin e meshtarit, e jo të luftëtarit, kur ishte 38 vjeçar. Arma e vetme që kishte në dorë ishte Kryqi   me të cilin   qëndroi me vullnetin e tij të palëkundur  dhe vendimin e tij të guximshëm bashkë me besimtarët e vet në fushën e betejës për të çliruar  Shkodrën  nga  turqit.   Nuk kishte për qëllim të luftonte me armë, por në rast vdekje t’u jepte    besimtarëve sakramendet. Me këtë  Patër Andrea  dëshmoi se nuk  deshi t’i nënshtrohet regjimit, por Krishtit, nuk deshi të njohë  pushtues  as pushtetarë tokësorë përveç Zotit në qiell dhe mbretërinë e  tij qiellore. Flijoi jetën për Krishtin, duke i shërbyer popullit. Si shumë  klerikë ( fretër)  të tjerë shqiptarë para dhe pas tij

Nga të dhënat e  hulumtuara deri më tani  rezulton se  Patër Andrea  u varros në Kukël, fshat i  vogël në afërsi të  Bushatit, jo larg Lezhës, ku shërbesat i mbajti  famullitari dhe poeti i madh i letrave shqipe  Ndre Mjeda, me të cilin ai bashkëpunoi, sikurse  edhe me  Atë Gjergj Fishtën dhe me  Patër Anton Harapin.   Më vonë, siç thonë, disa  të afërm  të tij  e rivarrosin  në mënyrë të denjë në oborrin e  Kishës në  Pulaj (Velipojë), në afërsi të Shkodrës, duke besuar e shpresuar se  pikërisht atje   pushojnë  eshtrat e tij. 

By admini