Kositja në kohë të vjetra në malin e Trieshit

Kosë dore

Nga Gjekë Gjonaj

Jeta në malin e Trieshit, sikur në trevat e tjera të Malësisë, ka qenë shumë e vështirë për shkak të konfiguracionit kodrinor. Një nga aktivitetet më të rëndësishme në këtë vendbanim malor-kodrinor ka qenë gjithmonë kositja, për arsye se bari i kositur është një ushqim i vlefshëm për tagjisjen dimërore. Kositja është një nga punët më të vështira në terren që kryhet ekskluzivisht nga burrat. Por, unë mbaj mend në Trieshin e Poshtëm vetëm një kositëse femër, Katrinën e Mark Gjeloshit. Ndoshta mund të ketë pasur edhe femra të tjera kositëse në Triesh, për të cilat unë nuk kam dijeni. E rëndësishme është se kositja në kohë të vjetra është bërë me dy vegla pune të pazëvendësueshme për kohën e kaluar, kosë dore dhe drapër.

Mjetet për mprehjen e kosës

Kositja me kosë dore

Kosa është një mjet metali me një bisht druri i cili përdoret për punë bujqësore për të prerë barin në livadhe , fusha , kullosa dhe drithëra nëpër ara. Thika është një teh i gjatë i bërë prej çeliku i lakuar drejt fundit. Gjatësia e saj është kryesisht prej 50 deri në 90 centimetër. Bishtaleci i saj , është një trung bredh i tharë në lartësi prej afro 2 metër i punuar me dorë me dy doreza. Ai përveç dorezave ka edhe elemente tjera përbërëse për fiksimin e saj. Në fundin e bishtit të kosës ( thikës) ndodhet pyka. Kjo pajisje druri e thatë shërben për bashkimin e një tehu në një varg . Ajo e forcon dhe e fikson kosën me bishtin. Është e rëndësishme që fiksimi të jetë i besueshëm , sepse siguria varet prej tij. Element tjetër i fiksimit të kosës së dorës janë unazat, të cilat përdoren në lidhje me një pykë. Kosëtari mbante me vete çantën ku përgatiste mprehëset , kudhrën dhe një çekiç, sikurse edhe një enë të vogël prej metali ose druri . Ajo vihej rreth belit e mbushur me ujë të pastër dhe me pak bar të njomë në të, ku ishte e futur griha ( gurë natyral mprehës). Mprehja e kosës kërkonte mjeshtri të veçantë dhe këtë punë e bënin mirë vetëm kosëtarët e vjetër me shumë përvojë, ndërsa të rinjtë shumë pak. Kosëtarët e kontrollonin me gishtin e madh të dorës nëse tehu i kosës së tyre është mjaftë i mprehtë. Mprehja bëhet para rrahjes. Rrahja është procesi i prerjes së tehut me një çekiç të posaçëm me një fund të mprehtë, siç mund ta shihni në fotografi, për të holluar thikën në krejt gjatësinë e saj dhe shfaqjen e dhëmbëzave prerëse. Para rrahjes duhet ta lini tehun në ujë, në mënyrë që më vonë të mund të shihni qartë zonën e prerjes.
Të ishe kositës do të thoshte të ishe i shpejtë dhe i mirë për të pasur prerjen më të gjerë dhe për të prerë barin sa më poshtë që të ishte e mundur (“ta rruani mirë”).
Në kohët e vjetra, kosëtarët trieshjanë mblidheshin në grupe, duke u solidarizuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin, sikurse edhe në punë tjera të fshatit. Më vonë secili kryefamiljar kosiste livadhet e veta. Kositja fillonte herët në mëngjes dhe zgjaste deri në muzg. Ata që i kishin livadhet afër shtëpisë drekonin në familje. Të tjerët që nuk kishin kohë të vinin në shtëpi, për shkak të largësisë së livadheve, tërë ditën qëndronin në livadhe e piqeshin në diell në temperatura ekstreme mbi 4o gradë.
Gratë, vajzat ose fëmijët u përgatisnin ushqimin e ujin dhe ua sillnin në livadhe. Ushqimi duhej të ishte i fortë dhe me shumë kalori , ( mish, fasule, lakra, djathë, qumësht i thartë…) . Në fund të ditës kur mbaronte kositja , kosëtarët ktheheshin në shtëpi të lodhur për të biseduar me familjarët. Kositja zgjaste disa ditë varësisht nga sasia e sipërfaqeve të livadheve. Kur përfundonte kositja bari lihej të thahej disa ditë dhe më pas rregullohej prodhimi i barit ( vendosej në stogje pranë shtëpisë dhe mbuloheshin mirë kryesisht me strehë gjethi shkoze ose qarri ( lisi) për ta mbrojtur nga shirat e vjeshtës dhe dimrit. Ndërtimi i sanës ka kërkuar mjeshtri të veçantë, ngase në të kundërtën të reshurat atmosferike e kanë kalbur barin dhe bagëtia ka mbetur pa ushqim.
Edhe sot në Triesh, ato pak familje që i kanë mbetur besnik vendlindjes , e kosisin sanën në mënyrë tradicionale, pa makina të posaçme elektrike. Derisa treishjanët me qindra vjet ruanin këtë traditë veçanërisht të vështirë moshatarët e tyre në qendra urbane kryesisht stërvitnin muskujt e tyre në palestra dhe stadiume atletike.

draperi
Drapëri

Kositja me drapër

Një vegël tjetër bujqësore mjaft e dobishme, e përshtatshme dhe produktive të cilën e kanë përdorur trieshjanët dhe trieshjanet për prerjen e barit dhe për të korrur është edhe drapri, me një presë si hark dhe me një dorezë. Ai funksionon pa të meta në të gjitha kushtet, madje edhe në mot me shi. Drapri përdorej shpesh gjatë vjeljes së drithit, kur kallinjtë e elbit, grurit, tërshërës e thekrës piqeshin dhe kur puna vazhdonte me orë të tëra. Puna klasike me drapër kryhet në tre lëvizje:
-një pjesë e kërcellit është e ndarë me një teh të lakuar;
-me dorën tjetër, kërcellet kapen në pjesën e sipërme;
-nga poshtë, bishtat priten me një teh në një lëvizje të qetë.
Kur kallinjtë e elbit, grurit, tërshërës e thekrës piqen fillon korrja nga bujku dhe anëtarët e familjes. Korrja fillimisht është bërë me drapër. Korrësit me dorën e majtë kanë kapur kallinjtë e drithit dhe me të djathtën i kanë prerë me drapër. Pas një apo dy ditë bujku me familjarët e tij mbledhin drithin, e lidhin në duaj, dhe formojnë shtregë për ta mbrojtur drithin nga lagështia e shiut, pastaj me gomarë e mushka i kanë dërguar në lamë për t’i shirë. Korrja e arave është bërë me drapër nga duart e vyera të burrave dhe femrave trieshjane. Për shkak të cilësive të draprit , ai në Triesh pothuaj e ka humbur qëllimin e tij fillestar – korrjen e bukës.

By admini