Përgatiti: Mr. Ali ef. Bardhi,
Kryeimam i Ulqinit

Nga trashëgimia kulturore që sot posedon Bashkësia Islame – Ulqin është edhe një Mus`haf. Pasi Xhamia e Kalasë i nënshtrohet ndryshimeve radikale dhe më pas nacionalizohet për shërbimet e Muzeut nga pushteti ish-jugosllav (shih foton nr. 7-8), ky Mus’haf u transferua nga kjo xhami në ambientet e tjera të Bashkësisë Islame – Ulqin.  

E veçanta e këtij Mus’hafi është se në vitin 1284 hixhri / 1867-1868 Kajmekami i Ulqinit, Hajri Begu, e porositi për t’u shkruar nga një hatat (kaligraf) i njohur i kohës, Sejjid Hysein el-Fevzi, enkas për Xhaminë e Mezgjahut (Mezjahut) – Pazarit në Kalanë e Ulqinit, të cilin një vit më pas, më 1285 hixhri/ 1868-1869 ia dhuron xhamisë me qëllim për t’u lexuar vazhdimisht ditëve të xhuma (premte) si hatme.

Karakteristikat e Kur’anit janë se ai posedon gjithsej një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër (1254) faqe, është i shkruar me shkrim dore nga hatati i cekur më lart, ka kopertina të trasha prej lëkure me përmasa 33×22 cm, me trashësi 9.5 cm, dhe me peshë prej 2.335 kg. Për shkak të dëmtimit të tij i mungojnë ajetet 112-168 e sures/kaptinës Bekare dhe në vend të tyre ka të vendosura 8 faqe të fotokopjuara nga Kur`ani i shkruar me makinë shkrimi 

 Nr. 1

Menjëherë pas sures/kaptinës së fundit ka të shënuar emrin e hatit, Sejjid (soj i pejgamberit a.s.) Hysein el-Fevzi, i përgatitur në prani të hafëzit të Kur’anit dhe me vit 1284 hixhri. Më poshtë po paraqesim tekstin e përkthyer nga gjuha arabe:

  Nr. 2 “E shkroi fakiri Për mëshirën e Zotit Fuqiplotë, Sejjid Hysein el-Fevzi, përpara hafëzit të Kur`anit. Falënderimi i takon Zotit të Lartmadhërishëm. Viti 1284 h.”

Ndërsa në faqen e fundit jepen kushtet e përcaktuara nga dhuruesi i këtij Mus’hafi, Kajmekami Hajri Begu, si vakëf i xhamisë së Mezjahut apo Mezgjahut brenda Kalasë së Ulqinit. Në tekst ka të shënuar xhamia e Mezgjahut. Akoma ulqinakët fjalën mezgjah e përdorin në kuptimin e tregut, pazarit apo çarshisë. Po kështu edhe në kala, në hapësirën ndërmjet xhamisë e kronit të Kalasë ka qenë tregu, pazari apo çarshia e Kalasë. Nga kjo mund të vërehet se xhamia e Kalasë më herët është përdorur edhe me emërtimin xhamia e Mezgjahut, edhe pse sot xhamia pranë Beledijes në Çarshi (pazar) quhet si xhamia e Mezgjahut, e cila duket se këtë emërtim e merr me krijimin e tregut apo çarshisë (pazarit) në këtë pjesë të qytetit. Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga fakti se në të folmen vendase ulqinake për tregun e sotëm ende përdoret shprehja ose emërtimi mezjah. Edhe fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe i orientalistit Tahir Dizdari, në fq.701 citon fjalën mezja për tregun i cili i referohet studiuesit Kujundžić Sar Në tekstin osmanisht, ku janë të shënuara kushtet e dhurimit të Kur’anit, ka të shënuar:

Nr. 3
Përkthimi në shqip   “Me kusht të leximit të Kur’anit ditëve të xhuma (premte) si hatme e vazhdueshme dhe duke mbetur peng i xhamisë dhe mos shitjes së tij,  Kajmekami Hajri Begu, i biri i Mustafa Kapedanit nga komandantët e flotës osmane në Stamboll ia dhuron vakëf Xhamisë së Mezgjahut brenda Kalasë së Ulqinit, viti 1285 h.”    

Kurse në faqen e parë pas kopertinës ka edhe një fletë të shtuar pasi Kur’ani u riparua më 3 Ramazan 1376 / 14 prill 1956. Në këtë faqe tregohet se Mus’hafi u restaurua në një shtëpi botimi nga ulqinaku, i ndjeri Dalip Myrtja, si rezultat i dëmtimit të tij pas shfrytëzimit të gjatë dhe me një kosto prej 2 700 dinarë. Më poshtë po paraqesim faksimilin në osmanisht, me përkthim në gjuhën shqipe:  

  

Nr. 4   
“Pas shfrytëzimit të gjatë të këtij Mus’hafi sherifit dhe dëmtimit të tij, ulqinaku Dalip Myrtoja me duart e veta e çoi për ta restauruar me një afat të caktuar në një myxheled’hane, të cilin e ktheu në gjendje mjaft të mirë. Shpenzimet e restaurimit kanë qenë 2700 dinarë.    Më 3 Ramazani sherif 1376 Më 14 prill 1956”

Fisnikëria e shpirtit i jep vlera të veçanta kajmekamit Hajri Begu. Kontributi dhe përkushtimi i tij i japin një rëndësi të veçantë këtij Mus’hafi si libri më i shenjtë i myslimanëve, i përgatitur enkas po për një vend të shenjtë për ulqinakët, xhaminë qendrore të Kalasë së Ulqinit, si edhe nga sejjidi (soj i Muhamedit a.s.). Po kështu meritë të madhe ka edhe ulqinaku Dalip Myrtja, i cili e restauroi duke e rikthyer atë në gjendje të mirë dhe vënien në dispozicon të imamëve për ta kënduar atë.  

Brenda Mus’hafit ndodhen edhe 9 fletë të vogla me shënime, me emrat e dëgjuesve të mukabeleve përgjatë muajit të Ramazanit. Në njërën prej tyre ka të shënuar vitet e ndjekësve të mukabeleve, ku viti i parë është 1983. Kurse nga viti 1993-2000 janë shënuar edhe emrat e besimtarëve që e kanë ndjekur mukabelen përgjatë muajit të Ramazanit, ku mesatarja ka qenë 10 persona. Shënuesi i këtyre emrave ka qenë ish-kryeimami Haxhi Rexhep ef. Lika.        

Tashmë Mus’hafi pret rikthimin e tij në folenë e vet për shërbim, aty ku ishte në fillim, në Xhaminë e Kalasë së Ulqinit.   

  

By admini