Nga Arisa Dervishi*
Jeta është një libër, fletët e të cilit shfletohen çdo ditë duke na ofruar momente të bukura e të paharruara por edhe të papritura dhe të rrezikshme. Një situatë e tillë që vjen befas dhe ndryshon komplet ritmin e jetës tonë, po ndodh. Me të po përballemi të gjithë, mbarë planeti. Një armik i padukshëm por i rrezikshëm po merr jetën e shumë njerëzve pavarësisht nga nacionalieti dhe përkatsia fetare. U ndërprenë të gjithë aktivitetet e planifikuara, çdo takim me shoqërinë dhe u mbyll ndërtesa më e dashur për ne nxënësit – shkolla.
Nga ekranet e vogla të kompjuterit dhe televizionit po mundohemi të mësojmë në mënyrë që të mos mbesim mbrapa në zhvillimin tonë dhe zgjërimin e njohurive tona. Duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi edhe mësimdhënësit janë duke dhënë maksimumin e tyre në mënyrë që ne të mos e ndjejmë mungesën e mësimit në bankat shkollore. Ata i kemi në dispozicion 24 orë dhe për këtë ne nga zemra i falenderojmë.
Edhe takimet me shoqet dhe shokët e klasës janë bërë virtual. Për çdo gjë konsultohemi përmes kompjuterave që janë bërë pjesë e pandashme e jetës tonë rinore. Të them të drejtën, kjo fatkeqësi ka një pikë të bardhë për të gjithë ne, për ne nxënësit por edhe për mësimdhënësit, pasi kemi arritur ta përsosim punën tonë me kompjuter dhe përdorimin e platformave të reja teknologjike. Më duket vetja, edhe pse nxënëse e vitit te dytë të gjimnazit, sikur jam bërë studente. Pothuajse të gjitha aktivitetet mësimore i realizojmë nga shtëpitë tona duke përjashtuar testimet dhe punimet me shkrim të cilët i kryejmë në shkollë. Pra, na takon shumë të hulumtojmë dhe të analizojmë vetë, që ndoshta ka edhe anët e veta të mira.
Por, shkolla për ne është më shumë se institucion ku marrim njohuri të reja, ajo për ne është ndërtesa e rinisë tonë, vendi ku ne shoqërohemi dhe ndajmë përjetimet që vetëm mosha e adoleshencës mund të ofroj. Na mungon shumë përditshmëria në ambientet e saja.
Ditëve të fundit po dëgjojmë lajme se vaksina e shumëpritur është gjetur dhe të gjithë shpresojmë që sa më shpejt të arrijë edhe në vendin tonë. Shpresoj që gjithë kësaj situate ti vijë fundi dhe të harrjojmë sa më parë fjalët pandemi, Covid-19, koronavirus për të mos i kujtuar më kurrë. Duam dhe dëshirojmë të kthehemi sa më parë në bankat shkollore, të cilave tani ia dimë edhe më shumë vlerën e tyre.
Le të mbesë e gjithë kjo një fletë e hidhur e librit të jetës sonë, një përvojë që të na bëjë njerëz më të mirë, më të ndërgjegjshëm dhe më human.
*nxënëse e dalluar e Gjimnazit të Ulqinit
Temë nga projekti “”Ruaj dhe zhvillo identitetin kombëtar duke shkruar, lexuar dhe folur shqip’’ – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptareve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2021”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.