Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, të premten mbrëma janë përuruar librat me autor apo të përgatitura nga Dr. Nail Draga “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve”, “Debati i munguar” dhe “Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal të Zi (1990-2015)”, të botuara nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Sociologu Qani Osmani ka paraqitur vështrimin për librin “Debati i munguar”, për të cilin ka thënë se paraqet një letërnjoftim mbi problemet dhe fenomenet sociale dhe politike të cilat në vazhdimësi e kanë ndjekur popullatën shqiptare në nënqiellin e quajtur Mali i Zi.
“Autori i librit adreson tema të rëndësishme dhe aktuale të cilat janë në koherencë me kohën dhe janë të domosdoshme për trajtimin e tyre, siç është pozita dhe statusi juridiko-politik i shqiptarëve në Mal të Zi, kriza e vlerave shoqërore dhe ajo identitare, varësia nga politika dhe mediat sociale, në mënyrë që shoqëria shqiptare t’i minimizojë këto fenomene dhe të orientohet kah vlerat e mirëfillta shoqërore”, ka thënë ai.
Për Osmanin, libri hedh dritë mbi kulmin e “deformimit pushtetar që mori krah kah viti 1991 dhe arriti zenitin më vonë duke rrënuar me makineri despotike të gjitha pengesat në saje të një marketingu mashtrues të mediave të paguara e të privilegjuara nga pushteti në shërbim të pushtetit autoritar, që ngriti lart gënjeshtrën mbi të vërtetën në rrafshin e shpëlarjes së trurit të masave”.
Duke folur për librin “Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal të Zi (1990-2015)”, që është përmbledhje e artikujve dhe kumtesave nga tryeza e rrumbullakët e mbajtur në vitin 2015, deputeti Genci Nimanbegu ka thënë se “këto janë shkrime që nga ana e vet profesionale janë edhe shumë subjektive, janë kumtesa që kanë rëndësi faktografike, por edhe historike dhe janë me vlerë”.
Ai ka theksuar se ka nevojë që mesazhi i përgjithshëm i të gjitha këtyre kumtesave të përcillet dhe të vlerësohet.
“Është historiku i veprimtarisë politike të shqiptarëve, që vlerësohet nga shumë autorë si një veprimtari fataliste, veprimtari politike humbëse dhe pa vizion të subjekteve politike. E gjithë kjo pason një frymë të kërkesës së përgjithshme, e cila mbizotëron, është brengosja për fatin e shqiptarëve, pasi që pa dyshim secili nga këta autorë janë edhe pjesëmarrës në skenën politike shqiptarë: janë deputetë, ish-deputetë, këshilltarë, kryetarë të degëve politike, me vetëm tre përjashtime”, ka thënë Nimanbegu.
Për librin “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve” ka folur Hajrullah Hajdari, i cili ka thënë se këtë libër Nail Draga e ka bazuar në studime, artikuj, dëshmi, intervista dhe recensione të ndryshme, kryesisht të autorëve shqiptarë.
Sipas tij, në këtë libër paraqiten shumë dëshmi rrëqethëse të thëna me gojën e disa të të mbijetuarve nga kjo tragjedi apo kasaphana e pamëshirshme.
“Është fat që janë shkruar disa libra për të, që vazhdon të shkruhet, të përkujtohet, dhe natyrisht të zërë vend në memorien kolektive si dëshmi e fatit tragjik të shqiptarëve. Në këtë drejtim, Nail Draga me këtë libër siguron një vend të rëndësishëm në historiografinë shqiptare për ndriçimin përfundimtar të kësaj kasaphaneje ndaj shqiptarëve dhe përpjekjet e vazhdueshme të tij që kjo ngjarje të mos mbesë në pellgun e harresës. Përkundrazi, është përpjekje e autorit që t’i thërrasim mendjes, që brezave, sidomos të rinjve t’u rrëfehet historia realisht”, ka thënë Hajdari.
Në fund të përurimit, të pranishmëve iu është drejtuar Dr. Nail Draga, i cili ka folur për temat që trajtojnë tre librat dhe motivet e botimit të tyre.
Ai është përqendruar sidomos në librin “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve”, i botuar vitin e kaluar, me rastin e 75-vjetorit të kësaj masakre.
“Cili ishte motivi? Duke marrë parasysh se shteti shqiptar dhe Kosova, të cilët e kanë pasur obligim institucional, moral dhe kombëtar ta shënojnë 75-vjetorin e Masakrës së Tivarit, ata nuk e shënuan asnjë fjalë. Dhe nga ky aspekt unë u përpoqa të realizoj një botim modest, të jap kontributin tim dhe t’i përkujtojmë këta individë të masakruar. Për arsye se atë që mund ta bëjmë sot, mos ta lëmë për nesër. Për arsye se dita e nesërme është shumë vonë, për arsye se dëshmitarët okularë të cilët kanë marrë pjesë në Masakrën e Tivarit, pothuaj të gjithë kanë vdekur”, ka thënë Draga.
Gjatë përurimit udhëheqësja e programit Blerta Kurti ka lexuar pjesë nga librat.
Në fund të përurimit, autori ka ndarë kopje të librave për të pranishmit.
/i. k. Koha Javore/