Rrjedhja e listës prej mëse 630 mijë emrave të qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe shtetëror ku nuk përjashtohen edhe pagat e inspektorëve të shërbimit informativ, të ushtrisë, policisë dhe agjentëve të saj në Shqipëri ka shkaktuar polemika të mëdha. Kjo listë u shpërnda përmes WhatsApp dhe aktualisht është bërë virale, ndërkohë që ende nuk ka persona të dyshuar, se kush mund të jetë burimi i tyre dhe prej nga janë shpërndarë ato, njoftojnë mediat shqiptare, transmeton Ulqini Online.
Publicisti dhe gazetari i njohur shqiptar i lindur në Kosovë dhe me banim në Zvicër Enver Robeli nëpërmes të një shkrim të tij në rrjetin social facebook e analizon të gjithë këtë situatë në disa aspekte.
‘’Kushdo që e ka bërë krimin e publikimit të të dhënave personale të qytetarëve të Shqipërisë, duhet të dënohet me krejt ashpërsinë e ligjit. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është po aq e tmerrshme: listat e publikuara kanë shpalosur nivelin e deformimit të rolit të gazetarit në jetën publike. Gazetarë me të hyra vjetore deri në 500 mijë euro apo më shumë – kjo s’bën vaki as në shtetet superkapitaliste me nga 200 apo 300 milionë banorë e me ekonomi të fuqishme që lëkundin botën. Ekziston, pra, një aleancë kriminale mes pushteteve (jo vetëm këtij aktual) dhe atyre që thonë se janë gazetarë. Në të vërtetë nuk janë gazetarë, por kuaj troje që futen në gazetari, shkatërrojnë çdo parim profesional dhe bëjnë punën e argatit dhe snajperistit të partisë që i financon’’, shkruan ndër të tjera Robeli në shkrimin të tij.
Sipas tij në të njëjtën rrugë është duke shkuar edhe Kosova.
‘’Kosova është duke shkuar kësaj rruge, ku gazetarët – në fakt: analistët vulgarë që i kanë marrë erë parasë së pistë – nuk mbrojnë interesin publik, por interesat e tyre personale’’, shkruan Robeli.