Nga Andis Gjoni

Nju Jork 6 Dhjetor 2021
Para disa ditësh u hap në qytetin White Plains afër Nju Jorkut ekspozita e piktorit Astrit Tota. Merrnin pjesë artëdashës dhe personalitete të diasporës shqiptare në Amerikë. Shumë miq e të ftuar erdhën të shikonin këtë ekspozitë të suksesshme të piktorit që shënoi një arritje jo vetëm për të por edhe për komunitetin shqiptar që përfaqësohet me dinjitet me vlerat intelektuale të një artisti të brezit të vjetër.
Punimet e kësaj ekspozite ishin të ndara në disa gjini ku spikasnin veçanërisht portretet e realizuara me mjeshtëri. Në trajtimin e figurave historike dallohej veçanërisht puna e kujdesëshme me kapjen e karaktereve në një plastikë volumore që theksonte dramaticitetin e tyre. Ndër to spikasin portreti i poetit kombëtar Naim Frashërit me ngjyra të ngrohta dhe Ismail Qemali me një trajtim klasik. Gjithashtu i veçantë është edhe portreti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti i realizuar me laps mbi letër ku ndjehet forca e një vizatimi të guximshëm që i shkon bukur qëndrimit të trimit legjendar. Për t’u theksuar është që ky portret i zmadhuar në pankarta të mëdha ka qenë në ballë të demonstratave dhe protestave të organizuara nga shqiptarët në Nju Jork kundër genocidit serb në Kosovë. Kjo na sjell edhe një herë ndër mend forcën e madhe që arti ka, duke përcjellë mesazhe të atdhedashurisë dhe hisotrisë kombëtare. Midis veprave dalloheshin edhe figura të shquara të diplomacisë si Rauf Fico, ambasadori legjendar që shpëtoi mijëra kosovarë nga dëbimi në vitet 1930. Të punuara me një gamë të gjerë ngjyrash dhe me një teknikë të admirueshme këto vepra të godisnin me gjetjet kompozicionale dhe shkrirjen e penelatave të kujdesëshme me vërtetësi dhe realizëm.
Pjesë e kësaj ekspozite ishin edhe shumë peizazhe të realizuara me mjeshtëri, ku kombinimi i ngjyrave të kujtonte piktorët impresionistë me të verdhat indiane të vjeshtës së shfaqur në shumë prej tyre. Ngjyra të sinqerta, të thjeshta por të vendosura me një estetikë të pjekur në vite e cila tashmë i qëndron besnike veprës së piktorit që me stilin e tij duket sikur na tërheq drejt natyrës, në fushat e Shënavlashit, apo në pamjet e Qeparoit, Borshit, Beratit, Shkodrës, buzë Drinit por edhe në kthesat e Vjosës, peizazhet kanë një frymëmarrje ku ndihet era e luginave dhe maleve të vendlindjes. Me një trajtim herë në gama blu e herë me ndriçime të forta të verdha në varësi të kushteve atmosferike, këto vepra janë një pasqyrim besnik i vendeve dhe pamjeve që ato shpërfaqin.
Nuk mungonin edhe pamje të vendeve në SHBA, si peizazhi në Centrak Park i realizuar në vitin 1997 kohë kur kullat binjake ende ishin në këmbë, një remineshencë e historisë por edhe e kohës që kalon.
Puna e kujdesëshme në paraqitjen e figurës njerëzore dukej edhe në veprat e tjera të kësaj ekspozite si në tablonë “Eksodi i kosovarëve” ku në mes të një pylli tragjik janë njerëz të tmerruar që mundohen ti shpëtojnë represionit, ndërkohë që një xhaketë e kuqe e kapur mes degëve të pemëve na kujton flamurin, identitetin, të ardhmen. Edhe në veprat e tjera të kësaj ekspozite dallohet vizatimi i saktë në proporcione dhe masa të figurave. Kjo ka ardhur si pasojë e punës së bërë në vite me skica të pafundme me modele në aktivitete të ndryshme të kulturës si në Festivalin e Gjirokastrës, prej nga ku artisti është frymëzuar të hedhë në letër protrete të pjesëmarrësve që në të shumtën e rasteve ishin amatorë të muzikës popullore, por që janë kapur në karakter nga autori.
Gjinia e tretë e lëvruar nga piktori Astrit Tota ishte ajo e natyrës së qetë. Veçanërisht interesante janë punimet në pastel, një teknikë jo shumë e lëvruar nga piktorët shqiptarë, por që në trajtimin e Totës kishte një lirshmëri të admirueshme. Në pikturat “Lule e kuqe e gjatë” apo “Luledielli me fiq të egër” ka një trajtim të bukur me një paletë të pasur ngjyrash që kombinohen lirshëm dhe qëndrojnë pranë me thjeshtësi e vërtetësi. Këto natyra të qeta të kujtojnë paksa veprat e piktorit francez Odilon Redon, me ngjyrat e lehta si dantella që japin një gjendje midis ëndrrës dhe realitetit.
Ndërkohë nga pikturat më të bukura të kësaj ekspozite padyshim është portreti i “Nënë Terezës” realizuar në teknikën e vajit me një plastikë të thellë me nuanca të ngrohta si për të transmetuar atë dashuri që rrezatonte nga shqiptarja e famshme e cila në kohën kur është realizuar kjo tablo nuk ishte bërë ende një shenjtore.
Ekspozita u vlerësua nga pjesëmarrësit për vlerat që solli dhe për nivelin e saj. Shumë e uruan piktorin për punën e tij. Gjej rastin edhe unë ta përgëzoj kolegun tim duke i uruar krijimtari të gjatë dhe ekspozita të tjera në të ardhmen.

By admini