Nga Ismet Kallaba

Haxhi Shabani bën pjesë ndër ata krijues me interesime të shumta. Ai është gjuhëtar, poet, studiues i letërsisë, gazetar (publicist), mësimdhënës (profesor) etj. Krijimtaria letrare është vetëm njëri nga segmentet e veprimtarisë së tij të gjithanshme. Ai është një poet i formuar. Njohja e mirë e teorisë së letërsisë nga njëra anë e ndihmon autorin në procesin krijues (ne kemi pak krijues të tillë, po flas për shkrimtarët/krijuesit shqiptarë në Malin e Zi), por nga ana tjetër edhe mund ta kufizojë atë, sepse e bën jo vetëm më të përgjegjshëm, por edhe më kërkues ndaj vetvetes në mënyrën e të shprehurit.

Poezia është një nga format më të shkurtra, por njëkohësisht më të larta dhe më të vështira të krijimtarisë letrare (përkundër mendimit të gabuar që mund të krijojmë ndonjëherë, duke e parë që sot nuk po them kushdo, por shumë njerëz shkruajnë poezi – po flas për botën shqiptare, duke e quajtur veten me krenari poet), sepse me pak fjalë apo vargje duhet të transmetosh mesazhin. Vargjet e Shabanit nuk janë thjesht një frymëzim i momentit, siç ndodh te disa krijues të tjerë, por janë mesazhe poetike të mirëmenduara, përmes të cilave poeti përçon mesazhin te lexuesi. Haxhi Shabani nuk është një poet hermetik. Ai është një poet që guxon. Kritika e ka cilësuar si një poet lirik dhe origjinal.
“Poezia e Haxhi Shabanit cilësohet si një poezi me një sfond lirik origjinal, në të cilën dominon mjedisi jetësor dhe fryma mesdhetare. Gjuha, përkatësisht leksiku i përdorur në poezinë e autorit, duke përdorur fjalor e frazeologji të Ulqinit, Anës së Malit dhe më gjerë e bën këtë poet origjinal në poezën e brezit të tij.” (Basri Çapriqi)
Poezia e Haxhi Shabanit është refleksion i botës së tij shpirtërore ndaj botës që e rrethon, mënyra e kundrimit dhe e përjetimit të botës. Subjektet e poezisë së tij janë nga bota e përditshme, përjetimet fëmijërore e jetësore, vendlindja, atdheu etj. Optika e tematikës së poezive të tij nuk lejon që të flasim për një subjekt të preferuar. Megjithatë, siç vëren me të drejtë studiuesja e letërsisë Liridona Sinishtaj, në recensionin që i paraprinë përmbledhjes, “të gjithë vijmë në jetë nga një femër, prandaj udhëtimi poetik në këtë përmbledhje mbizotërohet nga figura e femrës, femrës-nënë dhe femrës-grua” (fq. 9).

Haxhi Shabani është poet i ndjeshëm, por nuk rrëmbehet nga ndjenjat. Kjo vërehet qartë pothuajse në të gjitha poezitë e tij. Poezia e Shabanit komunikon natyrshëm me lexuesin. Ajo nuk vërret, por ashtu heshturazi, në paqe, të thërret për ta lexuar, duke u bërë vetvetiu pjesë e saj. Është një poezi që mund të lexohet dhe kuptohet nga të gjithë. Kjo mendoj se është shumë e rëndësishme dhe një vlerë tjetër e saj.

Gjuha e pasur, përdorimi i leksikut dhe i frazeologjisë së vendit ia rrit peshën poezisë së tij. Haxhi Shabani di të luajë me gjuhën. “Loja” e tij me gjuhën është e qëllimshme në funksion të mesazhit poetik.
Përmbledhja me poezi “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh” është një përzgjedhje nga krijimtaria poetike e autorit. Është e vështirë të përzgjedhësh diçka nga kjo përmbledhje për të ilustruar mendimin, sepse secila poezi është një histori në vete dhe bart një mesazh poetik.

Në poezitë e tij, poeti shpesh flet në veten e parë: “Unë hyj në trurin tim/ në atë masë të zorrtë e të pistë/ me dëshirë që të vë në vend/ dërrasën që e kam mangët,/ kërkoj gozhdët për gozhdim/ ato janë shtrembëruar/ janë ndryshkur.” (Poezia “Ha trurin tim”, fq. 80); apo “Unë i fshehur në furrecin tim/ bëja thumba/ bëja kunja/ sidomos murrizi, kimçe/ sidomos lisi, thane/ i renditja, i ngulja/ i tërhiqja, ecja mbi ta/ shfrytëzoja cilësitë e epitetit/ thnegël bishtpërpjetë.” (Poezia “Thnegël bishtpërpjetë”, fq. 14). Poeti bëhet fëmijë: “Që të pi edhe një herë ujë në ty/ po bëhem fëmijë/ qe, nëna po më merr për dore”. (Poezia “Po bëhem fëmijë”, fq. 19). Vendosja e vetes në qendër të poezisë nuk duhet kuptuar si personalizim. Ai edhe kur kritikon, përmes vetes simbolizon dukuritë dhe veset e individëve dhe shoqërisë.
Poeti dialogon me nënën, me Fishtën, me botën imagjinare. Në poezitë e tij nuk ka patriotizëm patetik. Shabani tallet me patriotizmin e vet e përmes tij edhe të shumë të tjerëve të brezit tonë, të cilët gjithë ditën shesin patriotizëm të rremë: “M’kallxo çka me ba me veten teme/ kur ma s’paktit tri herë n’ditë/ m’bahet me dalë për vedi/ mbi atdhetarinë teme/ a thue edhe mua eshtnat/ kanë me m’i hjedh’ n’lum.” (Poezia “Letër Gjergj Fishtës”, fq. 74). Në këtë poezi gjuha poetike i përshtatet mjeshtërisht autorit që i kushtohet, pra, gegnishtes fishtiane.
“Amerika më merr me të mirë” (fq. 71) është një nga ato poezitë që, nëse mund të thuhet, poeti e parandien fatin e jetës së tij.
Për ta përmbyllur, duhet thënë se mesazhet poetike të Haxhi Shabanit duhen kuptuar si një nevojë dhe shqetësim të brendshëm të autorit, si një lloj katarsisi përmes fjalës si arma më e fuqishme e poetit.
Jam i vetëdijshëm se sado që të flasim, prapë kemi mbetur diçka pa thënë, sepse çelësat apo kodet e poezisë së Shabanit janë të shumtë për të zbërthyer poezinë e tij.

(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Triesh, më 15 tetor 2021)

/Koha Javore/

By admini