Nga Gjekë Gjonaj
Brezi im në Triesh mban mend disa lojëra popullore të cilat janë marrë në mënyrë origjinale nga ata që shumë vite më përpara i kanë luajtur në dasma, gëzime familjare, ndeja pas darke, netëve të dimrit, në orët e vona të natës, kur mblidheshin tek shtëpia e ndonjërit për qejf dhe aktivitete të tjera në vendlindjen time.
Njëra ndër lojërat e shumta popullore në historikun e malit të Trieshit, ka qenë loja e kapicave ( kapuçave) . Kjo lojë plot krijimtari , humor e satirë, si trashëgimi e traditës , ka qenë mjaft popullore, interesante dhe tërheqëse. Nëpërmes kësaj lojë të bukur e shlodhëse trieshjanët qysh në kohëra e vjetra kanë plotësuar dëshirën e tyre argëtuese sidomos gjatë netëve të gjata të dimrit. Unë disa herë kam qenë dëshmitar i organizimeve mjeshtërore të kësaj lojë e cila sjell kënaqësi jo vetëm për ata që e luajnë, por edhe për ata që e shohin.
Rregullat e lojës
I zoti i shtëpisë fillimisht përgatit vendin se ku do të luhet loja. Ai aty shtron një post, qilim apo një shtresë tjetër të përshtatshme për këtë lloj ” betejë” burrash , ku rreshtohen kapuçat dhe ulen në gjunjë lojtarët. Vendi më i përshtatshëm gjithmonë ka qenë pranë vatrës së zjarrit, përballë oxhakut, që lojtarët të mos kenë të ftohtë. Pastaj caktohen dy vetë për të zgjedhur (ndarë) lojtarët. Zgjedhja e lojtarëve fillon me shprehjet:
- U’ dua filanin, thotë i pari.
- U ‘ dua filanin, thotë i dyti.
Dhe kështu vijohet derisa secili të zgjedhë aq lojtarë sa janë marrë vesh njëri me tjetrin. Pasi ndahen në dy grupe burrash secili lojtar shkon në krahun e tij, vihen përballë njëri-tjetrit të ulur në gjunjë. Një grup burrash në një anë, një grup në anën tjetër. Në lojë përdoren së paku 12 çorape leshi që simbolizojnë kapuçat ( të cilat mbahen enkas vetëm për lojë) , gjashtë nga njëra e gjashtë nga ana tjetra përballë, mundësisht të ishin të gjithë të bardhë dhe të njëjtë. Në mungesë të çorapeve të leshta lejohej zëvendësimi i tyre me ruba e shalle derisa të plotësohej numri i duhur. Për zhvillimin e lojës duhej një sferë plumbi të gjyleve të topit me diametër rreth 1 cm. që quhet “kokrra e kapuçave”, e cila është prej plumbit të gjyleve të topit. Në kohën time për këtë lojë kemi përdorur unazën, në vend të plumbit. Grupet paraprakisht merren vesh se a do t’ia këndojnë këngët tallëse ekipit humbës , të cilat shoqëroheshin edhe me valle të lidhur krah për krah, duke ju ofruar majat e këmbëve deri të hunda humbësve, të cilët rrinin të ulur dhe me shpresë që t’u marrin hakun në lojën tjetër. Loja ishte shumë më interesante dhe më emocionuese kur palët dakordoheshin të këndojnë këngë të kapuçave, që kanë qenë të shumëllojshme, nga më shpotitëse dhe me pak banalitet brenda. Madje në disa raste ato ishin edhe mjaft ofenduese. I gjithë qëllimi i kësaj loje është të gjesh ku e ka futur kundërshtari kokrrën. Hidhej shorti se cila palë do ta fshehë kokrrën e para. Kokrrën e fshehte ai që kishte më tepër mjeshtëri. Lojtari në dorën e djathtë mbante kokrrën. Me dorën e majtë kapte çorapin, ndërsa dorën e djathtë e fuste me radhë me shpejtësi në të gjitha kapuçat dhe në njërën prej tyre, e fshehte kokrrën ( plumbin-unazën) sa mundej pa e kuptuar kundërshtari. Shpejtësia e kalimit të dorës nëpër çorape ishte e jashtëzakonshme për të mos u dalluar momenti kur e lëshon kokrrën nën çorapë. Kundërshtarët e përcillnin me vëmendje të madhe atë që e fshehte kokrrën dhe ndiqnin çdo lëvizje të tij. Kundërshtari rrinte i përqendruar te sytë dhe te dora e atij që fshihte kokrrën, ndërsa mbështetësit e tij, shkëmbenin lojëra e batuta fjalësh për të hutuar ndjekësit e fshehësit në mënyrë që të mos e kuptonin se në cilin çorap fshihej kokrra. Kishte nga ata lojtarë të zot, që e sugjestiononin kundërshtarin dhe ja merrnin në sy, se ku e ka fshehur kokrrën, por kishte edhe nga ata fshehës të stërvitur, që gjate gjithë kohës që kalonin dorën nga njëri çorap te tjetri e shikonin kundërshtarin në sy “pa i ra syri qerpik”.
Lojtari që fsheh kokrrën mbasi mbaron të gjitha kapuçat ka të drejtë ose të rrijë në vend, ose të kthehet mbrapa derisa të zbulohet kokrra , nëse kishte frikë se mund ta diktojnë në sy, ku e ka fshehur kokrrën. Kur lojtari mbaron së fshehuri kokrrën, lojtarët kundërshtarë japin mendime se ku mund ta ketë lëshuar kokrrën.
Fjalët therëse në fund të lojës
Kur mbaron loja, lojtarët e palëps fituese, ngrihet në këmbë e të kapur krah më krah nisin vallen duke hedhur një nga një hap përpara e nga një mbrapa. Ata këndonin me zë të lartë këngë tallëse. Këngët e kapuçave, kane qenë të shumëllojshme nga me shpotitëset dhe me pak banalitet brenda. Kishte raste qe ishin shumë ofenduese, por jo me karakter keqdashës . Po ju sjellim disa vargje nga një këngë kapuçash:
Ç’pejt kjeka çue shpija jonë,
Kjoftë e barllë, ka pa zakon.
More djel, more jaramaza,
Qe kjo a loja me unaza.
Lua unaza gisht ën gisht
Sa t’zez kjeki lypki,
Kush va llasht-o ata ju,
Rritju leshi deri n’g-ju!
Kur ja nisme pramë lojsë,
Mirë kem dit se do t’u ktojmë .
Kaçimak bylmye me voj,
Mirë u qyet ën karaboj!
Qigji i keq i gjolave,
O, mixori i morrave!
Jaj filan fisteku çoban llësh
Vet vikat vet leh si qen.
Pramë i qit e sonte i qit,
A ini dreqën a ini gjit?
Edhe sonte kjoshi falë,
Nesër prama marrshi malë!
Marrshi malë , o brisë përpjetë,
E filan fisteku – o daltë e u bleltë!
Abl’ e butë – 0 ni ortytë
Filan fisteku – o marrtu grykë!
Këto fjalë thumbuese nuk u binin aspak mirë palës humbëse, por lojtarët nuk kishin çfarë të bënin përveçse të durojnë me shpresë se në lojën tjetër do t’ua kthejnë “ huanë”. Në këtë rast nuk pranohej hatërmbetja, pasi lojtarët i pranojnë shakatë, ose nuk futen në lojë. Ndërsa sot ta marrim ndërmend , çka do të ndodhte nëse do të shaheshin burrat në atë mënyrë! Sa kush do të hidhërohej, e sa kush do rrihej…