Nga Xheladin Zeneli

Mendoj se angazhimi  dhe inkuadrimi  i diasporës në proceset vendim-marrëse dhe politikë- bërëse në vendlindje apo vendet tyre të origjinës, duke përfshirë edhe kandidimin e tyre në listat zgjedhore për parlamentet përkatëse qendrore apo ato vendore , jo vetëm që është i nevojshëm por edhe i domosdoshëm.Një përfaqësim dinjitoz i saj në organet e përfaqësimit në atdhe është shumë i rëndësishëm për vetë faktin se nëse diasporës i mundësohet ushtrimi i drejtës së votimit, atëherë njëkohësisht duhet ti mundësohet edhe ushtrimi i drejtës së përfaqësimit.

Por, gjithashtu mendoj se ky përfaqësim i diasporës nuk duhet të jetë nga pozitat partiake, pra nën logon e partive politike që veprojnë në vendlindje, por një përfaqësim 

pa ngarkesa politike me qëllim që në ato parlamente të ndigjohet zëri i vertetë i diasporës.

Aktualisht prej  dy shteteve tona,  vetëm pjesëtarëve të mërgatës nga Kosova i mundësohet e drejta votimit. Megjithate,zgjedhjet parlamenatare të 14 Shkurtit të këtij viti, mënyra dhe procesi i votimit të mërgimtarëve nga distanca po dëshmohet si sfidë në vehte dhe diçka për tu dëshiruar.

Kurse në Shqipëri po zhvillohet një debat në mes forcave politike lidhur me kodin zgjedhor i cili parasheh përfshirjen e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në procesin zgjedhor dhe ushtrimin e drejtës së tyre për të votuar. Deri më tani  ende nuk është e qartë nëse shqiptarët që jetojnë jashtë  Shqipërisë do të jenë në gjendje ta realizojnë këtë të drejtë  në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 25 Prill, 2021.

Në ndërkohë, në zgjedhjet e 14 Shkurtit  në Kosovë ,në listat zgjedhore të partive politike që garojnë në këto zgjedhje janë të renditur,si kandidat për deputet edhe pjesëtarë nga diaspora, çka është një e drejtë e tyre e cila nuk mund t’ju mohohet.

Mirpo, kur një pjesëtar i diasporës  kandidohet në një nga listat zgjedhore të subjekteve politike në atdhe dhe zgjidhet anëtar i Kuvendit, atëherë ai (ajo) është i (e)  predispozuar të veproi nga pozitat e asaj partie dhe brenda orientimeve programore të subjektit politik përmes së cilit kandidon dhe garon. Gjithashtu, konkurenca e ashpër në mes subjekteve  politike që garojnë në zgjedhjet e 14 Shkurtit në Kosovë, do të thotë njëherit edhe konkurencë për votën e diasporës dhe me vendosjen e kandidatëve nga diaspora në disa prej listave të tyre zgjedhore synohet të arrihet ky qëllim.

Thelbi i çështjes qëndron në ate se a mund të kenë një përfaqësim dinjitoz dhe autentik të diasporës me kandidat nga rradhët e partive politike ?.

Nëse  vertetë dëshirojmë që zëri i diasporës tonë të ndigjohet në kuvendet e dy shteteve tona përkatëse dhe të kemi një përfaqësim i cili do të ishte në interesin e saj, atëherë mënyra më e mirë për të arritur kjo është që vetë pjesëtarët e diasporës nga vendet e tyre të qëndrimit në botën e jashtme të zgjedhin kandidatët e tyre të cilët do të përfaqësojnë komunitetet e caktuara të kësaj diaspore.

Diaspora Shqiptare ka shumë çështje të pazgjidhura të cilat kërkojnë vëmendjen e vendeve (shteteve) të tyre përkatëse të prejardhjes dhe përfaqësimi i tyre si entitet i pavarur dhe pa ngjyrime politike, për mendimin  tim do të ishte më i drejtë,më kuptimplotë dhe më i arsyeshëm.

4  Shkurt 2020

By admini