Nga Gjekë Gjonaj

Malësia dhe  krahinat tjera etnike ku jetojnë   shqiptarët   në Malin e  Zi meritojnë të vizitohen nga njerëz të profesioneve dhe profileve të ndryshme vendas dhe të huaj, sepse ato bartin  më vete histori dhe vlera të padiskutueshme kombëtare. Në këtë kontekst vizita e zëvëndëskryeministrit shqiptar  në Qeverinë e re malazeze, Dritan Abazoviqit në  Komunën  e Tuzit është një simbolikë e respektit  ndaj kombit  të vet. Aq më  tepër për faktin se kjo është vizita e tij e parë   zyrtare pas emërimit të pak ditëve më parë në këtë post të lartë politik e shtetërore. Erdhi, apo më mirë të them zgjodhi  Malësinë, për ta bërë të ditur gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të kësaj trevë , sikurse edhe të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Respekt për Abazoviqin për vizitë të tillë, nëse këtë vizitë e ka bërë  për hir të respektit të njëri-tjetrit dhe vullnetit të tij për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, për çka nuk kam asnjë dyshim.

Njoftimi   në media  për vizitën e tij në komunën më të re në Mal të Zi ishte një lajm i mirë për qytetarët e saj, duke pasur parasysh  kohën dhe situatën aktuale politike dhe ekonomike në këtë vend.  Sepse  ndaj këtij politikani të moderuar kozmopolit me vlera  të demokracisë  properëndimore e proamerikane i mveshën gjithfarë akuzash e etiketesh , të cilat në të shumtën e rasteve i tejkalonin shijet e kulturës dhe ndërgjegjes  njerëzore.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq   shpjegoi  synimin  e këtij misioni me vlerë për shqiptarët :” Si ulqinak dhe mik i Malësisë jam i nderuar që, së bashku me Ministrin e Financave  dhe Mirëqenies Sociale, Milojko Spajiq   dhe Ministrin  e Zhvillimit Ekonomik, Jakov Milatoviq, në Tuz fillova  vizitën time të parë zyrtare në këtë komunë. Në këtë takim , ku u pritëm nga kryetari i komunës, Nikë Gjeloshaj me bashkëpunëtorë, jemi dakorduar  për  projekte të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë  ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve të komunës më të re malazeze”.

Dua të besoj  se kjo deklaratë e tij   të mos jetë thjeshtë populiste dhe propaganduese, siç janë mësuar shqiptarët nga pushtetarët e mëprashëm të mbeten vetëm një premtim në  letër apo në kujtesën e trye, por të jetë e realizueshme, në  frymën e traditës shqiptare – fjala e dhënë duhet  mbajtur.

Me ardhjen e  tij në Tuz  Dritan Abazoviqi  i inkurajoi qytetarët e Malësisë dhe u shtriu dorën e bashkëpunimit. Kjo gjithësesi është një vlerë  me peshë të madhe në vendosjen e urave të reja të bashkëpunimit korrekt bazuar në parime  të shëndosha e  partneritet më të sinqertë se deri më tani  mes  institucioneve  që drejtohen nga  shqiptarët   dhe insitucioneve më të larta shtetërore. Nëse ndodh kjo do të shtohej ndjeshëm besimi   paksa i rezervuar dhe  munguar në nivel institucional midis shqiptarëve dhe popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet multinacional dhe multifetar.

Një shoqëri shumëkombëshe , siç është edhe Mali i Zi, në qoftë se  do të ketë vazhdimësi, do të  duhej  para së gjithash të kemi respekt për atë që është ndryshe nga ne  dhe vlerësim të arritjeve të tjetrit. Pas tridhjetë vitesh të jetës shumëpartiake dhe të ndërrimit të parë të qetë të pushtetit është koha  për vendosjen e urave të reja të bashkëpunimit  dhe për më   tepër respekt ndaj njëri-tjetrit, nga i cili do të arrihet një miqësi. Kjo do të ishte e shëndetshme  për demokracinë e ardhshme për shoqërinë malazeze.

Qytetarët e këtij vendi presin  nga zëvendëskryeministri Abazoviq dhe drejtuesit e tjerë të shtetit  të marrin shembullin nga ajo që kanë  thënë   Bill Clinton, Joe Biden  e të tjerë  se ata duhet të drejtojnë vendin  jo vetëm me shembullin e fuqisë  së  pozitës shtetërore, por më së shumti me fuqinë e shëmbullit të  tyre.

By admini