Prishtina

Qeveria e Kosovës nuk ka njohuri nëse Qeveria e re e Malit të Zi ka ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes së pavarësisë.

Sot, Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi nxori një udhëzim të ri për masat anti-Covid, dhe në pikën ku flitej për udhëtimet transit të kosovarëve, Kosovës i ishte vënë fusnota.

Fusnota nënkupton pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Qeveria e re e Malit të Zi ishte zotuar se nuk do të vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sado që dy partitë kryesore në pushtet njihen si proserbe.

“Deri në momentin që po flasim nuk kemi asnjë komunikim zyrtar për ndryshim të qasjes së Malit të Zi në raport me vendin tonë. Nuk ka asnjë ndryshim në raportet bilaterale midis dy vendeve. Mali i Zi mbetet vend fqinj mik i Kosovës”, ka thënë Antigona Baxhaku, drejtoreshë e Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës./Koha Net/

By admini