Nga Gladiola Jorbus

Opinion mbi librin ‘Arsimi në demokracinë e brishtë’ të Prof. Dr. Bardhyl Musai

Aty ku politika ngre duart, ndërhyn një ekspert arsimi, si i vetmi aktor shoqëror që mund të përballet me revolucionet social-ekonomike, kulturore apo transformimet politike e zhvillimin e pandalshëm teknologjik.

Këto mendime më erdhën në mendje, gjatë promovimit të një libri që e kam shumë për zemër për vlerat që mbart dhe pasqyrimin e gjendjes reale të arsimit në vendin tonë  ‘Arsimi në demokracinë e brishtë’ të profesorit të nderuar Bardhyl Musai.

 Me bindje të plotë do ta krahasoja profesorin me Charles Fadel, ekspertin global futurist të edukimit për të gjitha risitë e novacionet që ka përcjellë në Arsimin Shqiptar. Libri përfshin të gjitha dimensionet e arsimit ndër dekada dhe perspektivën e tij; statistika, të dhëna, analiza, suksese, sfida, dështime, progresin, regresin.

Duke u mbështetur në gjykimet e filozofit gjerman Emanuel Kant, sipas së cilit, një parim i artit të arsimit për t’mbajtur mend është që fëmijët nuk duhet të arsimohen për të tashmen, por për të ardhmen, në përputhje me idenë e njerëzimit dhe fatin e plotë të tij. Ky parim ka një rëndësi të madhe. Prindërit, në përgjithësi i edukojnë fëmijët e tyre, vetëm duke parë botën e tanishme, edhe nëse ajo është shumë e korruptuar. Gabim! Përkundrazi, ata duhet t’i edukojnë fëmijët, në mënyrë që më vonë të krijohet një situatë më e kënaqshme dhe më avantazhuese se aktualja.

Më mirë se kushdo, këtë mund ta kryejnë e ta realizojnë ata që kanë dorë politikat arsimore, që merren me përgatitjen e drejtuesve, e arsimtarëve të ardhshëm, me trajnimet dhe përsosjen e tyre të vazhdueshme. Në këtë kuptim, objektivi i kësaj politike është që të implementojë dhe të forcojë kapacitetet e duhura, që lidershipi në sistemin shkollor të funksionojë dhe kështu të rritet kontributi që drejtorët mund të japin, për të përmirësuar shkollën dhe qëndrueshmërinë e saj me kalimin e kohës.

Teksa profesionistë të nderuar e kompetentë kishin ndërmarrë një rrugëtim, kishin investuar dhe ngritur institucione e organizma të specializuara, në kuadër të forcimit e përmirësimit të lidershipit shkollor, gjithçka shkokëlohet e këputet në mes. Më keq akoma; në këtë libër secili syresh mund të shfletojë një kalvar golgote në fushën e edukimit, thembra e Akilit e secilës shoqëri, mund të shohë se si mohohet çdo rezultat i frytshëm a sukses.

Në vend që përvoja pozitive shumëvjeçare të përbënte referencën konceptuale, përmes së cilës të projektohej vazhdimësia, sinergjia dhe konsolidimi i arritjeve, çdo gjë u hodh poshtë me nihilizëm, mospërfillje e shkelje ligjore. Paradoksale!

Gjithkush nga ne, që prek nga afër dhe rravgon në fushën e arsimit, nuk mund të tregohet assesi indiferent ndaj skenarëve të tillë që kanë mishëruar hallkat e një zinxhiri degradues, në sistemin arsimor shqiptar. Të gjithëve duhet t’u interesojnë rrjedhojat dhe feedback-u i këtyre politikave, që luhen pas kurrizit dhe janë në kurriz të sistemit arsimor shqiptar.

Vërtet që Bardhyl Musai po lë gjurmë të pashlyeshme në historikun e arsimit dhe në pasqyrimin e procesit të tij. Largpamësia, talenti, logjika dhe përpikëria profesionale janë tiparet primordiale të profesorit dhe bashkëshoqërueset e tij në rrugëtimin e gjatë, pothuajse gjysmëshekullor në fushën e arsimit.

By admini