Ana e Malit la prapa një vikend që vështirë se do të harrohet për një kohë të gjatë. Vdekja e mësuesit dhe aktivistit të pashembullt në shumë fusha Dritan Kurtit në moshën 42 vjeçare trazoi dhe shkaktoi dhimbje të madhe në Anën e Malit në të dyja anët e kufirit, Krajë, Ulqin por edhe të mërgimtarët tanë.
Lidhur me këtë, aktivistët e diasporësë sonë Alban, Ali dhe Ardian Mustafaj mbrëmjen e së dielës nëpërmes platformës gofundme për më pak se 24h arritën të organizojnë mergatën tonë dhe të mbledhin, deri tani, mbi 90mijë $ për familjen e tashmë të ndjerit Dritan.
Rrjeti social facebook për tre ditë kishte kryetemë këtë ngjarje të dhimbshme. Shumë njerëz nuk mund të besonin për një gjë të tillë dhe shkrimet e tyre që dilnin nga zemra mbushnin faqe të tëra në rrjetet sociale.
Disa nga këto shkrime nuk mund e të mos i rishkruajmë edhe në faqet tona.
Nga Valona Tela
” Si “Dritani i Avnisë” e kanë njoftë në katunin tem. 42 vjet i ka pasë, m’sues ka kenë. Edhe valltar. Edhe patriot. Edhe zemërbardhë. “Djali si bajrak”, “dy metra g’jatë” kishin me thanë n’katunin tem. (…se k’shtu i pershkrujnë djemt e fortë e t’shnetshëm). Dritani ka vdekë sot. Thanë që ka luftu boll, ka kërku frymë, por s’ka mujt ma… Pse kush s’kishte kërku frymë për Borën e Erën (vajzat e Dritanit)?! Ju, të dyja falne babin tuj, a ti Dritan mos na fal neve! Mos na fal neve që “na e xen frymën maska”, që e qesim nën gushë a e vjerrim për brryl! Mos na fal neve që nuk kena durim e dona me festu! Mos na fal neve që protestojmë me na i hapë kafet! Mos na fal neve që “i dimë tana” e na “han shpija”. Unë, Dritan, kërkoj hallall prej teje, edhe prej Borës e Erës. Disa edhe kanë me m’sha e me m’thanë: “Zoti e ka n’dorë, ja robi”. Por, na, a s’duhet me ndihmu Zotin a? Ndihmone aman, për hatër të Borës e Erës në Sukubinë, për hatër të Anesit në Shas… e shumë e shumë të tjerëve! Dritanin e kam njofte tash e 30 vjet gati. A ty Avni, shyqyr që nuk të njoh sot o burrë!
E paç t’lehtë dhenë e Sukubins Dritan, se fort e ligshtove sot!”
Nga Hajredin Kovaçi
Sot vargu s’po më vjen, por
moti e kam shkruar një poezi
,,JETA”
I ka vetem dy fjalë:
,,Kaq ishte?!”
Vëlla Dritan, a është e vërtetë?
Jo, jo, Ti s’ke vdekur
veç ke ndërruar jetë!
Mallkuar qoftë vdekja që të mori tinëz
I lehtë të qoftë dhēu I Sukubinës!
Nga Argëzon Sulejmani
LAMTUMIRË, KAPEDAN!
U shua Dritan Kurti, kryetar i Shoqatës “ORA”, arsimtar i dalluar i shkollimit shqip në MZ, aktivist dhe intelektual i veçantë i kulturës dhe kombëtarizmës.
Unë nuk e di si ia bën vendi im i vogël kur përjeton humbje kaq të mëdha!? Dua të besoj që fryma e personaliteteve si Dritani do të vijojë të ajrojë, në atë formë që veç vogëlsia e vendit tim e njeh, në atë formë që veç madhështia e Perëndisë e shpjegon…
E, tash, Kapedan, çmbështille shallin e plisit dhe pusho i qetë!
I lehtë të qoftë dheu i NënShkodrës arbënore!