Nga Gjekë Gjonaj

Thirrja  mësues nuk është e lehtë ashtu siç mendon dikush. Ky profesion është plot e përplot me vështirësi. I ndërlikuar dhe i përgjegjshëm.  Profesioni i mësuesisë është profesion me përgjegjësi të madhe shoqërore. Me të drejtë pedagogët klasikë kanë thënë se: “Thirrja mësues është thirrja më e bukur, por njëkohësisht është edhe thirrja më e rëndë”. Është njohur se çdo thirrje (profesion) i ka specifikat e veta, por profesioni i mësuesisë, në krahasim me të tjerët, është më i ndërlikuari. Në të përgjegjësia është më e madhe, sepse është profesion që punon me lëndë të gjallë. Nuk thuhet kot se vlera e mësuesit  dhe pesha e qiellit  nuk maten kurrë. Është shumë e vërtetë kjo thënie për vlerën e peshën, punën e përkushtimin, si dhe misionin e shenjtë të mësuesit. Mësuesi, dikur vlerësohej e konsiderohej si qenie hyjnore e mitike, sa që ishte krijuar përshtypja, e bëheshin pyetje se a thua ”a ha bukë mësuesi? ” Pra, në të kaluarën është çmuar e vlerësuar shumë mësuesi, sa që ai gëzonte respektin e autoritetin më të madh të kohës. Ishte koha kur nevoja për mësimdhënës ishte e madhe për hapjen e shkollave shqipe në  çdo  vendbanim me shqiptarë. E  shqiptarët  i respektonin dhe ishin bujarë me mësuesit, i  ftonin   në gëzime familjare. Ky nderim ishte një vlerësim i punës së tyre, për thjeshtësinë, sjelljen e kulturuar dhe për t’u hapur sytë fëmijëve. E autoriteti fitohet me punë, me përkushtim, me pasion për profesionin,  me durim, çiltërsi e sinqeritet, dashuri e respekt.

Trieshi është vatër e burim i pashtershëm i mësuesve të dashur, tashmë veteranë të arsimit shqip në Mal të Zi, të cilët me punën e tyre shumëvjeçare  kudo kanë punuar e nderuan  jo vetëm shkollën shqipe, por edhe kombin në përgjithësi, Kosovën dhe Shqipërinë. Numri i tyre është i madh, por po përmendim vetëm   disa nga  mësuesit e parë  të artë të asaj kohë  nga kjo trevë të cilët    vendosën gurin  themeltar  në arsimin  shqip  në Mal të Zi, e që janë:    Gjon  Gjeka Lucaj, Kolë Preloka Gegaj, Preloc Marku Lekoçaj Tomë Leka Lucaj, Kolë Gjoni Gjokaj, Nikollë Zefi Prenkoçaj,Lucë Doka Lucaj, Preloc Marku Marglaj, Nikollë Sokoli Ujkaj, Gjon Marku Gjonaj, Vasel Marku Margilaj, Prelë Marku Gegaj, Gjergj Marashi Hasanaj, Ndue Nikolla Lekoçaj, Gjergj Gjoni Gjokaj, Gjon Marku Margilaj, Pjetër Toni Gjuravçaj, Zefë Doda Gegaj, Pjetër Zefi Micakaj, Fran Ndue Gjokaj,Dodë Marashi Margilaj, Katrinë Toni  Gjuravçaj, etj.  Ata dhe shumë mësues  të shkëlqyer nga Trieshi  nuk ishin vetëm mësimdhënës të mirë, por edhe atdhetarë të vendosur të cilët me zemër  e adhuronin kombin. Ata edukoheshin me një frymë të tillë, ku jeta nuk ishte asgjë para këtij ideali të çmuar. Dhe jepnin çdo gjë për idealin. Ishte një frymë mahnitëse shqiptare. Për këtë arsye , ata, si të  gjithë mësuesit e tjerë shqiptarë atdhetarë, ishin të përndjekur gjatë shekullit XX dhe  konsideroheshin të rrezikshëm për pushtuesit e shumtë të trojeve e atdheut tonë.  Disa nga ata    u persekutuan  dhe  u internuan     nga regjimet e huaja apo totalitare.   Por edhe  u dekoruan me meritë  me medalje  e dekorata më të larta në fushën e arsimit në Mal të  Zi dhe  në Shqipëri, si mësues  të dalluar,  njerëz të veçantë,  të rrallë e me ndikim të madh në shoqërinë e atëhershme shqiptare.   

Përpjekja e këtyre  mësimdhënësve përparimtarë  shqiptarë për zhdukjen e analfabetizmit  në trojet  e varfëruara   etnike shqiptare  që nga viti  1916, kur edhe filluan të çelen shkollat shqipe në Mal të Zi ,   ishte po aq e madhe sa dëshira e tyre  për të përhapur dije  dhe dashuri që kishin për  profesionin e tyre fisnik.  Vitet kalojnë , por nuk do të harrohet durimi, këmbëngulja, vështirësitë  për përballimin e jetës nëpër fshatra, rreziqet e regjimeve, shqetësimet e vazhdueshme  për ambiente të përshtatshme, mungesën e mjeteve të domosdoshme pedagogjike, frekuentimin e nxënësve dhe mbarëvajtjen e mësimeve.  

Për   kontributin dhe meritën e jashtëzakonshme  të  mësuesve  të artë  të shekullit  XX, të cilët me ditar në dorë vazhdimisht punuan  me përkushtim dhe dashurinë më të madhe,  pa u lodhur e pa u ndalur në rrugën e dritës dhe diturisë së popullit të vet ,   mendojmë se   do të ishte mirë   që t’u ngritët një pllakë përkujtimore  në qendër të  Trieshit, në oborrin e Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Kjo pllakë eventuale përkujtimore  bashkë me përmendoren e  heroit tonë kombëtar Skënderbeut do të  hijeshonte dhe do të  fisnikëronte edhe më shumë  oborrin  e bukur të  shkollës nëntëvjeçare.     

By admini