Nga Qani Osmani
Fillozofin i madh grek Diogjeni, kurdoherë kur e lexojmë, apo shfletojmë fletët e librit të tijë me ngadalë, vërejmë se fillozofia e tij njerëzore është ndër më aktualet, ndër më të bukurat, ndër më të diskutuarat, ndër më njerëzoret, është një ndër filozofitë me mesazh shumë të paqtë, sikur ky njeri gjeni të jetonte sot në kohët moderne, dhe jo disa mijëravjeçarë më parë, kur bota nuk e njihte komjuterin, televizorin, internetin. Me shprehjen kaq njerëzore, kaq të thjeshtë, kaq të shkurtër, por me mendim të pakonceptueshëm, dy fjalë, baraz me vepra të tëra, me dy fjalë të urta por shumë poetike, që kanë brenda gjithçka që na duhet.
Pra, shprehja e tij brilante është edhe sot magjia njerëzore e fjalës; Kërkoj njeriun! Me mjekrrën e bardhë, me veshjen e thjeshtë, me gjuhën e bukur të popullit, me kokën lartë, Diogjeni në mes të ditës me diell, plotë dritë, ku gjithçka duket saktë, me një fener në dorë gjezdiste nëpër rrugët e Greqisë të kërkonte njeriun e ndershëm, atë, njeriun e urtë që punon shumë dhe flet pak, atë që bën veprën dhe rri në fund të turmës, atë që nuk rreh gjoksin edhe kur ka bërë shumë, atë që nuk dinë të ofendoj, atë që kërkon të vërtetën në botën e trazuar nga luftërat dhe nga etja për para…Diogjeni me fenerin e tij kërkonte njeriun e ndershëm.
Diogjeni, sikur të ishte reinkarur sot në shekullin XXI dhe sikur të dilte sërish me fener në mes të ditës në kërkim të njerëzve të ndershëm, do ta kishte bërë të njejtin rrugëtim dhe në fund të rrugës, do të kishte dalë në përfundimin e njejtë. Edhe sot, natyra e njeriut nuk ka ndryshuar aspak, edhe përkundër mundësive më të mëdha të qasjes së lehtë në institucione të shkollimit dhe mjete shumë më moderne të edukimit dhe emancipimit kulturor dhe shoqëror.
Edhe sot, ai rrugës do ta takonte HIPOKRITIN apo dyftyrëshin, i cili ndërron fytyrat si kameleon, NIHILISTIN i cili gjithë kohën ankohet dhe fajëson të tjerët për gjendjen, pa marrë asnjë veprim për ta ndryshuar atë. Ai do të takonte SKEPTIKUN dhe mosbesuesin i cili është pajtuar me fatkeqësinë e vet dhe nuk beson se gjendja do të ndryshojë për të mirë, pa i marrë parasysh shpresën që ia jep OPTIMISTI, i cili vazhdimisht shpreson se një ditë do të vijnë kohëra më të mira, por vetvetiu.
Do të takonte rrugës me bollëk, LAJKATARË dhe PUTHADORË që do ta lartësojnë deri në piedestal karakterin e tij prej dietari, duke e lavdëruar për mençurinë dhe urtësinë e tij të pakufishme, sa për t’ia bërë qejfin, dhe menjëherë pasi t’ia kthejnë shpinën, nga shpirtngushtësia do ta përbuzinë dhe xhelozojnë atë, duke shpikur dhe shpifur çdo gjë sa për t’i dhënë gajret dhe ngushëllim shpirtit të tyre të varfër.
Më tej do të takojë INDIFERENTIN (edhe intelektual)- njeriun e rëndomtë që kënaqet me pak, por që nuk ndërrmer asgjë për të fituar më shumë, dhe shumë afër tij do ta takojë Humbësin-njeriun që nuk të zgjohet herët të kërkojë fatin e vet me gjetjen dhe bërjen e punës për përmisimin e jetesës…Pak më tej do ta takojë PARAZITIN që preferon të rrijë gjithë ditën nëpër kafene duke fajësuar prindërit e vet apo shtetin dhe qeverinë që nuk e financon dhe shpërblenë atë me të holla për përtacinë dhe parazitllëkun e tij.
Duke kërkuar më tej për njeriun e ndershëm, Diogjeni do të takonte me të madhe edhe SERVILË- që do t’ia puthin dorën dhe do t’ia ofrojnë shërbimet e tyre prej hyzmeqari, vetëm për të siguruar një pozitë në shoqëri, por pak më tej do të takojë edhe NARCISIN-njeriun ambicioz që e mbivlerëson veten duke kërkuar prej tij, që si njeri i pushtetshëm që është, t’i besoj atij ndonjë post apo funksion përtej përgaditjes dhe aftësisë së tij profesionale, pasi që atij i pëlqen shumë vetja në pasqyrë, dhe nuk din të shtrijë këmbët sa e ka jorganin, por që vazhdimisht kërkon privilegje të mëdha kundrejt shërbimeve të vogla.
Dhe në fund do ta gjejë EGOISTIN-njeriun që veten e quan të ndershëm, vetëm sepse e shikon punën e vet dhe nuk ngatërrohet me punët e huaja, njeriu që dorën në zemër e fiton bukën me djersën e vet, pa iu përkulur askujt, por edhe që nuk dëshiron të jap asnjë kontribut për rrethin ku jeton dhe nuk merr për sipër asnjë obligim në shërbim të kombit dhe shoqërisë, pasi mendon se kjo nuk është puna e tij por e tjetërkujt, pa e thënë saktësisht e kujt! Për çdo gjë negative në shoqëri, ai nuk e çan kokën fare sepse për këtë e kanë fajin të tjerët, dhe ai nuk ka asnjë faj derisa e keqja të afrohet në derën e tij…!
Ku ta Diogjeni njeriun e ndershëm, dhe të drejtë, kur edhe në këtë kohë mbisundon pandershmëria dhe padrejtësia, dhe rrallëkush tregon gatishmëri dhe guxim për t’i luftuar dhe për ta ndryshuar dhe përmisuar gjendjen. Edhe sikur të ketë diku të tillë, ata asnjëherë nuk do ta fitojnë përkrahjen dhe bekimin e këtyre të tjerëve që ngadhënjejnë përherë, vetëm sepse janë me shumicë…!
5 tetor, 2020.