REAGIM I OJQ-VE DHE APLIKUESVE INDIVIDUALË NGA ULQINI LIDHUR ME REZULTATET E KONKURSIT TĒ FONDIT PĒR MBROJTJEN DHE REALIZIMIN E TĒ DREJTAVE TĒ PAKICAVE

Organizatat joqeveritare nga Ulqini janë thellësisht të indinjuara me vlerësimin joobjektiv, jokorrekt, joprofesional dhe tendencioz të projekteve të tyre në konkursin e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave për vitin 2024.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, sepse diskriminimi i projekteve të organizatave joqeveritare dhe të individëve nga Ulqini, por edhe të projekteve të shqiptarëve në përgjithësi, është bërë një praktikë e zakonshme e Fondit për Pakica, por kësaj radhe kjo është bërë në mënyrën më drastike, duke i tejkaluar të gjithë kufijtë.

Nga analiza e rezultateve të konkursit del se janë mbështetur vetëm tre projekte tē organizatave joqeveritare nga Ulqini, edhe ato me shuma minore, ndonjëri as me 20 për qind të shumës së kërkuar, gjë që i bën projektet e tyre a priori të parealizueshëm, kurse 21 projekte (nëntë prej të cilave të organizatave joqeveritare) janë eliminuar për shkaqe teknike, me arsyetimin “mungesë dokumentacioni”. Lidhur me këtë, OJQ-të e Ulqinit vërejnë se te një pjesë e projekteve të tyre janë konstatuar nga komisioni për vlerësimin e projekteve parregullsi të paqena, vetëm për të gjetur shkas për t’i eliminuar.

Vlerësimi express (për më pak se dhjetë ditë, në kohën kur konkursi çuditërisht ka qëndruar i hapur plot 45 ditë!) i projekteve nga “vlerësuesit e pavarur” na bën të dyshojmë se propozimet e aplikuesve, veçanërisht ato në gjuhën shqipe, nuk kanë arritur as të përkthehen e as të lexohen në tërësi.  

Favorizimi i projekteve të disa individëve dhe OJQ-ve dëshmon për standardet e dyfishta të vlerësimit dhe nxit dyshimin për abuzime. Kjo bëhet edhe më e rrezikshme në rastin kur, siç tregojnë rezultatet e konkursit të fundit, merr në njëfarë forme karakterin e diskriminimit nacional, gjuhësor dhe rajonal. 

Dëshirojmë të theksojmë se OJQ-të e Ulqinit nuk duhet të vuajnë pasojat e mosangazhimit politik dhe luftës për dominim të Fondit për Pakica, por janë për bashkëpunim me të gjitha institucionet komunale dhe shtetërore me qëllim të interesit të përgjithshëm shoqëror. 

Duke marrë parasysh gjithë sa është thënë më sipër: 

1. Kērkojmë nga drejtori dhe Kēshilli Drejtues i Fondit pēr Pakica anulimin e konkursit për vitin 2024;

2. Kērkojmë nga deputetët nga Ulqini, deputetët shqiptarë dhe deputetët e tjerë në Kuvendin e Malit të Zi që të inicojnë çështjen e mënyrës së funksionimit të Fondit për Pakica, me theks të posaçëm në konkursin e fundit, kurse nga Kuvendi i Malit tē Zi shkarkimin e vlerësuesve të pavarur për shkak të shkeljeve evidente në vlerësimin e projekteve, që ndodhin në vazhdimësi;


3. Kërkojmë nga prokuroria hetimin e çështjes dhe shqyrtimin e parregullsive gjatë procesit të ndarjes së mjeteve financiare në konkurset publike të Fondit për Pakica

4. Kērkojmë takim urgjent me drejtorin e Fondit pēr Pakica, nga i cili kërkojmë sqarim zyrtar se mbi bazën e çfarë parimi ose udhëzimi bazohet shërbimi administrativ i këtij institucioni kur i eliminon OJQ-të për mungesë të dokumenteve që nuk lëshohen nga organet kompetente të Malit të Zi dhe nuk janë të qasshme në rrugë zyrtare. Po ashtu kërkojmë takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, si institucion përfaqësues i shqiptarëve në Malin e Zi.

5. Kërkojmë ndryshimin e Rregullores për vlerësimin e projekteve, ku të përfshihet mundësia e plotësimit të dokumentacionit brenda afatit të caktuar, siç e parashikon Ligji për procedurën administrative dhe e kanë të gjitha institucionet tjera qeveritare.

Në fund, ne si organizata joqeveritare dhe aplikues individualë do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjore për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të denoncuar abuzimet me detyrën të zyrtarëve publikë.


Ulqin, më 25 nëntor 2024                                                      

By admini