
Bartësi i listës së koalicionit “E Zeza në të Bardhë”, Dritan Abazoviq, pas takimit konsultativ me Kryetarin e Kuvendit Ivan Brajoviq tha se marrëveshja është që me 23 shtator të behët verifikimi i mandateve dhe zgjedhja e Kryetarit të ri të Kuvendit.
“Ne tashmë kemi propozimin se kush do të jetë kryetar i Kuvendit. Ai do të jetë nga grupi që i ka fituar zgjedhjet. Sa i përket Qeverisë, do të duhet më shumë kohë që ajo të konstituohet sepse ka më shumë detyrime. Kjo nuk do të ndodhë menjëherë. Do të na duhen një numër i caktuar ditësh,” tha Abazoviq, transmeton Ulqini Online.
Siç shkruan rtcg, ai u shpreh se sot patën një takim konstruktiv ku u pajtuan për seancën konstituive të Kuvendit.
“Në Mal të Zi ka ndodhë diçka historike. Është hera e parë që në zgjedhje me kushte jo të volitshme, kemi arrit që të fitojmë një regjim kriminal”, u shpreh Abazoviq.
Siç tha lideri i URA-s, tani nuk është koha për hapa të përshpejtuar por për hapa të mençur dhe të matur, që me zgjidhje të duhura dhe të njerëzve të ngrisim të gjitha institucionet në Mal të Zi, të cilat, siç tha ai, janë dukshëm të shkatërruara.