Shkruan: Behlul Jashari

Gazeta e rezistencës “Bujku”, pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga pushteti okupues serb të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja, para 29 viteve – në numrin e në ballinë në kryetitull shkruante se “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, ku theksonte: “Për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë shumëkund dyert e shkollave ishin të mbyllura.-Në shkollat e mesme e fillore të Prishtinës e në shkolla të tjera të Kosovës, pos drejtorëve të dhunshëm e inspektorëve jolegjitimë, në mbikëqyrjen e situatës dhe në pengimin e mësimit u angazhuan edhe punëtorë të sigurimit shtetëror dhe milicia serbe”.

“Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, ishte një nga titujt tjerë të ballinës së gazetës “Bujku”, me mbititull “Federata Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut për Kosovën” e me nëntitull: “Në kuadrin e nënkomisionit të OKB-së kundër diskriminimit dhe për mbrojtjen e minoriteteve në Gjenevë, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut u paraqit me një material të dokumentuar për format e ndryshme të diskriminimit që pushteti i Serbisë po i ushtron mbi shqiptarët”.

Në numrin vijues gazeta shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla…”. 

Një muaj më vonë, në 2 Tetor 1991, kam shkruar skicën me titull “Na e morën shkollën…”, botuar të nesërmen – në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”:

“NA E MORËN SHKOLLËN…”

Dy tetor ’91, ora tetë e tridhjetë e pesë, gjashtë, shtatë…minuta. Përjashta shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në rrugë, shumë fëmijë – nxënës, edhe arsimtarë e prindër të fëmijëve shqiptarë. Te dyert e shkollës – policia.

Brenda në shkollë, nga dritaret e mëdha, shihen klasët e zbrazëta, edhe klasë ku mësim ka vetëm – serbisht.

Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nuk u lejohet të hyjnë në shkollë. Në sytë e fëmijëve lotët: “Na e morën edhe shkollën…”

Fëmijët serbë e malazez nga dritaret e shkollës i gërgasin fëmijët shqiptarë, ua ngrenë tre gishtërinj, i shajnë…(O zot, a edhe fëmijët i mbushën mizori, si mundet i madhi t’ia jepë të voglit atë mësim të keq?!)

Fëmijët shqiptarë as që shikojnë andej. I shikojnë punët e veta dhe protestojnë qetë, me urti. Nuk ua tremb qetësinë as aeroplani ushtarak plot zhurmë që fluturon mbi qytet, mbi kokat e tyre. Duket se asgjë më nuk u bën përshtypje, nuk i tremb, as ai “zog frikësimi” në hava.

Qëndrojnë, protestojnë, nuk pajtohen kurrësesi t’ua marrin shkollën.

            Shkollën me emrin e bukur të tribunit Hasan Prishtina. Ai ua mëson nga përjetësia e librat edhe këtë trimëri të urtisë…

NË GJYQIN NDËRKOMBËTAR TË HAGËS DËSHMI EDHE MBYLLJA E SHKOLLAVE SHQIPE NË KOSOVË

E nxjerrë, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës së ndaluar Rilindja, gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe doli deri në prag të vitit 1999, kur edhe ajo u ndalua dhunshëm nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Edhe në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, ku kishte përfunduar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit presidenti serb Slobodan Milosheviç – i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, në Maj të vitit 2002 Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka folur për okupimin që iu bë Kosovës dhe dhunën e egër të forcave serbe, edhe për dëbimin e shqiptarëve nga puna, mbylljen e shkollave dhe universitetit  shqip, mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në gjuhën shqipe dhe ndalimin e gazetës Rilindja – të vetmes gazetë të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë. Dr. Rugova ka theksuar se pas mbylljes së shkollave fillore, të mesme dhe Universitetit u organizua sistemi i mësimit në shtëpitë private që bota e ka quajtur “sistemi paralel” dhe se kjo ka vazhduar deri në vitin 1999…

By admini