Nga Frank Shkreli
Përfaqësia e përherëshme diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të drejtave të njeriut — një shqiptar dhe një amerikan –Dr. Ibrahim Rugovën dhe Kongresistin Xhon Luis, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë, pa dallim.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njofton publikun nepërmjet një deklarate, në portalin e saj të fejsbukut se, në ditët e ardhëshme, do të kujtojë heronjë dhe udhëheqës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre në jetën publike, kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha, liritë bazë të njeriut, individë të cilët edhe kanë vepruar në mbrojtje të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë njerëzit kudo dhe pa dallim. Fillimisht, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë ditët e fundit, në moshën 80-vjeçare — e të cilët kujtohen si udhëheqës me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë vepruar e punuar, por edhe më gjërë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett
Duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë mbetën bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale.
Në njoftimin e ambasadës amerikane jepet një përshkrim i shkurtër i secilit prej këtyre burrave, për të shpjeguar arsyen se pse, pikërisht, këta të dy u përzgjodhën. Në kohën e tyre ata u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në luftën për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut, njëri në Shtetet e Bashkuara e tjetri në Kosovë.
Në njoftimin për përzgjedhjen e ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova thuhet: “Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Ai ishte shkrimtar, akademik dhe politikan që zbatonte dhe mbronte një politikë të rezistencës paqësore ndaj sundimit serb, në fushatën e tij për të siguruar lirinë dhe pavarësinë për Kosovën shtet-të pavarur dhe sovran. Fushatën e tij për liri ai e kishte bazuar në fushatat për liri dhe për të drejta civile në modelin e qendresës së Gandhit (në Indi) dhe Martin Luther King-ut (në Amerikë). Ai besonte në fuqinë e politikës dhe jo në dhunën”, për të realizuar objektivat e tija, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë. Aty citohen edhe fjalët e Ibrahim Rugovës që përmbledhin, pak a shumë vizionin e tij për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të marrëdhënieve me jashtë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur dhe demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi të qëndrueshme, një Kosovë të integruar në BE, NATO dhe me marrëdhënie të mira dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkluara të Amerikës”, përfundon citati i Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, botuar në faqen zyrtare fejsbuk të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Kongresisti Xhon Luis, njëri prej bashkpuntorëve më të ngushtë të udhëheqsit të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara Martin Luther King-ut gjatë 1960-70-ave, ishte një politikan amerikan dhe udhëheqës i lëvizjeve për të drejtat civile gjatë disa dekadave,por edhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan nga shteti Xhorxha, duke filluar nga viti 1987 e deri që ndërroi jetë, disa ditë më parë, nga një sëmundje e rëndë. Në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë citohet kongresisti Luis për bindjet e tija se, “Asgjë nuk mund të ndalojë fuqinë e një populli i cili është i përkushtuar dhe i vendosur për të bërë ndryshime në shoqërinë tonë. Pse? Sepse qeniet njerëzore janë lidhja më dinamike me Hyjnoren në këtë planet.”, ka thënë Lewis.
Kongresisti Xhon Luis gjithë jetën e tij luftoi për të drejta të barabarta për vetën dhe për të tjerët, përfshir komunitetin e tij afrikano-amerikan. Ai gjithmonë inkurajonte aktivistët e tjerë dhe qytetarët e thjeshtë që, “Mos ki frikë të bësh pak zhurmë dhe të shkaktosh telashe apo, ato që ai i quante “probleme për të cilat ia vlen të bëhet zhurmë, probleme që janë të nevojshme”, për të tërhequr vëmendjen e pushterarëve dhunues të lirive dhe të drejtave që duhet të jenë të barabarta për të gjithë. Xhon Luis, konsiderohet si njëri prej “6 të mëdhejve”, të Lëvizjes së të Drejtave Civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që punoi gjithë jetën e tij për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të afrikano-amerikanëve. Trashëgimia e tij, në mbrojtje të këtyre të drejtave dhe lirive, vazhdon edhe sot ndërkohë që përball nevojës për veprim dhe për protesta në mbrojtje të këtyre të drejtave të njeriut, fjalët e tija gjithnjë rezonojnë në veshët e atyre që ndoshta hezitojnë të aktivizohen në mbrojtje të këtyre të drejtave : “Nëse jo ne, atëherë kush? Nëse jo tani, atëherë kur?
Nuk e dij se ide e kujt është kjo nismë që ka ndërmarrë ambasada amerikane në Prishtinë, por është vërtetë një ide unike dhe me vlerë –për të venë në dukje personat që ndajnë të njëjtat vlera – qofshin personalitete të njohura ose jo, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova. Ndoshta nga shembulli amerikan, ndoshta jo, por Rugova shpesh fliste për faktin se shqiptarët e Kosovës 30-vjet më parë e kishin humbur frikën që mund të kenë pasur nga regjimi diktatorial komunist sllav, ndërsa kërkonin trajtim dhe të drejta të barabarta nga okupatorët serb. Dr. Rugova ishte shprehur në atë kohë se kemi humbur frikën por edhe “kemi arrijtur që të lirohemi edhe brenda vetvetes”. Sikur shqiptarët e Kosovës, në fillim të 90-ave, i ishin përgjigjur pyetjeve për të cilat njihej Xhon Luis: “Nëse jo ne, atëherë kush? Nëse jo tani, atëherë kur?
Bazuar në këto vlera të përbashkëta që, sipas ambasadës amerikane në Kosovë, pasqyrohen nga Ibrahim Rugova dhe Xhon Luis, Presidenti historik i Kosovës i vuri gur-themelet miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, duke forcuar kështu mëtej lidhjet e forta midis dy kombeve tona, bazuar pikërisht në këto vlera të përbashkëta universale, për liri dhe drejtësi, për të gjithë dhe pa dallim. Përveçse ndante dhe mbronte vlerat kombëtare dhe universale, Dr. Ibrahim Rugova u ofronte bashkbiseduesve edhe urtësinë e shqiptarit, vlerat e miqësisë dhe të qëndresës tradicionale, që pasurojnë vlerat universale, së bashku me besën, nderin e burrërinë, vlerata dalluese të Kombit shqiptar.
Presidenti Rugova besonte se bota, sidomos ajo perëndimore, do të kishte respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse ata do t’u përmbaheshin këtyre vlerave bazë të identitetit të tyre arbëror. Dr. Rugova ishte një burrështeti shqiptar ndryshe – ai jo vetëm që I mbronte si vlera të shtrënjta kombëtare, por edhe frymëzohej nga këto virtyte. Ai me durim, guxim e besim — fillojë të shpaloste para botës – në përputhje me vlerat perëndimore dhe universale — dinjitetin dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve, të nepër-këmbura për më shumë se 50 vjetë nga një ideologji sllavo-komuniste e anti vlerave perëndimore, por krejt e huaj dhe armiqësore edhe ndaj vlerave, kulturës dhe traditave më të mira shqiptare.
Ishin këto vlera, mbi të cilat Dr. Rugova dëshironte që të ndërtonte shtetin e Kosovës dhe jo bazuar në një ideologji të huaj sllavo-komuniste ose në trashëgiminë e saj autoritare, por mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë të Kombit, në harmoni të plotë me vlerat e njohura universale për liri dhe të drejta të barabarta — themelore dhe të pa mohueshme për të gjithë njerëzit pa dallim.
Është inkurajues fakti që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ve në dukje, në këtë mënyrë publike, se besimi në vlerat e përbashkëta amerikano-shqiptare që ndante Presidenti Ibrahim Rugova me kongresistin amerikan, Xhon Luis, është mënyra më e mirë për të ndërtuar institucionet e shtetit të Kosovës dhe për të forcuar mëtej miqësinë dhe bashkpunimin me Shtetet e Bashkuara. Kam drojë se marrëdhniet e Kombit shqiptar me Amerikën kanë hyrë në binarë krejt ndryshe nga ato që dëshironte President Ibrahim Rugova. Klasa aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, do bënte mirë të nxirrte mësime edhe nga simbolikat. Shqiptaria ka nevojë për burrshtetas si Ibrahim Rugova, vërtetë një burrë vlerash universale dhe kombëtare! Krenar që e kam njohur!
Frank Shkreli