Nga Leonard Veizi

Doruntina udhëtoi me fantazmën e vëllait të saj të vdekur mbi një kalë të hazdisur, por mbërriti në shtëpinë e nënës gjithsesi. Ndërsa princi Gjon Vladimiri, mori kokën e tij të prerë, “dhuratë” nga pabesia e vëllait të gruas dhe po mbi një kalë udhëtoi nga Ohri për të mbërritur në rrethinat e Elbasanit, në një kishë të vogël ku donte t’i prehej trupi. Prej asaj kohe Gjon Vladimiri u kthye në shenjt, ndërsa vetë vendbanimi mori emrin Shijon, një trajtë e shkurtuar e “Shën Gjon”. Kjo ka ndodhur të paktën 1000 vite më parë…

…Makina “Benc Mercdez”, një diesel prodhim i vitit 1992, kaloi traun e doganës pasi la pas tabelën ku shkruhej “Dobrodosli Cerna Gora” por dhe “Welkome Montenegro”. Kishim hyrë në territorin e Malit të Zi. Si pjesë e ekipit të Televizionit Shqiptar, ishim nisur nga Tirana me destinacion Krajën e për më saktë fshatin Vladimir, pjesë përbërëse e saj.

Udhëtimi qe i shkurtër dhe vendasit, shqiptarë gjithashtu, na ndihmuan të shkojmë deri tek objektivi ynë, rrënojat e kishës “Virgjëresha e Krajës”, në zonën e Krajës apo të Katërkollës, që ndodhet fare pranë Shkodrës dhe Ulqinit. Pikërisht në atë vend gjenden dhe gërmadhat e shtëpisë princërore të Gjon Vladimirit.

Vladimir, Krajë – Rrënojat e kishës “Virgjëresha e Krajës”

Zbulimi i eshtrave

E nisëm odisenë tonë për të zbuluar sa më shumë nga një histori 1000 vjeçare e vjetër, pasi në media një lajm kishte marrë dhënë: në arkivën e Muzeut Historik Kombëtar, të pluhurosur e të hedhur në një cep, ishin gjendur dy kuti argjendi të zbukuruar me ornamente të çuditshme të cilat arkivonin eshtra të vjetra të ruajtura me kujdes. “Ngazëllohuni o besëmirë të qytetit të Durrësit, të Tribalëve, ndërsa i faleni lipsanit të shenjtë”. Ky ishte mbishkrim në greqishten bizantine mbi njërën prej kutive të gjetura.

Në vitin 2016 kur u bë ky zbulim, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar ishte Melsi Labi.

Me një urdhër të thjeshtë administrativ, ai kishte kërkuar të bëhej gjithë kartelizimi për studimin shkencor të fondit të institucionit. Dhe pikërisht nga disiplinimi i kësaj pune u rizbuluan lipsanet, apo eshtrat thënë shqip, e një njeriu të shenjtë. Aty ruheshin prej vitesh pjesë kockash nga të shenjtit Gjon Vladimiri.

Kaq duhej që të ringjallej një histori shumë pak e trajtuar, dhe e njohur më së gjeri vetëm prej specialistëve; historianë dhe arkeologë.

Në tërësinë e saj historia e Gjon Vladimirit ka qenë gjithnjë ngushtësisht e ndërthurur me legjendën. I mahnitur nga kjo e histori që se kisha dëgjuar kurrë më parë, në mendjen time fabula e gjetjes së eshtrave, por dhe jeta e vdekja e shenjtit, vinte përmes një gjuhe filmike. Propozimin tim për të realizuar një dokumentar me këtë temë, gazetari i mirënjohur i Televizionit Shqiptar, Kliton Nesturi, iu përgjigj pozitivisht. Ekipit iu bashkangjit dhe operatori i talentuar Edmond Muka. Dhe nisëm të zbulonim historinë përmes objektivit të kamerës.

Melsi Labi – historian, arkeolog

Shenjti që i përket shqiptarëve

Por kush ishte Gjon Vladimiri?

Në burimet sllave ai mban emrin Ivan. Shqiptarët e quajnë Gjon. Në histori, Gjon Vladimiri njihet si princi i shekullin XI në krahinës së Krajës pranë Ulqinit. E gjithë krahina ka qenë dhe është e banuar nga popullsi iliro-shqiptare. Ai u lind në fshatin Vladimir të Krajës e cila sot administrativisht bën pjesë në Malin e Zi. Historianët thonë se babai i tij, Nemani, ka qenë mbret i Ilirisë, Malit të Zi, Dalmacisë, Bosnjës dhe i disa krahinave të Greqisë deri afër Prevezës. Nëna, Ana Romea kishte gjithashtu origjinë mbretërore nga fiset e Tribalëve të Arbërisë. Thënë shkurt: Gjon Vladimiri ishte një princ që i përkiste Ilirisë.

Moikom Zeqo, studiues, arkeolog

Moikom Zeqo, në studim e botuar prej tij: “Një mijë vjetori i shën Gjon Vladimirit, historia dhe kulti ekumenik” shkruan: “Kultizimi dhe shenjtërimi i Gjon Vladimirit u bë në mënyrë popullore dhe në një mjedis tipikisht shqiptar. Shumë dijetarë e quajnë Gjon Vladimirin me origjinë sllave… Shikoni pikat gjeografike të tri qendrave të ndërtimit të këtij shenjti. Kraja shqiptare, Durrësi shqiptar dhe Elbasani shqiptar. Nëse nuk merret parasysh ky realitet etnik, nuk mund të kuptohet fare as procesi i shenjtërimit, as prologu dhe deri diku as epilogu i historisë së eshtrave të shenjta.”.

Tezën se Gjon Vladimiri ishte me origjinë shqiptare e mbron edhe Melsi Labi, me profesion historian e arkeolog, i cili gjatë intervistës për dokumentarin u shpreh: “Megjithëse shumë kërkojnë ta sllavizojnë, ta quajnë si një hero të huaj që ka dashur në mbrojtje toka shqiptare, unë do të thosha jo. Ai ishte një princ që kishte dhe në vetvete dhe në trashëgimi një pjesë të mirë të tokave të Dalmacisë dhe të Shqipërisë së sotme”.

Reshat Gega, arkitekt e restaurator

Ndërkohë, Reshat Gega, arkitekt e restaurator, po për dokumentarin tha: “Në kohën kur ishte shtrirë despotati i Epirit deri mbi Shkodër e cila kapte dhe trevën ku ndodheshin eshtrat e Gjon Vladimirit, despoti i Epirit, Mihal Engjëlli, i mori eshtrat e tij nga Kraja dhe i solli në Durrës. Kjo është shumë e rëndësishme dhe nga pikëpamja historike por edhe nga pikëpamja etnike. Shumë e rëndësishme është momenti i dytë i lëvizjes së eshtrave nga Durrësi për në Elbasan, të bërë nga princi Karl Topia. Edhe këtu kemi të dhëna, por vijnë dhe mesazhe: këta dy persona, me origjinë shqiptare, përse i kanë lëvizur eshtrat e shenjtit?”

Por në ndihmë na vjen dhe studimi i albanologu i njohur kroat, Milan Shuflai, i cili shkruan: “Kulti i Gjon Vladimirit përbën një nga legjendat më të mëdha dhe më të rëndësishme të krishtera për gjithë Ballkanin. Ky kult ka lëvizur vetëm në qarkun etnik shqiptar, brenda për brenda mjedisit shqiptar e megjithatë është nderuar edhe nga sllavët e Jugut”.

Gjon Vladimiri me kokën e prerë në dorë – Ikona e Konstandin Shpatarakut

Historia dhe legjenda

Kur Gjon Vladimiri trashëgoi fronin, ishte epoka e ekspansionit bullgar të car Samuelit, i cili pushtoi Shqipërinë, Maqedoninë dhe Thesalinë, duke arritur deri afër Kostandinopojës.

Kur cari bullgar deshi të pushtonte tokat e Dalmacisë, princi Gjon u ngjit me ushtrinë e tij në malin e Oblikës. Cari i dërgoi një lajmëtar për ta bindur të dorëzohej, por ai nuk pranoi. I tradhtuar, Gjon Vladimiri u kap rob dhe dërgohet në Ohër ku ishte oborri i carit.

Këtu historia merr një tjetër rrjedhë. Samueli kishte një vajzë, të quajtur Kozara, e cila vizitonte vazhdimisht burgjet, u lante këmbët të burgosurve e u jepte ngushëllim. Aty ajo njohu Gjon Vladimirin me të cilin u dashurua. Kozara i kërkoi të atit të martohej me princin e burgosur. Dikur, Cari e pranoi kërkesën e së bijës. Me synimin për ta pasur aleat ai i dha Gjon Vladimirit si prikë, sundimin mbi ish-principatën e tij, por dhe i dhuroi disa toka nga territori i Shqipërisë së asaj kohe.

Në fillim të shek. XI, perandori i bizantit, Vasili II, i shpalli luftë mbretërisë bullgare. Në këtë luftë Gjon Vladimiri u bashkua me Bizantin. Më 29 korrik 1014, në betejën që u zhvillua në brigjet e Strumicës Vasili II e shpartalloi ushtrinë e Samuelit. Pas humbjes cari bullgar vdiq nga hidhërimi. Djali i tij, Gabriel Radomiri mori pushtetin, por u vra një viti më pas nga vëllai i tij prej nëne, Ivan Vladislavi. Ky i fundit, pasi mori fronin e Bullgarisë, u përpoq të shtrinte ndikimin edhe në mbretërinë e kunatit të tij, Gjon Vladimirit.

Si historia, ashtu edhe legjenda thonë se ai e ftoi Gjonin për një vizitë në oborrin e tij në Ohër dhe pas një kurthi, tentoi t’í priste kokën me shpatë. Por meqenëse një gjë e tillë nuk funksionoi, Gjon Vladimiri i dha shpatën e tij me qëllim që kunati i pabesë ta çonte deri në fund mëkatin e tij të madh. E megjithëse koka iu pre, legjenda thotë se, të gjithë të pranishmit e panë të gjallë të merrte me dorën e majtë kokën e tij sepse me të djathtën shtrëngonte një kryq. Ai udhëtoi mbi kalë deri në kishën që kishte ndërtuar vetë dhe që ishte vendi ku sot ngrihet manastiri me emrin e tij në Shijon të Elbasanit. Dhe aty mbeti.

Kjo ka ndodhur më 22 maj të vitit 1015.

Kisha e Shën Gjion Vladimirit – Shijon, Elbasan

Shenjti që u varros tri herë

Po pse shenjtërimi dhe kultizimi i tij u krye të tokat shqiptare?

Qe pikërisht kryengritja kundër bullgarëve, e cila bëri që shqiptarët në Krajë, në Ulqin e më gjerë ta cilësonin princin Gjon një martir për lirinë e tyre. Por Gjon Vladimiri ishte dhe një princ që me ndikimin e tij përhapi frymën ortodokse pikërisht në ato vite të trazuara përplasjesh mes Romës dhe Konstandinopojës, gjë që u reflektua me ndarjen e dy kishave pak kohë më vonë, pikërisht në vitin 1054.

Moikom Zeqo thotë se qenë shqiptarët ata të cilët pa asnjë akt zyrtar kanunizues e shpallën Gjon Vladimirin një shenjtor të madh.

Pas vdekjes, eshtrat e Gjon Vladimirit u ruajtën në kishën e “Shën Mërisë”, apo siç njihet ndryshe dhe “Virgjëresha e Krajës”. Në vitin 1215 despoti Mihal Komneni i mori eshtrat e shenjta të Gjon Vladimirit nga Kraja dhe i vendosi në Durrës ku ato u nderuan nga besimtarë të dy kishave, Lindore dhe Perëndimore. Por në vitin 1381 Karl Topia, një princ shqiptar me shumë ndikim, që i përkiste besimit katolik, pasi pushtoi Durrësin, i mori eshtrat e Gjon Vladimirit dhe për adhurimin e tyre, ngriti në vendin e një kishe të vjetër, kishën dhe manastirin ortodoks, aty ku sot gjendet fshati Shijon në rrethinat e Elbasanit, e që në fakt është një trajtë e shkurtuar e emrit “Shën Gjon”. Është pikërisht vendi ku Gjon Vladimiri, ndaloi me kokën e prerë.

Po pse pikërisht në këtë vend?

Legjenda thotë se një ditë Gjon Vladimiri kishte dalë për gjah. Papritur ai pa një shqiponjë të artë me një kryq të shndritshëm në qafë. Duke u përpjekur ta kapte princi u fut thellë në pyll. Dikur shqiponja qëndroi dhe u kthye në një engjëll të shndritshëm. Gjon Vladimiri u përkul para saj. Nga ai çast vendosi që pikërisht në atë vend të ndërtonte një kishë për nder të Shën Marisë. Atje shkonte vazhdimisht për t’u lutur. Është pikërisht vendi në afërsi të Elbasanit ku sot ngrihet manastiri me emrin e tij. Në këtë manastir, për shumë e shumë vite ka pasur vendndodhjen sarkofagu që kishte brenda pjesët e kockave të shenjtorit.

Por dhe vetë ndërtesa e manastirit pati një jetë të trazuar. Është shembur nga tërmetet, është djegur dy herë nga flakët e Luftës së Dytë Botërore e si për ironi të fatit gjatë viteve të diktaturës, prej shqiptarëve ateistë, nga një vend kulti u kthye në një depo armatimi. Për 30 vjet, manastiri, kisha e gjithçka përreth u kthyen në zonë ushtarake. E megjithatë u ringrit.

Të gjitha këto, na i rrëfen At Irine Gega, prifti i kishës së Shën Gjon Vladimirit në Shijon-Elbasan, i cili na hap derën e manastirit dhe na shoqëron kudo kërkojmë të regjistrojmë me kamerën tonë, për të realizuar dokumentarin me titull “Shenjti kryeprerë -Gjon Vladimiri”.

At Irine Gega, prifti i kishës së Shën Gjon Vladimirit

By admini