Nga Qani  Osmani

Interes të veçant për hulumtuesit e partive politike zgjojnë edhe raportet ndërmjet anëtarësisë së rëndomt dhe udhëheqjes partiake në të gjitha nivelet e organizimit partiak. Edhe pse në shikim të parë, por edhe nga vetë dokumentet partiake proklamohet një politikë e cila në spikamë e ve anëtarin e rëndomtë, nga e cila në raste të shumta krijohet opinion se udhëheqja partiake çdoherë është në shërbim të shumicës, respektivisht se ajo çdoherë është në dimensionin e jetësimit të politikës partiake të cilën me aktivitetin e vet e ndërton anëtarësia e rëndomtë, analizat më të thella zakonisht zbulojnë se thuajse pa përjashtime, ose me përjashtime të vogla, udhëheqja partiake është në të njëjtën kohë edhe kreatore edhe realizuese e politikës partiake çdoherë në emër të shumicës, ndërsa në parim, në interes të pakicës.

Megjithatë, kur flitet për raportet anëtarësi e rëndomtë-udhëheqje partiake, duhet të kemi parasysh se është fjala për procesin e krijimit të politikës partiake dhe procesin e vendimarrjes, me ç’rast raportet analizohen në parim nga një aspekt praktik. Praktika e veprimit të partive ofron shembuj të shumtë ku anëtari i rëndomtë, respektivisht anëtari i partisë i cili nuk është bartës i ndonjë funksioni partiak, ka pushtet efektiv shumë më të madh se funsionarët e organeve më të larta partiake. Bëhet fjalë për “personat me merita të veçanta” për partinë ose persona që janë të afërt me “liderët e vërtetë” të partisë. Gjithashtu në partitë politike e sidomos në partitë politike të vendeve në tranzicion, pothuajse është e rëndomtë dukuria e zgjedhjes së një ose më shumë personave në organet më të larta partiake vetëm e vetëm për t’u kënaqur forma, për të qenë një degë e partisë politike ose një rajon më i gjërë i përfaqësuar në stafin udhëheqës të partisë, ndërsa po i njejti person (ose persona) të mos kenë “pushtet politik” brenda partisë as sa anëtari i rëndomtë, kështu ai person duke e luajtur rolin e (mbretëreshës angleze) në parti ndihmon të realizohet thënia popullore “edhe ujku i ngopur edhe delet në numër”. Kjo që u tha më lartë e që do ta kisha quajtur si “manipulim demokratik i demokracisë brendapartiake”, është një formë mjaftë e pranishme në veprimin e partive politike.

Në qoftë se u hedhim një shikim dokumenteve partiake e sidomos statuteve të partive politike, do të vijmë në përfundim se shumica e tyre e proklamojnë barazinë e anëtarësisë, duke i theksuar të drejtat dhe obligimet e anëtarit. Por, gjthsesi duhet thënë se lloji dhe numri i të drejtave demokratike nuk janë të njëjta dhe as që realizohen në përmasa të njëjta në të gjitha partitë politike. Një numër i hulumtuesve thotë se, elita partiake në mënyrë të drejtpërdrejtë e ushtron pushtetin në të gjitha partitë politike llogaritur këtu edhe partitë demokratike, ndërsa anëtarësisë së rëndomt e cila në të vërtetë paraqet masën partiake, i mbetet të përcaktohet se cilën pjesë të elitës partiake do ta mbështesë që ta ushtrojë pushtetin brenda, përbrenda partisë politike. Prandaj, sipas tyre, demokracia partiake në parim është demokraci e tërthortë, demokraci indirekte.

Në parim edhe pse nuk mund të kontestohet se njëra nga faktorët që ndikon në ndarjen e anëtarësisë partiake në “masa” dhe “elita” partiake është në një kontekst më të gjërë ajo që i themi “kompetencë” e cila gjithsesi në vete e ngërthen fondin e dijes së anëtarit, përvojën politike, kulturën politike etj.,praktika e veprimit të shumë partive politike e në këtë rastë veçmas të partive politike shqiptare në Mal të Zi, ofron dëshmi të mjaftueshme se oligarkitë partiake nuk kanë ndonjë disponim të veçantë për njerëzit e informuar, politikisht të formuar, profesionalisht të përgaditur, e sidomos për ata që në segmentet e theksuara janë mbi nivelin e elitës vendimëmarrëse në partitë politike. Domethënë, ndarja e anëtarësisë partiake në masë dhe elita partiake nga prizma e kompetencave nuk guxojmë ta pranojmë pa kurrfarë rezerve, nga shkaku se në formimin e elitës partiake ndikojnë më shumë faktorë në mënyrë të gërshetuar.

Praktika e veprimit të partive politike ç’është e vërteta, qartë tregon se në procesin e krijimit të politikës partiake dhe vendimmarrjes ka dallime të dukshme nga aspekti i pozitës së partisë ndaj shtetit, respektivishtë nga aspekti se a është partia politike në “pozitë” ose në “opozitë”. Zakonishtë derisa partia politike gjendet në opozitë, ajo insiston të ndërtojë raporte më të përafërta ndërmjet anëtarësisë së gjërë dhe udhëheqjes. Këtë duhet kuptuar si gjë normale nga shkaku se gjatë kohës kur partia politike gjendet në opozitë, ndërmjet anëtarëve të partisë ndahen vetëm obligimet. Udhëheqja partiake ndarjen e obligimeve nuk e sheh me xhelozi dhe nuk ndjen ndonjë nevojë të veçantë që të krijojë ndasi të mëdha nga masa partiake. Megjithatë, prej momentit kur partia vjen në pozitë, me ç’rast privilegjet janë mjaftë tërheqëse, ndërmjet udhëheqjes partiake dhe anëtarësisë së rëndomtë ngrihen “mure kineze”. Udhëheqësia partiake anëtarësisë së rëndomtë qartë ia bën me dije se kush çka paraqet në parti, respektivisht, kush ku e ka vendin. Vet pozita që dikush dikujt t’i mundësojë sigurimin e vendit të punës, vend udhëheqës në administratën lokale dhe shtetërore dhe beneficione të tjera të shumta, i krijon raportet e varshmërisë dhe liderizmit brenda partisë politike. Bashkëmendimtarët të cilët deri dje kanë patur pozita të njëjta në hierarkinë partiake, me ardhjen e partisë në pozitë krijojnë pozicione të reja, pozicione të varshmërisë.

Është fshehtësi publike se personat të cilëve partia ua beson politikën kadrovike, janë më të privilegjuarit në parti gjatë periudhës së qeverisjes së partisë. Por, nga ana tjetër, në qoftë se udhëheqja partiake nuk është e përgatitur që në mënyrë efikase ta mbajë drejtpeshimin duke mbajtur llogari si për anëtarësinë e gjërë ashtu edhe për strukturat udhëheqëse, e në veçanti për interesat e krijuara brenda udhëheqjes partiake, shumë lehtë mund të vijë deri te formimi i grupeve të pakënaqura dhe fraksioneve të cilat shpesh si epilog të fundit i kanë përëplasjet dhe në instancë të fundit edhe përçarjet definitive në parti. Dukuritë e këtilla kanë qenë mjaftë të pranishme edhe te partitë politike shqiptare që veprojnë në Mal të Zi.

Partitë politike që veprojnë sot në skenën plurale të Malit të Zi, në vete i përmbajnë të gjitha tendencat që i kanë karakterizuar partitë politike në fazat e ndryshme të veprimit të tyre politik. Edhe pse këto parti politike (shumica e tyre) lindën si rezultat i një pakënaqësie të veprimit të Lidhjes Komuniste si parti që kishte monopol mbi rrjedhat e përgjithshme shoqërore dhe pritej që ato ta eliminojë gjithë atë që e karakterizonte periudhën e njëmendësisë, siç duket e kanë shumë vështirë t’i lënë anësh karakteristikat e organizimit politik të së kaluarës. Edhe pse shumica e partive politike të sotme që veprojnë në skenën politike të Malit të Zi, deklarativisht hedhin “gurë e dru” ndaj të kaluarës duke i kritikuar pandërprerë format e veprimit të ish-LKJ-së, ato në veprimin e tyre praktik në shumëçka mbeten në po të njëjtat dimensione. Mendoj se nuk gabojmë në qoftë se të gjitha partitë politike që sot veprojnë në skenën politike të Malit të Zi i quajmë me një emër të përbashkët “parti të periudhës së tranzicionit”. Për qytetarët e këtij shteti, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, do të kishte qenë shumë mirë që partitë ekzistuese që nuk e posedojnë “kondicionin e duhur politik” sa më parë të zhduken nga skena politike dhe në vend të tyre të vijnë parti të cilat do t’i kenë të gjitha predispozitat që të udhëheqin me shtetin në shekullin XXI.

By admini