“Sot heshtja mbaron” – “Serbia të kërkojë falje”
Nga Frank Shkreli
Ndërkohë që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u angazhua, paturpësisht, ditët e fundit – me rastin e 19-vjetorit të Masakrës së Reçakut — se “çdo ditë do të përsëris së masakra e mbi 40 shqiptarëve civilë të pafajshëm të Kosovës, ishte një mashtrim dhe një krim i fabrikuar” — në Hot të Malësisë së Madhe, ditën e shtunë u zbulua Memoriali kushtuar viktimave të Masakrës së Hotit, të vitit 1919. Pikërisht, ashtu siç ka për qëllim Vuçiqi që të harrohet masakra e Reçakut – ashtu edhe Masakra e Hotit e vitit 1919 e mbi 70-burrave malësorë, nga forcat serbo-malazeze të asaj kohe, kishte mbetur në heshtje deri më sot. Ata ishin vrarë, pabesisht, Ditën e Krishtlindjeve të atij viti.
Në Memorial shënohet se ishte 25 dhjetori i vitit 1919 kur forcat ushtarake dhe civile serbo-malazeze hynë tradhëtisht në Hot dhe në familjet hotjane duke marrë peng dhjetra kryefamiljarë dhe djem të rinjë, të cilët u ekzekutuan në qytezën e Hotit me 25 Dhjetor, 1919. Lavdi këtyre Hotjanëve dhe të gjithë brezave të Hotit që kurrë nuk iu nënshtruan asnjë armiku të Kombit shqiptar.
Zbulimit të Memorialit i parapriu ceremonia fetare me një meshë në kishën katolike të Hotit, gjatë të cilës prifti i Hotit, Dom Ardian Arra u tha të pranishëmve se Zbulimi i Memorialit kushtuar burrave të pafajshëm, të ekzekutuar të Hotit, nga forcat serbo-malazeze dhe përkujtimi i tyre në këtë 100-vjetor, nuk po bëhet për qëllim hakmarrjeje, por me për të nderuar martirët dhe për të mos i harruar ata kurrë më, në heshtje. Njëri prej nismëtarëve të këtij projekti, Z. Lukë Junçaj u shpreh se me zbulimin e Memorialit, më në fund, “kemi bërë diçka për të afërmit tonë të masakruar, pabesisht, kemi vënë emrin e tyre këtu, për të mos i harruar kurrë, se i kemi pasur familjarët tanë”.
Memoriali është një kujtim i përhershëm i kësaj masakre dhe si rrjedhim, masakra e Hotit e vitit 1919 nuk do të jetë më në heshtje, deklaruan fund javën që kaloi pasardhësit e malësorëve të ekzekutuar 100-vjetë më parë!
“Sot heshtja mbaron! Sot gjyshi im dhe këta burrat e Malësisë të marrin respektin dhe nderimin që meritojnë”, deklaroi prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Junçaj gjatë ceremonisë së zbulimit të Memorialit Kushtuar Masakrës së Hotit të vitit 1919 – me rastin e 100-vjetorit të saj. Megjitëse i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai nuk e ka harruar origjinën e tij prej malësori. “Jam një pasardhës i një prej atyre që ne jemi sot këtu për t’i nderuar. 100 vite më parë dhjetra burra nga Hoti u ekzekutuan në një mal këtu afër Kushës. Këta burra nuk ishin ushtarë në kohë e lufte, por ishin thjeshtë djemtë e nënave, baballarët e fëmijëve, malësorë shqiptarë. Nuk kishte asnjë proces ligjor ose drejtësi përpara se të merrnin frymën e tyre të fundit. Siç ishte për gjyshin tim, vëllezërit dhe motrat e tij, nuk kishte përqafim të fundit për fëmijët e tyre. Nuk kishte as varrosje që ata e meritonin. Për 100 vjet, kishte vetëm heshtje. Heshtje dhe vuajtje për familjet e tyre. Sot, heshtja mbaron, sot gjyshi im dhe këta burra të Malësisë e marrin respektin e fundit që meritojnë. Edhe pse ata u zhdukën fizikisht, emrat dhe kujtesa e tyre do të jetojnë përgjithmonë”, u shpreh prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Junçaj, i cili për publikun shqiptar është i njohur si i dërguar i SHBA-ve në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si njëri ndër pjesëmarrësit në procesin e reformës në drejtësi, në Republikën e Shqipërisë.
Sipas disa mediave vendore, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, në ceremoninë në Kushe të Hotit, për Zbulimin e Memorialit Kushtuar Masakrës së Hotit, të Vitit 1919, morën pjesë shqiptarë dhe personalitete nga mbarë trojet shqiptare, përfshirë edhe zyrtarë përfaqsues të pushtetit vendas, si Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z, Tonin Marinaj dhe Nikollë Camaj, përfaqsues i Komunës së re të Tuzit. Z. Camaj u tha të pranishëmve se Shqiptarët dinë të jenë së bashku në fatkeqësi. Kjo u pa edhe në ngjarjet e fundit që tronditën Shqipërinë. Por, Shqiptarët nganjëherë harrojnë t’i bashkojë e mira, për të cilën kemi aq nevojë”, theksoi Z. Camaj. “Neve sot jemi të gjithë së bashku për të kujtuar sakrificat e mëdha, por në të njëjtën kohë edhe për të venë në dijeni për sakrificat dhe padrejtësitë, se viktimat që na i kanë shkaktuar të tjerët në të kaluarën, po kalojnë pa pasoja (për ata që i kanë kryer këto krime). Nuk mund të flitet për marrëdhënie të shëndosha me pasardhësit e atyre që na kanë shkaktuar dëme e dhimbje aq të mëdha, që na kanë shkaktuar serbo-malazezët. Prandaj nga ky vend, nga kjo foltore, nga kjo ditë që është tepër e rendësishme për këtë anë, dua të përcjellë mesazhin e nevojës që edhe sot në proceset e integrimeve të Ballkanit, përfaqsuesit tonë të kërkojnë nga përfaqsuesit serbo-malazezë, se ata kanë nevojë dhe obligim njerëzor, si fqinjë që jemi, se që të vazhdojmë jetën së bashku në fqinjësi të mirë, që së paku njëherë t’i këthejmë sytë nga e kaluara dhe të turpërohen para krimeve që na kanë shkaktuar, e na i kanë bërë”, shtoi Z. Nikoll Camaj. Përfaqsuesi i Komunës shqiptare të Tuzit, Z. Nikoll Camaj, me këtë rast u bëri thirrje serbo-malazezëve që të kërkojnë falje për këtë masakër dhe për të tjera, megjithëse u shpreh pesimist se një gjë e tillë do të bëhej nga ata. “Vështirë se mund të presim nga serbët dhe malazezët një gjë të tillë, por ama nuk do t’i kursejmë (me thirrjet tona) në këtë drejtim”, deklaroi përfaqësuesi i Komunës së Tuzit, Z. Nikoll Camaj.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj pati fjalë të mira për pasardhësit dhe familjarët e malësorëve të masakruar, pabesisht, nga forcat serbo malazeze 100-vjetë më parë, duke thënë se megjithse ata, “Jetojnë larg në diasporë nuk janë kursyer për të nderuar gjakun dhe sakrificën e të parëve të tyre, duke nderuar kështu Hotin dhe gjithë Malësinë e Madhe”, u shpreh Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Z. Tonin Marinaj, duke thekësuar kontributin e mërgimtarëve malësorë për trojet nga e kanë origjinën.
Sot, me zbulimin e këtij monumenti, kujtojmë të gjithë ata që u masakruan dhe ata që vazhdojnë të vuajnë padrejtësi nën regjime autoritare. Ky Memorial kushtuar malësorëve të masakruar nga serbo-malazezët në vitin 1919 na kujton se fryma e lirisë mbizotëron në zemrën e secilit prej nesh dhe se drita e lirisë nuk mund të shuhet as nga regjimet totalitare dhe as nga pushtuesit brutal. Liria është një dhuratë nga Perëndia! Ky Memorial është një monument për kauzën e lirisë dhe për luftën e malësorëve në mbrojtje të identitetit të tyre arbëror. Burrat e ekzektuar të Malësisë, të cilëve u kushtohet ky Memorial, pushofshin në paqë dhe shqiptarët anë e mbanë trojeve të tyre – përfshir edhe malësorët — të cilët vazhdojnë ende të vuajnë nga padrejtësitë dhe nga mungesa e lirisë së vërtetë, të gëzojnë më në fund liritë dhe të drejtat bazë të njeriut, liri dhe të drejta kombëtare, për të cilat u masakruan 71 malësorët e Hotit në vitin 1919, nag forcat serbo-malazeze.
Lavdi këtyre Hotjanëve dhe të gjithë brezave të Hotit që, në trojet e veta shekullore, kurrë nuk iu nënshtruan asnjë armiku të Kombit shqiptar. Urime edhe bijve, nipave e mbesave të tyre këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk i harrojnë, por e kujtojnë sakrificën e të parëve të tyre, në mbrojtje të Atdheut dhe të identitetit kombëtar të malësorit dhe të shqiptarëve në përgjithësi!
Frank Shkreli