Diskursi kulturor
Në sajë të kaluarës së tyre historike qytetët e vjetra janë shpallur monumente të mbrojtura më ligj dhe si të tilla janë në favor të avancimit të vlerave të përgjithshme e në veçanti të turizmit kulturor, ndërsa pjesë të tyre janë restauruar dhe përshtatur për veprimtari kulturore, të njohura me emërtimin skena verore, ku shfaqen programe kulturore, ndërsa në këtë aspekt përjashtim bën Kalaja e Ulqinit, e cila ndonëse ofron mundësi optimale deri më tash pushteti lokal nuk ka treguar interesimin e duhur për investime të tilla, nga del se kultura ka qenë vazhdimisht në margjina të interesimit të tyre si në të kaluarën edhe në ditët tona.
Nail Draga
Në kuadër të Kalasë së Ulqinit, përkatësisht të kompleksit muzeal ekziston Citadela, e cila është e njohur në popullatën vendase me emrin Shkalaja. Kemi të bëjmë me pjesën veri-lindore të Kalasë, që është pjesa më e lartë e qytetit ku gjurmet e banimit na çojnë deri në parahistori, ku janë të pranishën mbetje të gurëve ciklopikë. Kjo hapësirë deri para pak kohe ka qenë e pa restauruar, përkatësisht e pa konservuar dhe e pa përshtashme për vizitorë. Si e tillë ajo mund të trajtohet në shumë aspekte, ku vendin parësor e zenë ai historik, arkitektonik duke mos anashkaluar ate turistik. Dhe, nuk ka si të jetë ndryshe se kemi të bëjmë me pjesën integrale të këtij qyteti të vjetër me histori dymijë e pesqind vjeçare. Por, në sajë të rrethanave ekzistuese kjo pjesë e Kalasë nuk ka qenë e mundur të vizitohet nga turistët sepse ishte në gjendje të mjerueshme, përkatësisht e pa konservuar.
Por, me angazhimin e Qendrës konservuese e arkeologjike nga Cetina, në sajë të mbeshtetjës së një projekti nga Ministria e Kulturës, përmes Programit të Mbrojtjes dhe Ruajtjes të të Mirave Kulturore për vitin 2019. Skuadra multidisiplinore ishte e formuar nga ekspertët e konservimit, siç janë arkitekturët, historianë të artit dhe arkeolog, ku punimet në Shkala u realizuan gjatë muajve shkurt-mars 2019. Ishte ky angazhimi konkret pas vitit 1983, kur është bërë restaurimi komplet i Kompleksit muzeor të Ulqinit i cili ka qenë i shkatërruar nga termeti i vitit 1979.
Shkalaja hapësirë e pashfrytëzuar?
Në sajë të të dhënave historike, Kalaja e Ulqinit, fizionominë urbane e ka arritur në kohën e sundimit të Venedikut(1421-1571) duke vazhduar më pas nga Perandoria Osmane(1571-1880). Shkalaja i takon periudhës vendedikase, që dëshmohet edhe me mbishkrimin Johani Bolani, në murin që ndanë ate me sheshin e qytetit, i cili ka qenë fisnik venedikas, princ përkatësisht administrator i qytetit(1452-1456).
Pas, konservimit të saj, duke marrë parasysh sipërfaqën e saj dhe mundësitë teknike, pa dyshim se këtu ka mundësi realizimi i një mjedisi për skenë verore. Duke marrë parasysh mundësitë praktike, skena e tillë do të ishte e tipit të montuar metalik, ku do të kishte 130 vende, duke shtuar binën dhe dy dhoma për aktorët. Në sajë të strukturës ekzistuese, skena ka dy hyrje të veçanta njëra për publikun(lindje) dhe tjetra për aktorët(perëndim), duke krijuar një kompozicion aktraktiv dhe funksional.
Një skenë e tillë do të ishte e përhershme, sikurse e kanë edhe qytete të tjera në bregdet si Budva e Hercegnovi, duke qenë një kontribut veprimtarive kulturore në qytetin e Ulqinit. Kujtojmë me këtë rast se gjatë verës në hapësirat e kompleksit të Muzeut në Ulqin organizohet festivali tradicional “Skena verore” tash tri dekada, Por, çështje në vete e kësaj veprimtarie vazhdimisht ka paraqitur skena, sepse ajo nuk ishte e përhershme, por improvizohej çdo verë, herë në njerën apo anën tjetër varësisht prej shijes së drejtuesve të këtij festivali.
Duhet punuar projekti ideor
Fillimisht duhet të punohet në projektin ideor që më pas duhet të mbeshtetet nga pushteti lokal i Ulqinit, por edhe nga subjekte e donator të ndryshëm. Por, sipas disa të dhënave një projekt i tillë nuk paraqet ndonjë ngarkesë të madhe financiare, është e logjikshme qe një projekt i tillë duhet të jetë pjesë e investimeve kapitale të komunës së Ulqinit për vitin vijues. Do të ishte ky investimi i parë kapital në kompleksin e Muzeut pas vitit 1983. Pikërisht modelet identike nga qytetet e tjera duhet të merren në konsiderim dhe përshtatur mjedisit përkatës në citadelën e Ulqinit.
Në Kala si monument kulture i kategorisë së parë përkatësisht në kompleksin e Muzeut, turistët kanë mundësi të vizitojnë muzeun arkeologjik, etnografik, kullen e Balshajve, murin ilir dhe pjesë të tjera, ku duhet shtuar edhe Shkalanë. Rrallë kund mund të ketë një sipërfaqe kaq të vogël, e të gjinden monumente të tilla, nga koha antike e deri në ditët tona.
Shkalaja do të jetë në shërbim të vizitorëve duke qenë një ofertë plus për turizmin kulturor, sepse nga bedemat e saj kemi një pamje ekskluzive në pjesën veri-lindore të qytetit të Ulqinit.
Përfundimisht mungesa e një skene të përhershme dhe funksionale do të zgjidhte shumë probleme të infrastrukturës organizative e cila do të ishte në favor të komunitetit artistik në Ulqin. Mbetet që kjo çështje të mos mbesë vetëm si ide dhe preokupim i rastit, por të avancohet në adresen e duhur, fillimisht në drejtim të pushtetit lokal e më pas edhe gjetiu, për të siguruar mbeshtetje logjistike dhe financiare, për realizimin praktik të një ideje të tillë. Sepse një skenë e tillë nuk ndikon në humbjen e vlerave të këtij monumenti historik, por përkundrazi bëhët valorizimi dhe avancimi i përgjithshëm i tyre, si kudo në botën e qytetëruar.
(Tetor 2019)