
Gjekë Gjonlekaj/New York
Shtëpia e Gjon
Gjekës dhe shtëpia jonë ishin afër. Gjon Gjekën e kisha njohur qysh në moshën
6-vjeçare, ngase isha nxënës parashkollor në klasën e tij. E kam thënë edhe më
përpara se nga Gjoni kisha mësuar dhe recituar në publik këngën “Kamë mas kame
në maje te gurit, bini djemë mas flamurit, pushka vlon e vlon, flamuri fluturon,
kamë mas kame maje të gurit, jemi nipat e Dedë Gjo’Lulit, pushka vlon e vlon,
flamuri fluturon”. Ata që kanë shkruar për Gjon Gjekën thonë se kishte lindur
në Shkodër në vitin 1887 dhe se aty e kishte kaluar fëmijërinë ku edhe kishte
mbaruar shkollën fillore dhe në moshën 10-vjeçare ishte vendosur në Triesh, ku
është njohur me emërin Gjon Gjeka i Gjekë Nishkut. Gjekë Nishku ishte njëri prej
burrave më të mënçur dhe më të pasur të Trieshit. Për urtinë dhe pasurinë e tij
është folur shumë në Triesh. Ata që e kanë njohur thonë se Gjekë Nishku ishte
shumë I arsyeshëm. Për atë kohë Gjekë Nishku ishte një biznesmen i stilit
perëndimor. Gjyshi im Pjetër Luka, personalisht më kishte dhënë emërin e tij.
Babai i Gjekës Nishk Gila ishte ndër burrat më të përmendur të Trieshit.
Gjon
Gjeka dallohej nga burrat e kësaj vëllazërie, sepse ishte si një qytetar
evropian. Ai vishej bukur dhe i vetmi trieshian i moshës së tij që mbante
kravatë në takime me rëndësi, bile mbante në kokë kapelën republikë. Shumica e
malësorëve trieshianë e respektonin për elegancë. Nëpunësi i zyrës së vendit në
Triesh, Marash Prëçi, ndërsa ishin duke shkuar në një mort në Kojë u kishte
thënë shokëve në mënyrë ironike, shikoni se Gjon Gjeka paska venë sot kravatën!.
Gjoni I zemëruar i ishte përgjgjur: “Kur Gjoni ka vënë kravatë ti ke qënë në
koqe të babës”. Atje ku ishin shumë njerëz Gjoni fliste pak. Nuk ishte orator.
Kurrë nuk mbante fjalime. Pavarësisht se kurrë nuk shkonte në kishë, nuk ishte
ateist dhe jo se jo komunist. Bile zemërohej nëse dikush fliste kundër Krishtit.
Gjon Gjeka ishte agnostik. Ai fliste bukur përpara ndonjë grupi të vogël
malësorësh. Dukej si ata filozofët grekë që gjithë ditën bisedonin me qytetarët
e rëndomtë. Gjoni nuk i duronte pyetjet pa lidhje. Nëse ndodhte kjo, Gjoni mund
të zemërohej, sepse nuk ishte tip politikani. Trieshi e nderonte si njeri të
ditur. Ai mund të bënte gabime qesharake në punët e tij personale por të gjithë
e mirëkuptonin, duke menduar se ishte si një djetar i humbur dhe i vetmuar.
Shumë herë Gjoni luante role për t’u dukur edhe më i ditur se ishte. Ishte shumë
i vështirë për dëme materiale. Në raste të tilla edhe mund të fyente familjen
dhe farefisin. Përndryshe ishte shumë i matur. Familja jonë kemi bashkëpunuar me
të në fushën e bujqësisë. Kur ishte fjala për ndarjen e misrit ose patateve
ishte jashtzakonisht i ndershëm dhe i mirëkuptueshëm.Gjon Gjeka nuk shkonte në
dasma, por shkonte rregullisht në vdekje. Në katundin tim vizitonte vazhdimisht
Kolë Prelokën Gegaj e asnjë tjetër, ngase edhe Kolë Gegaj kishte qënë i arsimuar
në Shkodër dhe në Podgoricë. Në katundin tim dhe në katundin Stjepoh: Gjon
Gjeka, Pal Toshi dhe Kolë Gega jetonin më mirë se të tjerët. Gjon Gjeka ishte
anti-komunist i vërtetë, por ishte i kujdeshëm sepse e kishte frikë regjimin.
Aty këtu edhe i sulmonte me fjalë komunistët në nivele personale, por jo
shtetërore. Gjoni ishte inteligjent dhe për këtë mbijetoi pa shumë pasoja në
periudhën komuniste të Jugosllavisë. Prej moshës 15-vjeçare e deri kur jam
larguar nga vëndlindja për në Shtetet e Bashkuara kam qënë shumë i afërt me
Gjonin. Ngase kishim kullosat afër me Gjonin, qëndronim bashkë orë të tëra. Ai
më ftonte vazhdimisht në shtëpi për drekë. Për atë kohë shtëpia e tij ishte
shumë e bukur, në një brijë të pjerrtë mali prej ku mund të shihej pjesa më e
madhe e Trieshit. Gjon Gjeka ndonjëherë më ftonte për 28 nëntor, ditën e
Pavarësisë së Shqipërisë. Atë ditë gruaja e tij Prëna, një malësore shumë
fisnike nga Selca e Kelmendit bënte ushqime më të mira se ditët e tjera. Ajo e
nderonte këtë ditë. Para se të shtronim drekën Gjoni afrohej pranë dritares së
madhe dhe shikonte drejtë Veleçikut, Bukoviqit e Rapshës dhe ishte shumë i
emocionuar. Atje thoshte Gjoni “është shteti ynë”. Kurrë në jetën e tij nuk më
ka porositur që të mos tregoj për këtë manifestim në shtëpinë e tij. Më tregonte
librat që kishte. Por librin “Historia e Shqipërisë” të Tajar Zavalanit e ruante
më shumë se asnjë libër tjetër. Në tryezën e tij kishte edhe “Deklaratën
Universale të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara të vitit 1949. Kishte
dhe libra të tjerë por nuk i mbaj mend titujt e tyre. Ai kishte edhe disa
fletore me dorëshkrime, bile mbaj mend një fletore të gjelbër, që ishte format i
jashtzakonshëm. Aty kishte shumë shënime por kisha vështirësi me lexua
dorëshkrimin e tij. Në njërën prej atyre fletoreve kishte lënë shënime përsonale
për disa fise të Trieshit. Me rastin e 250-vjetorit të themelimit të Famullisë
së Trieshit në gusht të vitit 2013, Patër Mirash Marinaj i kishte thënë Zërit të
Amerikës se Gjon Gjeka kishte ruajtur disa shkrime kishtare të Kishës së
Trieshit. Në periudhën kur komunistët kishin marrë nën kontroll kishën ata i
kishin hedhur në mbeturina pjesën më të madhe të tyre, por Gjoni pas disa ditësh
kishte vajtur atje dhe i kishte nxjerrë nga ato mbeturina një nga një dhe më
vonë ia kishte dorëzuar Dom.Simon Filipaj. Gjon Gjeka mund të fliste natë e ditë
për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai fliste me shumë dashuri e respekt për Bajram
Currin, Dedë Gjo’Lulin dhe Luigj Gurakuqin. Gjoni kishte respekt të
jashtzakonshëm për Dr. Athanas Gegaj dhe Tajar Zavalanin, natyrisht se ai
respekt ishte rezultat i veprave të tyre historike për Shqipërinë dhe për
Skënderbeun. Ai mund të ketë qënë adhuruasi më i madh shqiptar i Skënderbeut.
Gjon Gjeka e adhuronte më shumë Skënderbeun se Jezu Krishtin. Këtë pyetje ua
bënte malësorëve kurdo e kudo. Në vitin 1916 Gjoni në bashkëpunim me poetin e
mirënjohur arbnesh Shime Deshpali themeluan shkollën e parë shqipe në Triesh.
Aty kishte filluar mësimet e para Lucë Prëloka Gegaj alias Dr. Athanas Gegaj,
bile edhe babai im kishte qënë nxënës i tij për një kohë të shkurtër. Kush mund
ta kishte imagjinuar se nxënësi i Gjon Gjekës Lucaj–Athanas Gegaj– do të bëhej
historian i famshëm i heroit tonë kombëtar. Para 51 vjetësh Trieshi kishte
pagëzuar shkollën tetëvjeçare me emërin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. S’ka
asnjë dyshim se edhe Gjoni kishte dhënë kontribut të madh për emërimin e kësaj
shkolle. Njëri prej nxënësëve të asaj shkolle në atë kohë Marash Kola Lucaj
(kryetar I Fondit Humanitar Trieshi në Amerikë), që tani jeton në New York
kishte qënë i pranishëm atë ditë në festën e emërimit. Marash Lucaj tregon për
momentin e shpalljes zyrtare të emërit të kësaj shkolle, Gjon Gjeka ishte gëzuar
aq shumë tregon Marashi, sa që kishte kërcyer nga ledhi duke brohoritur : ” Unë
edhe sikur të vdes në këtë moment vdes i lumtur sepse sot u plotësua deshira
ime më e madhe e jetës”. Bile këto ditë Marash Lucaj, Nua Pali Dedivanaj nga
Amerika dhe shumë bashkëvendas të tjerë nga Trieshi janë duke punuar për
vendosjen e bustit të heroit tonë kombëtar në oborrin e shkollës së
Trieshit.
Gjon Gjekë Lucaj ishte patriot i vërtëtë. Ishte apostull i shqiptarizimit
në Malësinë tonë edhe më gjerë. Ai kudo shkonte bisedonte për çështjen
shqiptare. Atje ku vërente gabime të mëdha bëntë vrejtje. Për shëmbull një mik i
tij e kishte njoftuar se në Hot i kishin dhënë emërin shkollës tetëvjeçare
“Bashkim-Vëllazënim”(Bratsvo-Jednstvo). Gjoni aty për aty u kishte thënë po ju
Hoti jeni një fis e një vellazëri, dhe nuk keni pas nevojë me u vëllazëruar me
emërin e shkollës. Si është e mundur që nuk keni gjetur një emër nga historia
dhe kultura e popullit shqiptar? Ai kishte kontribuar shumë në arsimin dhe
admministrimin e Malësisë. Ai ligjëronte për historinë ilire dhe arbërore. Edhe
pse tërë jetën kishte qënë pro gjerman, emërimin e Wilhelm Vidit, princ të
Shqipërisë nuk e kishte pëlqyer ngase nuk ishte shqiptar. Një javë përpara
largimit tim nga vendlindja Gjon Gjeka më tha: “Kam dëgjuar se po shkon në
Amerikë: “Udha e mbarë dhe të lutem mos e harro popullin shqiptar”. Gjon Gjekë
Lucaj ka vepruar në kushte të vështira, sepse ambienti ku jetonte kishte
besnikë patologjikë të Malit të Zi dhe më vonë të Jugosllavisë. Duhet thënë e
vërteta se në Triesh vepronin grupe ekstreme antishqiptare dhe veprimtaritë
kombëtare atje ishin të rrezikshme. Padyshim se Gjoni është ballafaquar me këto
grupe të mbrapshta. Ato banda ekstreme projugosllave kishin vepruar deri kohët e
fundit. Është koha t’i ndalojnë ato veprimtari antishqiptare dhe antinjerëzore.
Mbase një ditë do të hapen dosjet e tyre ashtu siç janë hapur dosjet e shumë
vëndeve të Evropës Lindore. Shpresojmë që Evropa do t’i kërkojë Malit të Zi këto
llogari përpara se të pranohet në Evropën e Bashkuar. Gjon Gjekë Lucaj vdiq me
14 maj të vitit 1978. Familjarët tregojnë se ishte përciellur me nderime të
mëdha. Në mortin e tij kishin marrë pjesë shumë vajtorë e vajtore. Për Gjon
Gjekën kishin mbajtur fjalime disa personalitete të arsimuara të Malësisë ku
ishte shquar Gjergj D.Gjokaj. Disa ditë pas vdekjes së tij unë kisha botuar në
gazetën “Dielli” të Bostonit një shkrim për jetën dhe veprimtarinë e tij
kombëtare. Historia e Trieshit dhe e Malësisë nuk mund të shkruhet pa
përfshirjen e Gjon Gjekës Lucaj.