Nga Dr. Nail Draga
Zuvdija Hoxhiq (Berisha), TË GJITHË TË MITË, Botoi: Qendra për Ruajtjën dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Podgoricë, 2017
Në opinionin e gjerë shoqëror, letrar dhe kulturor Zuvdi Hoxhiqi është i njohur si shkrimtar, poet, publicist, artist dhe sportist nga del se kemi të bëjmë me një personalitet shumëplanesh. Në botën letrare është i njohur me romanet “Viti i Gucisë” dhe “Ylli i Davidit”, duke bërë emër në hapësirën letrare në gjuhën shqipe, malazeze dhe ate boshnjake, duke qenë edhe laureat i çmimeve të ndryshme.
Autori I këtij libri ka lindur në Guci ku
ka kryer shkollimin fillor për të vazhduar më pas në Pejë e Prishtinë, ndërsa prej vitesh jeton në
Podgoricë, duke realizuar veprimtarinë krijuese e cila përmbajtjet i ka të ndërthurura me jetën e
shqiptarëve, boshnjakëve e malazezëve, duke qenë i veçantë nga shkrimtarët e
këtij regjioni.
Vepra e tij më e re “Të gjithë të mitë”
e botuar kohë më parë, përkthyer në gjuhën shqipe nga Dimitrov Popoviqi,
paraqet autobiografinë e autorit, e cila më tepër është ese se sa roman klasik,
duke sjell risi në botimet letrare tek ne.
Nuk ka dilemë se libri autobiografik
veçohet nga çdo libër tjetër, sepse aty kemi të bëjmë më të shkuarën e origjinës familjare dhe rrethanat shoqërore
të kohës. Dhe në këtë aspekt autori rrëfen udhëtimin dramatik të familjës së
tij nga Kodralia e Deçanit në Kosovë e
deri në ditët tona, duke ndërthurur protagonistët realë me imagjinatën e tij të
pasur krijuese, me stilin e tij të veçantë, që lexuesi shqiptar i mban në mend kryesisht
nga romanet “Viti i Gucisë” dhe “Ylli i Davidit”.
Fillimisht duhet cekur se nuk kemi të bëjmë me një vepër letrare klasike, me një personazh parësor, por e kundërta me një mozaik të tillë ku autori i këtij botimi me mjeshtri prezanton rrëfimet përkatëse në planin historik, në një periudhë kohore rreth dy shekujve. Si i tillë, ai është konkret duke filluar nga familja e tij e gjerë, ku imagjinata krijuese ofron një realitet të panjohur për të parin e familjes i cili sa ka qenë real, ishte mistik për autorin.
Ja si i drejtohet autori lexuesit, që është fragment nga pjesa e pare e librit:
“Gjyshi im është Cuf Berisha, bektashi, i biri i dervishit Ali, nipi i shehut Ramë, të birit të Riza Kodralisë, shehut të Teqës së Vogël, baba dervishit, emrin e të cilit mbaj – Zuvdi.
Pikërisht për shkak të kontekstit familjar, autori zgjodhi një lloj homazhi në formën e albumit, sepse vepra është e strukturuar në atë mënyrë. Nuk është e lehtë të kuptojmë shkallën në të cilën albumi fotografik ishte një shpikje simpatike dhe e dobishme.
Dhe një gjenealogji të tillë familjare tenton ta prezantojë përmes albumit të fotografive të familjes, ku autori e përdor si pretekst për të zhvilluar rrëfimin sa personal dhe familjar. Fragmenti i shkeputur dëshmon qartë një rrëfim të tillë ku:
“Fotografía e Cuf Alisë nuk gjendët as në albume e askund tjetër. Zgjohem
njëherë në mesnatë, kap një album dhe në “faqen e gjyshit ” filloj të pikturoj.
Sikur rri përballë meje, e shoh mirë, vetëm sa nuk flasim. Deri në mëngjes kam mbaruar portretin.
E le albumin hapur. Axha Braho, duke parë fytyrën e gjyshit, zgjon dhe mbledh
të gjithë njerëzit e shtëpisë. Unë shikoj nga anash dhe hesht. Të gjithë që e
kanë njohur: babai, xhaxha-llarët, tezet, vëllezerit nuk besojnë në atë çfarë
shohin.
Si me qenë i gjallë. Gjithçka njësoj: sytë, mjekra, kësula e dervishit, goja,
vetëm sa nuk flet”.
Vepra ”Të gjithë të mitë” e Zuvdija Hoxhiqit (Berisha), është autobiografi në të cilin autori trajton marrëdhëniet ndërmjet popujve, feve në kohë të ndryshme, duke ruajtur qendrimin, përkatësisht dinjitetin e tyre, në vendet përkatëse. Si autobiografik autori me pietet flet për paraardhësit e tij, dervishët të tarikatit të bektashive, duke ofruan të dhëna të cilat janë pjesë e trashëgimisë së tyre familjare dhe shpirtërore.
Rrefimet e prezantuara i përkasin një areali të gjerë gjeografik, të kohës së shkuar në diakroni e sinkroni, duke ofruar ngjarje e ndodhi të cilat janë dëshmi e rrethanave shoqërore të kohës. Autori, ofron argumente të mjaftueshme me emra personash realë por edhe të imagjinuar nga dimensioni letrar, ku rrefimet e prezantuara në shumë raste krijojnë dilema jo vetëm letrare.
Autori edhe në këtë vepër dëshmon së është mjeshtër i shkrimit të rrefimit shumështresor, duke përdorë shprehje, terma e frazeologji të cilat janë në favor të sagës së trajtuar, e cila pranohet lehtë nga lexuesi. Sepse, autori së bashku me personazhet tjera krijojnë një harmoni konceptuale e cila lexuesin e mbanë në kureshtje të vazhdueshme. Madje, këto ese, lirisht mund të konceptohen si tema të veçanta për realizime tjera letrare e artistike, sepse janë nxitje për krijues të profileve të ndryshme.
Dhe në fund duke e lexuar këtë vepër del qartë se kemi të bëjmë me një autor me një qasje specifike, sepse përveç imagjinatës krijuese ai ka njohuri enciklopedike, i cili me mjeshtri e prezanton mjedisin e vendlindjës në zemër të Bjeshkëve të Nemura si të veçantë por edhe në kontakt me të tjerët, por duke mbetur origjinal sikurse është natyra e vendlindjes së tij.
Durrës, më 15 qershor 2019