Me rastin e 20 vjetorit të rëndjes
Gjekë Gjonlekaj/New York
Shtëpia ku jetoj unë është jo më shumë se dy minuta me automobil
nga varrezat “Zoja e Bekuar” (St Mary’s) në Yonkers të New Yorkut ku pushojnë në
përjetësi tre vëllezërit Bytyçi. Nga autostrada që kalon aty pranë çdo ditë i
shohë varret e tyre. Ato janë në pjesën më të bukur dhe më të dukshme të këtij
qyteti, kundruell rrugës kryesore. Në ato livadhe të pjerrta shihen tre gurë të
zi mermeri ku është gdhëndur portreti i tre vëllezërve në uniformën e UÇK-ës.
Ata u vranë në korrik të vitit 1999. Ylli ishte 25 vjeç, Agroni 23, ndërsa
Mehmeti 21. Këto 3 varre të 3 martirëve të Kosovës janë sot varret më të
nderuara shqiptaro-amerikane në Shtetet e Bashkuara. Janë të veçanta sepse në
gjithë historinë e luftërave të Amerikës vetëm një herë gjatë Luftës së Parë
Botërore janë vrarë 3 vëllezër. Dhe për heroizmin dhe tragjedinë e tyre janë
shkruar disa libra, bile në Hollywood janë bërë edhe filma për ta. Batalioni
Atlantiku në bashkëpunim me Konsullatën e Kosovës për çdo vit në fillim të
muajit mars, bëjnë nderimet e duhura duke vendosur kurorë lulesh mbi varret e
tyre. Familja e vëllazërve Bytyçi gjithmonë është e pranishme në këtë ditë
përkujtimore. Fusha e paradës dhe e betimit ushtarak prej ku janë nisur në luftë
është afër atyre varrezave, jo më shumë se 15 minuta në këmbë. Më kujtohet si
sot 11 prilli i vitit 1999 kur Ylli, Agroni dhe Mehmeti në uniformen e UÇKës
qëndronin pranë njëri tjetërit si shqipe mali në radhët e Batalionit Atlantiku.
Dita e nisjes së tyre për në Luftën e Kosovës kishte qënë data më historike dhe
më tragjike e shqiptarëve të Amerikës. Themeluesit e këtij Batalioni më kishin
autorizuar që të mbaja një fjalim anglisht për vajtjen e tyre në Luftën e
Kosovës. Kur u ngjita lartë në foltore dhe shikova gjithata djemë përgatitur pë
luftë iu luta Zotit për kthimin e tyre shëndosh e mirë në Amerikë. Nuk ndodhi
ashtu sepse 3 vëllezërit Bytyçi u vranë, 3 të tjerë u plagosën rëndë, njëri pa
këmbë e tjetëri pa krah dhe një tjetër gati kishte mbetur pa njërin sy. Gazeta
“Thë New York Timës” e datës 12 prill 1999 në një shkrim shumë të gjatë për
vajtjen e “Batalionit Atlantiku” në luftë e kishte shënuar edhe rastin e 3
vëllezërve. Bashkëluftëtarët e tyre tregojnë se ata kishin qënë shumë trima në
Frontin e Pashtrikut.
Pasi kishte marrë fund lufta ata kishin shkuar në
shtëpinë e tyre në Prizren ku ishin nëna,një vëlla dhe motra. Një familje rome e
kishte ndihmuar familjen e tyre gjatë luftës. Pas luftës familja rome kishte
kërkuar ndihmën e tyre për t’u larguar nga Prizreni ngase kishin frikë se mund
t’u ndodhë ndonjë fatëkeqsi atje. Vëllezërit Bytyçi për t’ua kthyer me të mirë
atë nder kishin marrë përsipër afrimin e tyre në kufirin e Sërbisë, por duke mos
ditur terrenin, ata kishin hyrë gabimisht në territorin sërb dhe menjëherë
ishin kapur nga forcat ushtarake sërbe. Kjo ushtri barbare i kishte tortuaruar
disa ditë, dhe pas atyre torturave të hatashme i kishte pushkatuar. Ashtu të
vdekur, duar lidhur me hekura dhe me sy të mbyllur ishin dërguar në një kamp
ushtarak vuajtjesh në Petrovo Sello afër kufirit të Hungarisë ku kishin hapur
një varr masiv dhe në atë grop të zezë sërbe (serbian black hole) kishin qitur
edhe 74 shqiptarë të tjerë. Më 2 korrrik 2001,kongresmeni Joseph Dio Guardi
kishte organizuar promovimin shumë të sukseshëm të librit “Waging Modern war”
të gjeneralit Wesley Clark. Ushtari i Batalionit Atlantiku Uk Lushi e kishte
pyetur Gjeneralin Clarke nëse kishte ndonjë informatë për humbjen e tre
vëllezërve Bytyçi. Gjenerali nuk ishte në dijeni për tragjedinë e tyre, por e
kishte deklaruar publikisht atë ditë se do të bënte çka është e mundur për ta
zbuluar të vërtetën. Një javë pas, ishte njoftuar në lajmet botërore se ata
ishin gjetur në një varr masiv në Sërbi. Zbulimi i tre vëllezërve Bytyçi ishte
atë ditë lajmi kryesor ndërkombëtarë. Disa anëtarë të Batalionit Atlantiku
kishin shkuar ashtu së bashku te shtëpia e Ahmet Bytyçit për t’ua dhënë atë kumt
të zi. Ato ditë disa aktivistë të njohur shqiptaro-amërikanë kishin shkuar te
shtëpia e tyre në Long Island për të dhënë intervista në kanalet televizive
amerikane dhe evropiane, pavarësisht se djemtë e tij ishin në gjëndje t’ua
shpjegonin gazetarëve amerikanë tragjedinë e Agronit, Yllit dhe Mehmetit. Në
atë kohë një pjesë e kësaj familje jetonte në Prizren.
Ato ditë flitej
shumë për varrimin e tyre. Disa kishin menduar se do të ishte mirë që varrimi i
tyre të bëhej në Prizren, ngase ata kishin shkuar në luftë për lirinë e
Kosovës. Disa të tjerë kishim menduar se Amerika është më e përshtatshme sepse
ishin të lindur këtu. Mua personalisht më ishte ngulitur në kokë që ata duhet të
varroseshin në New York, për arsye se ata ishin shtetas të këtij vendi dhe se
Kosova pas Luftës kishte varre në çdo kënd dhe se nderimi për vëllezërit Bytyçi
mbase do të ishte më në nivel këtu në Amerikë. Nga ana tjetër
shqiptaro-amerikanët do të kishim në Amerikë një pjesë të tragjedisë dhe
heroizmit të Kosovës. Ne mendonim se varrezat e tyre do të jenë një pikë
bashkimi për shqiptarët kudo. Një ditë korriku u takova në Arthur Avenue me
babain e tyre Ahmet Bytyçin. Qëndruam së bashku nja dy orë në kafen Two Star (Dy
Yje). Gjatë asaj bisede e pyeta Ahmetin se ku dëshironte të bëhëj varrimi i
tyre? Ai tha se New Yorku ishte vendi më i përshtatshëm. Për qëndrimin dhe
dëshirën e tij e njoftova menjëhërë Shefki Mexhuanin kryetar i Shoqatës “Miqtë e
TMK”. Ai e pranoi seriozisht mendimin e Ahmetit dhe timin duke i bërë thirrje
për bashkëpunim “Shoqatës Atlantiku” të cilën në atë kohë e drejtonte Arbër
Muriqi ushtar i Batalionit Atlantiku. Ata thirrën një mbledhje ku kishin marrë
pjesë një numër i madh i ushtarëve të këij Batalioni dhe disa miqë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Në atë mbledhje mori pjesë edhe Ahmet Bytyçi. Të gjithë
kishim menduar se shpënzimet për rivarrimin e tyre do ta bënte qeveria
amerikane. Komisioni më autorizoi mua për të biseduar me zyrtarët e
Departamentit të Shtetit. Drejtoresha e këtij Seksioni tha se nuk paguajnë
asnjë dollarë për kthimin e tyre në Amerikë, ngase ata kishin shkuar vullnetarë
për lirinë e tokës së parëve. Pavarësisht se ata ishin shtetas të lindur të
këtij vendi nuk kishin shkuar në atë luftë të rekrutuar nga Shtetet e Bashkuara
dhe për këtë, Amerika nuk kishte asnjë përgjegjësi për rivarrimin e tyre në këtë
vend. Ju duhet të paguani 15.000 dollarë për kalimin e trupave të tyre të vdekur
nga Petrovo Sello në Prishtinë. Çeku duhet të jetë nga banka në emër të
Departamentit të Shtetit. Në atë rast iu luta të më jepte një intervistë në
radion e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në New York. Ajo e pranoi kërkesën time
dhe i shpjegoi të gjitha. Pas këtij vendimi dy shoqatat e lartëpermendura
grumbulluan fondet për rivarrimin në Amerikë. Shumicën e fondeve i kishte dhënë
Batalionit Atlantiku dhe Miqtë e TMK-ës. Pastaj edhe disa individë kishin dhënë
kontribute të dukshme. Duhet shënuar se një kontribut të dukshëm kishte dhënë
Florim Krasniqi. Unë dhe Uran Rexhepi bëmë fushatën e ngritje së fondeve në New
York, New Jersy dhe Connecticut. Edhe gjetja e varreve të përshtatshme ishte
problem. Kërkuam në disa anë të këtij qyteti, bile kërkuam vënd edhe në varrezat
ku gjëndeshin Mithat Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë. Nuk ishte vend I
përshtatshëm sepse ata nuk lejonin venndosjen e ndonjë guri të gdhendur mbi
vorrin e tyre. Ata lejonin vetëm në pllakë twë vogël me emër e mbiemër dhe
kurrgjë më shumë. Më në fund shkuam në varrezat pranë shtwpisë ku jetoj unë dhe
aty gjetëm një vend të shkëlqyeshëm. Ato ishin varre të krishtera. I tregova
Ahmet Bytyçit për karakterin fetar të këtyre vorrezave. Ai tha është në rregull
kjo punë e mos e diskuto.
Përgatitjet e cermonive në Kosovë i kishin bërë
Shefki Mexhuani dhe Arbër Muriqi në bashkëpunim më gjeneral Agim Çekun nw
Prishtinë. Një javë para nisjes kisha biseduar me abasadorin William Walker për
pjesëmarrjen e tij në ceremonitë në Prishtinë. Ai e kishte pranuar kërkesën
tonë. Grupi ynë I përbërë prej 18 vetash, kishte shumicën ushtarë të Batalionit
Atlantiku. Me 27 shkurt të vitit 2002 arritëm në Prishtinë. Atje u pritëm me
nderime nga zyrtarët amerikanë dhe shqiptarwë. Të nesërmen u zhvilluan
ceremonitë mortore, duke filluar nga sheshi para Teatrit të Prishtinës, sepse
aty ishin vendosur arkivolet e tyre. Në krye të radhës sonë ishin William Walker
dhe Ahmet Bytyçi. Pas homazheve tre arkivolet e vendosura në 3 automjete kaluan
nëpër Bulevardin Nënë Tereza dhe u vendosën në Sallën e Palestrave. Kjo sallë
ishte mbushur plot, dhe në radhët e para ishin ulur personaliete të larta
shqiptare dhe amerikane. Ishin të pranishëm edhe ushtarakë të lartë nga
Bondsteel. Kishte edhe diplomatë amerikanë nga Prishtina dhe Shkupi. Ceremonia
filloi me intonimin e hymnave kombëtare shqiptar dhe amerikan. Aty folën Fatmir
Limaj, William Walker, admiral Skënder Doçi, gjeneral Butka, Hysni Syla, Arbër
Muriqi dhe i fundit fola unë. Mund të kenë folur edhe të tjerë por nuk më
kujtohet emëri i tyre. Fjalët e mia: ” SOT KEMI ARDHUR PËR TRAGJEDI, NESËR DO TË
VIJMË PËR PAVARËSI DHE PASNESËR PËR BASHKIM KOMBËTAR GJITHESHQIPTARË. U
duartrokitëm shumë dhe për këto fjalë të gjithë të pranishmit u ngritën në
këmbë. Ato ditë vizituam përfaqësinë amerikane. Grupin tonë e drejtoi William
Walker dhe pritjen e bëri amabasadori John Menzis. U kthyem për në Shtetet e
Bashkuara të gjithë së bashku. Në aeroportin Kennedy të New Yorkut kishin dalur
për të na pritur shumë shqiptarë, bile kishte edhe disa kanale televizive
amerikane. Të nesërmen ditën e dielë u zhvillua ceremonia në Funeralin Faranga
Bros të Bronxit, New York. Kur hyra brenda me një kurorë lulesh menjëhërë më
ranë në sy 3 arkivole të vendosura paralel. U ndjeva shumë i tronditur
shpirtërisht dhe më shkuan lotët për tragjedinë e tyre. Kurrë nuk kisha parë kaq
arkivole në një funeral. Prindërit, vëllezërit, motra dhe kunatat qëndronin
ashtu të pikëlluara thua se ishin ngurosur. Të nesërmen ditën e hënë më tre mars
2002 në Yonkers të New Yorkut në oborrin e Hotelit Royal Regency prej ku edhe
ishin nisur për në luftë u bënë nderimet e rastit. Ata kishin fjetur në këtë
hotel dy netë përpara se të niseshin në lufte. Varret ishin 15 minuta në këmbë
nga oborri i atij hoteli. Trupat e tyre të pajetë i mbanin ushtarët e Batalionit
Atlantiku.Tre arkivolet e tyre ishin vendosur mbi ato 3 varret dhe varrmihësit
kishin përgatitur mekanikisht rënjen e tyre ngadalë por të 3, ranë në varre
përnjëherë. Ishte kjo një skenë tepër e trishtueshmë. Të gjithë ishim aty.
Familja ishte më afër se të tjerët. Të gjithë po e shikonin nënën e tyre
Bahrien. Kur ajo e pa e rënjen e tyre në varre përnjëhërë ngriti duart lartë dhe
u dëgjuan fjalët e saj: “O Zot i Madh…..” Por para se të binin në varret e tyre
muzikani i shkollës amerikane Anton Vulaj i ra borisë që i bien ushtarët
amrikanë për të vdekurit e tyre para vorrimit. Në këtë ceremoni morën pjesë
shumë shqiptarë nga Amerika. Mori pjesë edhe aktivisti Luigj Gjokaj me shokë nga
Detroiti, bile ai kishte bërë fushatë për ngritjen e fondeve për këto shpënzime.
Meriton të kujtohet edhe Imami i Patërsonit në New Jersey Muhamet Osmani për
shërbimet e tij fetare. Ai në këtë ceremoni ishte treguar qytetar i vërtetë
shqiptaro-amerikan.
Ahmet Bytyçi dhe familja e tij ishin treguar shumë të
ndershëm dhe fisnik gjatë gjithë kohës së veprimit për rikthimin e djemëve të
tyre te vdekur në këtë vënd. Kjo familje bashkëpunoi në mënyrë të sinqetë me të
gjithë. Në asnjë moment nuk treguan mburrje ose krenari për heroizmin e djemëve
të tyre.Gjithëmonë ishin modest. Familja e Adem Jasharit në Kosovë dhe Familja e
Ahmet Bytyçit në Amerikë janë familjet më të nderuara në botën shqiptare. Ata
janë modest të ndershëm dhe të sjellshëm. Unë personalisht ruaj shumë kujtime të
dhimbshme nga kjo familje e lavdishme. Ylli, Agroni dhe Mehemti ishin heronjë
dhe martirë. Meriton nderime edhe vëllau i tyre Ilir Bytyçi i cili tash e sa
vjet punon natë e ditë për të zbuluar të vërtetën për tragjedinë e vëllezërve të
tij. Iliri me sjelljet e tij të shkëlqyeshme po nderon vëllezërit, familjen dhe
kombin shqiptar.
“NO DAY SHALL ERASE YOU FROM THE MEMORY OF TIME”
“ASNJË DITË NUK DO T’U FSHIJË NGA KUJTESA JONË”
ENEIDA-VIRGJILI