Foto: S. Ismaili

Nga Gjekë Gjonaj

Asfaltimi, rregullimi dhe mirëmbajtja e rrugëve lokale do të duhej të jenë prioritare për pushtetarët e secilës komunë, pra edhe asaj të  Ulqinit.  Mirëpo, ata edhe përkundër premtimeve  të vazhdueshme  disavjecare , nuk aaritën të realizojnë shumë projekte me rëndësi   në sferën e  infrastrukturës. Mosrealizimi i tyre  krijoi shumë probleme dhe shkaktoi pakënaqësi veçmas  tek banorët e zonave  rurale, siç është rasti edhe me  fshatarët e Millës, Bojkut, Kosiqit e fshatrave përreth tyre.

Rrugët e këtushme lokale janë asfaltuar para afro  tri dekadash e gjysmë, të cilat me kalimin e kohës, në mungesë të mirëmbajtjes si duhet,  ndërkohë janë amortizuar aq shumë sa që   tani  paraqesin vështirësi kalimi  për automjete.  Nismëtari i parë dhe kreysor për meremetimin e rrugës  Krythë- Millë, në gjatësi prej 3550 metra ,  e cila fillon nga shkolla e Krythës e deri tek shkolla e Millës  është aktivisti entuziast  Samir Veliqi. Ai pohon se kostoja e saj është 130.000 euro dhe shton se 1200 metra të kësaj rruge lidhin  fshatrat  Millë, Kosiq, Bojk, Bushanë , fundi i Millës, Lulaj, e Kosiqi poshtë,  ndërsa 2350 metra të tjera lidhin fshatin e Millës.

 “Falë  vetëkontributeve vullnetare të banorëve të këtushëm  ka  filluar  etapa e parë e meremetimit të rrugës, gjegjësisht etapa e zgjerimit dhe përgatitjes për fazën përfundimtare  të asfaltimit  e këtij aksi rrugor. I gjithë ky projekt do të  realizohet dhe vetëfinancohet nga  vetë banorët që jetojnë në fshat, në qytetin e Ulqinit, e vendeve të tjera sikurse edhe  donacioneve të bashkëvendasve tanë në diasporë.  Falë ndihmës jashtëzakonist të madhe të tyre ne së shpejti do ta bëjmë ëndrrën realitet e do ta gezojmë brez pas brezi këtë rrugë”, thotë me kënaqësi Veliqi.

Kësaj nisme iu bashkëngjitën edhe banorët e fshatit Bojk dhe Kosiq, të cilët i madh e i vogël pa hezitim  iu përgjigjën  thirrjes  së  bashkëfshatarit të tyre  Azmir Jahjës  me disa shokë të tij , që në mënyrë vullnetare të  fillojnë aksionin e përbashkët në pastrimin e kanaleve te ujit, në zgjerimin e disa kthesave të rrezikshme dhe  në zgjerimin e  tetë urave. Sipas fjalëve të Jahjas bojkanjorët e mirëpritën këtë nismë dhe pothuajse të gjithë  iu përgjigjën pozitivisht  që të kontriuojnë në mënyrë vullnetare edhe në grumbullimin e të hollave. Pothuaj në çdo aksion që kemi organizuar deri më tani kanë marrë pjesë 30-4o veta, gjë që tregon për  mbështejten parezervë të të gjithë banorëve të Bojkut”,  thekson Jahja. 

Edhe aktivisti  i palodhur i Bojkut Beqir Bejta  shprehet krenar për  vetëkontributin  financiar që  kanë dhënë dhe  po japin  dita – ditës njerëzit vullnetmirë , duke përfshirë këtu edhe diasporën anamalase, e cila edhe kësaj here si shumë herë të tjera  po e dëshmon  kujtesën dhe dashurinë për vendlindjen e tyre dhe të baballarëve të tyre, për t’i ndihmuar  edhe me donacione  bashkatdhetarët e vet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore. “ Diaspora e Anës së Malit edhe kësaj here si shumë herë të tjera po na përkrah masovikisht. Ajo për një kohë rekord arriti të  grumbullojë një shumë  të konsiderueshme   të hollash, për ç’gjë u jemi mirënjohës.  Vlen të theksoj  se ditë më parë Komuna e Ulqinit ka hapur   tenderin  për asfaltimin e një pjese kritike të rrugës së Bojkut në gjatësi prej 400 metra e cila ne do të  na  ndihmojë shumë . Me  modernizimin  e rrugës banorëve të  fshatit Bojk do t’u ringjallet shpresa për një jetë më të mirë. Do t’u lehtesojë dukshëm jetën e përditshme. Do të ndikojë edhe në zbutjen e migrimit nga kjo trevë”, thotë  Bejta

Ky kontribut  rezulton po kaq vital edhe për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të  fshatrave të përmendura në Anë të Malit, kërkesat e të cilave me vite të tëra binin  në vesh të shurdhër të  të zgjedhurve të tyre  në Kuvendin Komunal të Ulqinit.

By admini