NgaQani Osmani

Kohëve të fundit të shumta kanë qenë dhe janë fatkeqësitë, dhimbjet, vuajtjet dhe brengat e njerëzve anëkend botës, ashtu siç janë të shumta vatrat dhe vendet e këtyre fatkeqësive, dhimbjeve, vuajtjeve dhe brengave.

Iraku, Siria, Jemeni, Somalia, libia, Palestina, Nigeria, Sudani, Mijanmari, Afrika Qendrore, Afganistani, Mali, Kongo, Kashmiri etj. janë vetëm disa vende të tragjedisë njerëzore, si rezultat i luftërave dhe konflikteve të armatosura që janë dhe po zhvillohen në to, si rezultat i pasojave të tmershme të cilat i sjellin këto luftëra dhe konflikte. E nëse kësaj “harte tragjike” ia shtojmë vendet në të cilat njerëzimi vuan nga uria, etja, sëmundjet, epidemitë, diktatura, persekutimi, diskriminimi, eksploatimi etj. kjo “hartë” do të zgjerohet tejmase dhe do të përfshijë pjesën më të madhe të globit!

 Pra, edhe përballë të gjitha këtyre fatkeqësive dhe vuajtjeve njerëzore, opinioni i përgjithshëm botëror, qoftë ai i strukturuar apo i pastrukturuar, si asnjëher më parë, qëndron heshtur dhe duarkryq, duke u bërë “imun” ndaj skenave dhe skenarëve të përgjakshëm, të cilat janë shndërruar në lajme të rëndomta të përditshmërisë së kësaj kohe të pakohë!

Se sa imun jemi bërë ndaj tragjedive njerëzore që po ndodhin anekënd botës, tregon fakti se, vdekja apo vrasja e disa dhjetëra fëmijve dhe civilëve të pafajshëm në vende të ndryshme gjithandej rruzullit tokësor, nuk po na krijon shumë përshtypje dhe nuk përbën lajm i cili meriton reagim, qoftë edhe në Facebook! Vetëm kur përmasat e tragjedisë dhe numri i viktimave arrin shifrën e qindra apo mijëra personave, si dhe vetëm kur një qyteti apo popullate të tërë i kanoset zhdukje në masë, vetëm atëherë fillojmë të vërejmë reagime sporadike të përmasave të “llajkut”, si dhe shkëmbim të disa inserteve të përgjakura, duke menduar se me veprime të tilla kemi kryer obligimin tonë moral dhe njerëzor!

Këto ngjarje në fjalë zhvillohen në përputhshmëri me skenarin e një drame të përgatitur dhe orkestruar mirëfilli, dramë kjo, e cila ka për qëllim dhe objektiv të vetëm ka shndërrimin e njerëzimit në kope të dëgjueshme dhe të nënshtruar ndaj disa individëve dhe grupeve klanore dhe mafioze. Këto individë dhe këto grupe, për hirë të interesave të tyre sadiste, janë në gjendje të sakrifikojnë popuj të tërë, e mos të flasim për përbaltjen e vlerave njerëzore dhe humane.

Kështu, popujt në fjalë që përfshihen nga këto tragjedi janë viktimë e drejtëpërdrejtë e këtij skenari ogurzi, ndërsa popujt tjerë “të lirë” janë “viktima të maqinerisë propagandistike të disa  djajve” në formë njeriu, të cilët aktrojnë rolin e “mbrojtësit” dhe “shpëtimtarit”, duke derdhur lotë krokodilit kundrejt gjahut të tyre. Kjo djallëzi ka arritur deri atë shkallë, sa që, ndaj tragjedive të këtilla imponohet terr informativ, me ç’rast, të njejtat nuk përbëjnë lajm. Vetëm nëse një vatër krize paraqet interes vital për njërën apo tjetrën palë, vetëm atëherë, megafonët informativ të palës përkatëse, ate vatër e shndërrojnë në top-lajm, edhe atë , për një kohë të caktuar, e me të arritur qëllimin, i njejti lajm, zhduket dhe harrohet!

Madje, ajo që është sa është ironike po aq edhe tragjike, është fakti se , reagimet tona ndaj këtyre fatkeqësive janë shndërruar në reagime të mvarura nga qëndrimet dhe pozicionimet e po atyre qarqeve të cilat qëndrojnë pas tragjedive të këtilla. Kështu, këto qarqe jo vetëm që kanë arritur të na zhveshin nga ndjenjat e të qenurit njeri, duke e droguar ndërgjegjen tonë, por të njejtat na kanë shndërruar në “kukulla teatri”, kukulla këto të cilat lëvizin konform dëshirës dhe tekeve të atyre, në duart e të cilëve gjenden. Bile-bile, këto qarqe dhe qendra, na kanë hipnotizuar deri në atë shkallë, si dhe kanë arritur të na “kurdisin” vetëdijen tonë deri në atë masë, sa që, na kanë bërë pre të veprimeve të kushtëzuara, me ç’rast ne reagojmë ndaj diçkahit vetëm kur na jepet sinjali i duhur!

Sot, metoda më efikase e cila është shndërruar në strategji politike dhe informative, është “metoda e defokusimit të vëmendjes”, me ç’rast, për të mbuluar një turp apo skandal politik, ekonomik apo të çfarëdo natyre tjetër, krijohet, sajohet, dhe plasohet një lajm tjetër paralel, i cili shërben si gjeth fiku, për të mbuluar turpin dhe fytyrën e shëmtuar të “tregtarëve të fateve njerëzore”.

Kështu, përderisa në disa vende, qindra mijëra njerëz vdesin nga “etja” dhe si rezultat i mungesës së ujit të pijshëm, mjetet globale të informimit zgjedhin për top-lajm të tyre misionin kozmik për zbulimin e ujit në planetin Mars! Në momentin që një populli të tërë po i kanoset vdekja nga “uria”, të njejtat mjete të informimit, për kryelajm të tyre nxjerrin çështjen e obezitetit! Në kohën kur një popull i tërë vuan nga “epidemitë” dhe sëmundjet vdekjeprurëse, këto korporata mediatike “vajtojnë” lajmin e shkurorëzimit të ndonjë aktori! Në çastet kur, në një nga vatrat e luftërave bien qindra viktima, këto zëdhënës të turpit zgjedhin që të bisedojnë për ndonjë skandal seksual, apo se në rastet më të mira, për ndënjë balenë e cila e ka humbur rrugën e saj dhe është bllokuar në ujërat e cekët të ndonjë bregu detar!

Këto tragjedi njerëzore dhe vatra krize, çdo ditë e më tepër nxjerin në pah fytyrën e shëmtuar të organizatave, shteteve, institucioneve, grupeve dhe individëve, të cilët preferojnë se promovojnë paqe, liri, demokraci, barazi, të drejta të njeriut, humanitet, solidaritet dhe prosperitet. Kështu, sa herë që bie një maskë nga maskat e shumta të këtyre qarqeve dhe personave hipokritë, të cilët, parullat e lartëpërmendura i shfrytëzojnë si paravan për realizimin e interesave të tyre të pangopura si dhe qëllimeve të tyre djallëzore.

Për më tepër, këto vatra krize dhe këto tragjedi njerëzore, çdo ditë e më tepër nxjerrin në pah ndërgjegjen e venitur, indiferencën e turpshme, si dhe pakujdesinë, ironin dhe cinizmin e skajshëm të komunitetit njerëzor në përgjithësi, i cili në vend se të vetëdijësohet dhe të reagojë ndaj padrejtësive dhe dhunës që po ushtrohet ndaj vëllezërve të tyre në njerëzi, i njejti komunitet po vazhdon të jetojë në, iluzione, duke u shtirur sikurse nuk po ndodh asgjë.

Në këtë mënyrë, dhe nën hijen e këtij paradoksi tragji-komik dhe ironiko-cinik, njerëzimi, çdo ditë e më tepër po fundoset thellë e më thellë në humnerën e tragjedisë së përbashkët njerëzore.


By admini