Nga Frank Shkreli

Media shqiptare njofton se gjatë një shkëmbimi pyetje-përgjigje me gazetarët të mërkurën para kryeqendrës së Partisë Demokratike në Tiranë, kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha pranoi dështimin e marrëveshjes së fshehtë të 17 Majit me kryeministrin Rama. Jo vetëm dështimin, por ai më në fund pranoi edhe dëmin që ajo marrëveshje i shkaktoi Shqipërisë dhe zhvillimeve demokratike në vend, në përgjithësi. Nuk dua të flas për këtë marrëveshje midis dy të parëve të Shqipërisë pothuaj një vit më parë, pasi kam reaguar duke shprehur që atëherë dëmet që mund të sillte ajo marrëveshje për Partinë Demokratike si opozitë dhe si rrjedhim edhe dëmet që ajo marrëveshje e fshehtë — përmbajtja e të cilës ende nuk dihet mos qofsha gabim — shkaktoi për politikën shqiptare në përgjithësi.

Marrëveshja Rama-Basha ishte në thelb anti-demokratike për nga natyra, rezultati i të cilës shihet sot. Por nuk dua të komentoj atë marrëveshje, të cilën edhe dy protagonistët e saj e shohin tani si të dështuar, por dua të mirëpres deklaratën e Z. Lulzim Bashës dje në lidhje me, siç tha ai, “dy ditë jashtëzakonisht të suksesshme bashkëpunimi me Institutin Republikan Amerikan, përfaqësuesit e të cilit janë këtu për të ndihmuar Partinë Demokratike në një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për ne, por për Shqipërinë” tha Basha. “Kam vendosur”, shtoi ai, “të sjell standardet e demokracisë perëndimore në Partinë Demokratike dhe për këtë kam mbështetjen e të gjithë botës” duke përmendur disa ente dhe organizata perëndimore, të cilat sipas tij, e mbështesin këtë ide.”

Ai premtoi një model, sipas të cilit, kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike do të zgjidhen me parimin një anëtar një votë, nga anëtarësia e plotë e Partisë Demokratike, duke organizuar, me ndihmën e partnerëve të PD-së, zgjedhje paraprake që ai i cilëson si “primaret”. Dua të theksoj se kjo nuk është një ide e re, pasi gjatë këtyre 30 viteve të post-komunizmit, sidomos grupe dhe individë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë propozuar dhe mbështetur këtë ide, si të domosdoshme për demokratizimin e partive dhe si rrjedhim, të demokratizimit të Shqipërisë. Në disa prej takimeve ku është ngritur shpesh ky subjekt kam qenë edhe unë prezent, në takimet me zyrtarët qeveritarë dhe partiakë shqiptarë, që prej shembjes së komunizmit, duke filluar nga prilli/marsi, 1991.

Si atëherë ashtu edhe sot, unë këtë model ose propozim të Bashës e shikoj si pozitiv, dhe nuk dua ta shikoj me sy kritik. Por, nëse Z.Basha është serioz në lidhje me këtë propozim, kjo mbetet për t’u parë. Por, duke pasur parasysh përvojën e zhvillimeve politike të këtyre 30 viteve post- komunizëm, është e qartë se mungesa e demokracisë së vërtetë dhe autoritarizmi aktual brenda partive politike dhe, sidomos, roli i 1-shit të plotfuqishëm në parti dhe si rrjedhim edhe në qeveri, që udhëheq me dorë të hekurt, e kanë sjellë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi, në gjendjen katastrofale të udhëkryqit politik, në të cilin gjendet sot.

Këshilloj, në qoftë se më lejohet, se në qoftë se Lulzim Basha dëshiron që shqiptarët të mbështesin Partinë Demokratike, sepse ajo ofron diçka ndryshe, ky model që ai propozoi dje duhet të zbatohet një minutë e më parë. Jo nesër, jo pasnesër ose muaj më vonë, në qoftë se dëshiron që shqiptarët ta konsiderojnë Partinë Demokratike, si një parti ndryshe. Në qoftë se dëshiron që të jesh ndryshimi, si masë të parë, mos i përjashto deputetët që nuk kanë djegur mandatet e tyre, përfshirë edhe vajzën e Azem Hajdarit, duke u treguar tolerant ndaj mendimeve ndryshe, brenda partisë. Modeli që propozon Z. Basha, në thelb toleron mendimet ndryshe, brenda partisë. Ky është edhe shembulli politik i partive politike amerikane, në qoftë se je serioz për këtë që propozon, dhe në qoftë se dëshiron që shqiptarët të besojnë se PD-ja është ndryshe dhe jo si ajo partia që nënshkroi marrëveshje të dyshimtë në dhoma gjysmë të errëta pas mesnatës, me kryekundërshtarin politik.

Kot e kini, të humbni kohë të gjithë, se pa demokratizim të partive, Shqipëria nuk do të ketë as demokraci, as liri të vërtetë, por do vazhdojë të cilësohet si gjysmë e lirë, ashtu si deri tani.
Zoti Basha thotë se për këtë model ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Në rregull! Por kjo mbështetje ka qenë gjithmonë aty për ju. Mund të kini nevojë për këshillat, bazuar në përvojën e tyre politike, por jo domosdoshmërish për mbështetjen e tyre për zbatimin e këtij modeli partiak. Ndërkombëtarët mund të ofrojnë ndihmën teknike dhe njohuritë politike, por zbatimi është në duar tuaja dhe të Partisë Demokratike, në qoftë se dëshironi një kuvend me të vërtetë demokratik e të lirë nga autoritarizmi i udhëheqësve të partisë, një parlament me anëtarët e të cilit do të jenë krenarë të gjithë shqiptarët kudo. Jo si ky që po na turpëron para botës!
Zbatimi i këtij modeli që propozoni, kërkon vullnet të mirë, guxim politik dhe atdhedashuri. Koha për veprim është tani, Z. Basha!


By admini