Nga Qani  Osmani                                                                         

Servilizmi është një dukuri që ka ekzistuear në të kaluarën dhe po përhapet gjithnjë e më shumë në shoqërinë tonë. Servilët janë njerëz të cilët për të gjetur një vend në një shoqëri të caktuar janë të gatshëm të ulen deri në pikën e fundit, duke mos pasur respekt as për veten, duke zhdukur çdo lloj mendimi të ndryshëm-nga ai i atyre që në një farë mënyre” adhurohet”, duke u kthyer kështu në “kukëlla” me të cilët zbaviten të fuqishmit apo edhe të zgjuarit. Pra, Servilët janë njerëz me karakter të ulët dhe vlera të vogla njerëzore.

Jeta e tyre e zbrazët shpirtërore dhe dobësimi i karekterit normalishtë që ato i largon nga rruga e drejtësisë dhe e ndershmërisë, sepse ata në këtë rrugëtim nuk hezitojnë të shkelin dhe shkatërojnë në mënyrë të paskrupullt fatet individuale dhe familjare njerëzore të atyre që guxojnë t’u dalin përpara, me çka edhe marrin rrugën e gabuar dhe të njerëzve të padrejtë dhe të pandershëm, të cilët njerëzimi dhe shoqëria pse jo edhe drejtësia e Zotit, herët apo vonë do t’i gjykojë për rrugën e zgjedhur.

Fjala servil ka një origjinë nga shoqëria skllavopronare, kur skllavi trajtohej si kafshë që fliste. Në fakt për skllavopronarin, skllavi ishte një vegël e gjallë e punës, ishte rob, në kuptimin  më të mirë të fjalës. Pa këta skllevër që i janë nënshtruar lehtësisht, pa këto robër apo puthador, nuk ka jetuar asnjë rend shoqëror, me gjasë nuk po mund të mbijetoi as shoqëria jonë në tranzicion.

Është më se e sigurtë se fjala skllav e antikës nuk është e barasvlefshme me fjalën servil të kohës sonë. Pasi skllavi i antikës është ushqyer aq sa i është dashur skllavopronarit për t’ia krijuar mbivlerën, servili i sotëm paguet goxha mirë, ndonëse tek ne edhe mund të ketë përjashtime. Po e themë këtë, se edhe sot ka mjaftë skllav modern që krenohen duke lavdëruar deri në qiell, sundimtarin e tij, edhe pse mund të mos e ketë ushqimin e nevojshëm për familjen e tij në sofrën e varfër. Sigurisht që, shoqëria edhe në antikë, dhe edhe sot i ka dhe i ka pasur njerëzit e vet me integritet personal të lartë, që janë dalë e dalin në ballë të fortunave. Kundrejt të tjerëve që vuajnë nga kompleksi i inferiotetit dhe parapëlqejnë që në jetë të deportojnë me anë të lëvdatave dhe lajkave ndaj atyre prej të cilëve varen drejtpërdrejt, si në jetën e përditshme shoqërore ashtu edhe institucionale.

Këto tipare krahasuar në këtë aspekt edhe e definojnë karakterin individual njerëzor, ndërmjet “atyre” që zgjedhin të haperojnë përpara pa u përkulur dhe krenar drejt sfidave të jetës, e cila normalisht se i sprovon përditë me shumë pengesa, por që ia dalin vazhdimisht më të fortë dhe më të afërt ndaj Zotit dhe njerëzve të mirë dhe të ndershëm, dhe të “atyre” që e zgjedhin rrugën më të lehtë dhe më të shkurtër, të cilëve nuk u pengon edhe të përkulen, të servilosen, pa kursyer lëvdata për shefat dhe padronët e tyre, sa herë që kjo t’u kërkohet, por që në fund përfundojnë të poshtëruar shpirtërisht, sepse kanë zgjedhur jetën më të lehtë dhe pa gjemba dhe që frikësohen nga pasiguria financiare dhe nga sprovat dhe sfidat e përditshme jetësore, që fundja edhe duhet ta forcojë karakterin individual të një personi.

Në jetën e përditshme normalisht që secilit individi i ka ndodhur të ballafaqohet me sprova të tilla, qoftë në vendin e punës dhe sidomos në politikë. Prandaj është bërë modë dhe si duket kështu ka qenë gjithmonë që, nga njëra anë, udhëheqësit e institucioneve dhe nga ana tjetër kryetarët e partive politike dhe oligarkët partiak të parapëlqejnë dhe të afrojnë rreth vetes njerëz që dikur në ushtri me përbuzje i quanin “përfitues (grebatorë)”, apo që tash i quajmë “Puthadorë, Sahanlëpirës” dhe “Çantabajtës”, sepse kjo është për ta rruga më lehtë dhe pa gjemba dhe kthesa të rrezikshme në rrugëtimin gjegjësisht në karrierën e tyre politike.

Këtë e përfitojnë servilët me mjeshtri “përfituesi” të cilëve nuk u pengon të ndërrojnë fytyrën, të përfolin dhe shpifin për të tjerët, të rrezikojnë dhe të marrin në qafë ata që ua “turbullojnë ujin”dhe “prishin gjumin” shefave të tyre, dhe duke i lartësuar ata në piedestalin më të lartë të mundshëm, si njerëz të pafitueshëm dhe të pazëvendësueshëm.

Servilët si të tillë janë shumicë si votues individual, ata edhe mund përkohësisht të fitojnë në zgjedhje, por fitorja e vërtetë normalisht se do të mungojë, sepse atyre nuk iu intereson të fitojë “E mira e  përgjithshme”, por vetëm e “mira personale”, dhe me këtë zgjedhje Ne si shoqëri dhe komb do të vazhdojmë të “Haperojmë në vend”, duke u marrë me vetveten pra me njëri tjetrin individualisht, dhe duke mos pasur aspirata të bëjmë ndryshimin në rrafshin e përgjithshëm.

Në një shoqëri nëse secili individ do ta bënte punën e vet me përkushtim dhe ndershmëri, atëherë nuk do të ekzistonte “e keqja”, dhe të gjithë do të ishin të lumtur me zgjedhjen e “rrugës së vërtetë”. Kësisoj nuk do të mungonin edhe rezultatet dhe mirëqenja e përgjithshme shoqërore, por për ta bërë këtë luftë, normalisht se udhëheqësit do t’i përzgjidhnin “ushtarët e tyre më të mirë”, ashtu siç trajneri që i zgjedh lojtarët më të mirë për të korrur fitore në fushën sportive.

Megjithatë, për ta bërë përzgjedhjen e duhur doemos se duhet ndryshuar kriterët dhe niveli i përgatitjes profisionale të pretendentëve për funkcione publike, sepse servilistët nuk janë të mësuar me ballafaqimin me sprovat dhe sfidat jetësore, por vetëm me ikjen prej tyre dhe strehimin nën “ hijen e Ombrellës së sigurtë të pushtetit”. Konkluzivisht, po këta të njëjtët janë të prirur të nuhasin me kohë se “ombrella është shpuar dhe nuk i mbron më”, dhe të parët do të vërsulen me shigjetat e tyre të lajkave dhe lëvdatave për të gjetur vend ndër të parët në ombrellën e pushtetit të ri, dhe do t’i shërbejnë këtij me po aq devotshmëri dhe servilizim, sepse për këtë janë tashmë të specializuar dhe të paarritshëm.

Përfundimisht, pa marrë parasysh epilogun e palakmueshëm të atyre që kanë “integritet personal”, të atyre që zgjedhin të mos bëhen hyzmeqarë, por të ecin përpara me forcat e tyre, ata janë gjithmonë fitimtarë të padiskutueshëm në hapërimin e tyre gjegjësisht në fushëbetejën e jetës së përditshme, krenarë që e kanë zgjedhur rrugën e vërtetë të drejtësisë dhe për të bërë vepra të mira në jetë, edhe atëherë kur kjo u kthehet me të keq, sepse janë të vendosur dhe të palëkundër në besimin se rruga e drejtësisë është e shtruar me gjëmba, por në fund shpërblehet, mbasi drejtësia vonon por nuk harron.


By admini